Leximi i Ungjillit Leximi i Ungjillit 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ungjilli sipas Mateut e shkrimi i Ungjijve

Emisioni i kaluar, të dashur dëgjues, ishte hyrje në faqet e Besëlidhjes së Re, ku librat më të rëndësishëm janë, pa dyshim, Ungjijtë. Sot do të fillojmë t’ju flasim për Ungjillin sipas Mateut, duke ndjekur librin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. - Vatikan

Sa për fillim, disa shifra. Mateu, Ungjilli i parë i Biblës së krishterë, përbëhet nga 28 kapituj e pak më shumë se 18 mijë fjalë, natyrisht, greke, pasi e gjithë Besëlidhja e Re u shkrua në greqisht. Është e vërtetë se mbi bazën e një dëshmie të lashtë të shekullit II nga ipeshkvi Papia, mendohet se në rastin e Mateut ka ekzistuar edhe një version në gjuhën aramaike, por ai nuk është gjetur kurrë. Pra, ungjijtë kanë ardhur në ditët tona në greqisht. Së paku, deri tani.

Ungjilli i parë është shkruar nga Marku

Jezusi kryqëzohet rreth vitit 30 pas Krishtit (sipas studimeve të fundit); tempulli i Jeruzalemit shkatërrohet në vitin 70 pas Krishtit nga romakët. Sot, të gjithë hipotizojnë se i pari, që ka shkruar një Ungjill, është Marku e se Luka e Mateu i kanë shkruar Ungjijtë e tyre pas vitit 70, duke pasur parasysh veprën e Markut e duke e përdorur atë vetëm pjesërisht. Pastaj, ekziston një burim, që Mateu e Luka e përdorin për shkrimin e Ungjillit e që Marku nuk e njihte: i famshmi Burimi Q (nga gjermanishtja “Quelle”), që është një përmbledhje e “thënieve të Jezusit”. Shën Mateu ungjilltar e përdor me të dyja duart.

Ndryshimet ndërmjet Ungjijve

Pastaj, ashtu si Luka, edhe Mateu ka burime të veta, pjesë që nuk i gjejmë në Ungjijtë e tjerë. Për shembull, ardhja e Mbretërve Dijetarë në Betlehem. Sado e çudtishme të duket, për këtë flet vetëm Mateu, ndërsa Luka përmend barinjtë dhe Marku e Gjoni nuk flasin aspak për lindjen e Jezusit. Nëse do të donim t’i karakterizonim katër Ungjijtë me parrullat e reklamave të sotshme, mjaft në modë, do të thoshim: Marku është i egër e i fshehtë; Luka është elegant dhe miqësor; Gjoni është vizionar dhe i lavdishëm; Mateu është i vendosur dhe i realizuar.

Katër ungjij sinoptikë

Megjithëse janë të ndryshëm, tekstet bëjnë pjesë, që të katërt, në Ungjijtë sinoptikë, që në greqisht, do të thotë “shihen së bashku”. Vërtet, nëse marrim tregimet e Mateut, të Markut e të Lukës (Gjoni ha bukë veç, siç do ta shohim më vonë) dhe i vendosim në tri kolona paralele, do të përftojmë të njëjtën skemë të përgjithshme, ku një pjesë është e përbashkët për të tre, një pjesë është e përbashkët për Mateun e Lukën, ndërsa pjesë të tjera janë të veçanta e gjenden vetëm tek njëri prej tyre.

Një lajm i mirë e një lajm i keq

Ç’do të thotë kjo? Kemi të bëjmë me një lajm të mirë e me një të keq. Të fillojmë nga i keqi: për të njëjtën ngjarje, kemi versione të ndryshme, në disa raste, edhe në kundërshtim me njëra-tjetrën, prandaj interpretimi nuk është i lehtë. Kalojmë nga tregues hapësinorë dhe kohorë të ndryshëm, tek emra njerëzish që nuk përkojnë e, tek çështje më të rëndësishme si, për shembull, fjalët e Jezusit në kryq, ose dukjet e ndryshme të Tij pas ringjalljes. Këtu, tekstet nuk përkojnë me njëri-tjetrin e harmonizimi i tyre nuk është i lehtë. Fatkeqësisht, lexuesit fillojnë t’i lindin dyshime!

Lajmi i mirë është se për shumë prej ngjarjeve, pjesët ungjillore përputhen krejtësisht, por na ofrojnë tri perspektiva të ndryshme e plotësuese, duke e bërë leximin sinoptik të të njëjtit fakt apo thënie të Jezusit si diçka shumë të pasur e stimuluese.

Mos u shkurajoni

Në përgjithësi, një pjesë e veçantë ungjillore duhet lexuar brenda strukturës së të njëjtit Ungjill e, njëkohësisht, në marrëdhënie me Ungjijtë e tjerë. Prandaj, duhet pasur durim e duhet vijuar leximi, duke kuptuar dalëngadalë rrjetin e ngjeshur me thënie e pika referimi, pa harruar ç’pati shkruar Thomas Edison: “Nuk shkurajohem, sepse çdo përpjekje e gabuar dhe e hedhur poshtë, është hap tjetër përpara”.

11 prill 2019, 15:52