Krishti predikon lumnitë ungjillore Krishti predikon lumnitë ungjillore 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ungjilli sipas Mateut e lumnitë

Që prej disa emisionesh, kemi filluar të shqyrtojmë Ungjillin sipas Mateut. Javën e kaluar, dhamë disa këshilla praktike për leximin e tij, duke u bazuar në librin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, “Është ora e leximit të Biblës”. Kësaj jave, do të vazhdojmë me disa parime, për ta inkuadruar më mirë tekstin ungjillor.

R.SH. - Vatikan

Ungjilli sipas Mateut është quajtur “Ungjill kishtar”, jo vetëm sepse Mateu është i vetmi ungjilltar, që përdor termin “ecclesia” (kishë), por edhe sepse vepra e tij është më e plota dhe më e detajuara. Në të, gjejmë gjithçka duhet për të themeluar dhe formuar jetën e një të krishteri dhe të një bashkësie të krishterësh. Shën Mateu ungjilltar zotëron një arkitekturë të ndërlikuar teologjike, përballon një sasi të konsiderueshme temash dhe çështjesh dhe shoqërohet nga një ndjesi plotësie.

Kujt i shkruan Mateu? Natyrisht, hebrenjve, që i besuan Jezu Krishtit, por edhe atyre, që e refuzuan. Ungjilli i tij është hebraik, i shkruar nga një hebre për hebrenjtë. Gjithçka të kujton Besëlidhjen e Vjetër, jo vetëm për 60 e më shumë citimet, që ndërthuren me tregimin ungjillor, por edhe sepse tek Mateu, horizonti i gjithçkaje është plotësimi i historisë së popullit hebraik.

Thënë me dy fjalë: Jezusi është shpëtimi i Izraelit, në Të plotësohet Shkrimi Shenjt e Ligji dhe manifestohet Mbretëria e Hyjit. Ai është më i madh se Moisiu dhe plotëson gjithçka të filluar prej tij, por në një mënyrë krejt të re, që populli hebraik nuk dëshiron aspak ta kuptojë, ndërsa populli i ri i krishterë akoma e kupton me vështirësi.

Si ia bën Mateu për ta thurur veprën e vet? Ai ka në dorë Ungjillin e Markut, përmbledhjen e thënieve dhe të mrekullive të Jezusit. Ka përballë shumicën e popullit hebraik, që nuk i sheh dot me sy “heretikët”, të cilët pohojnë se Jezusi është Mesia. Përveç kësaj, bashkësia e krishterë që po lind nuk e njeh mirë e as e zbaton ligjin e ri, që Jezusi erdhi ta përhapë në botë. Atëherë, Mateu i vihet punës e na jep kështu tekstin e parë të magjisterit ungjillor të krishterë, atë më të plotin.

Cila është arkitektura e tekstit? Titulli mund të ishte: “Jezusi, Moisiu i vërtetë”. Mateu e organizon materialin sipas një makroskeme, që nuk lë dyshime: të gjitha fjalët e Jezu Krishtit, që në Ungjijtë e tjerë janë të shpërndarë aty-këtu, grupohen në pesë fjalime të mëdha:

1.     Fjalimi mbi lumnitë (Mt 5-7)

2.     Fjalimi mbi misionin (Mt 10)

3.     Fjalimi mbi shëmbëlltyrat e Mbretërisë së Hyjit (Mt 13)

4.     Fjalimi mbi bashkësinë kishtare (Mt 18)

5.     Fjalimi mbi ardhjen e Birit të njeriut (Mt 23-25)

Ky lloj operacioni, përveçse praktik, është edhe simbolik: pesë janë librat e Torah, pesë edhe fjalimet me të cilat Jezusi i plotëson.

Tani, sa janë ata, që ndihen mirë me vetveten, duke thënë se megjithëse nuk shkojnë në meshë e nuk e praktikojnë fenë, janë të krishterë të mirë? Ose ata, që mendojnë se, meqë shkojnë në meshë, janë pa dyshim të krishterë? Të dyja palët, ndoshta, nuk dalin dhe aq të larë, nëse e krahasojnë jetën e tyre me tri kapitujt e lumnive ungjillore.

Nganjëherë, duhet t’i bëjmë llogaritë me disa fjalë të Jezusit, që i pështjellojnë krejtësisht siguritë tona të pakta morale me pohime, që askush tjetër s’ka qenë në gjendje t’i thotë:

“Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit birojnë muret e vjedhin! Mblidhni për vete visare në qiell, ku s’brejnë as tenja as ndryshku e ku vjedhësit nuk birojnë mure, as nuk vjedhin. Sepse, ku është thesari yt, aty do të jetë edhe zemra jote.

“Syri është dritëza e trupit. Në qoftë, pra, se syri yt është i shëndoshë, i tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar. Por në qoftë syri yt i sëmurë, i tërë trupi yt do të jetë i errët. Në qoftë, pra, se drita që është në ty është errësirë, sa terr i madh do të jetë!”

“Askush s’mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse: ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta duajë, ose do t’i mbështetet njërit e tjetrit do t’ia kthejë shpinën. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë” (Mt 6,19-24).

Shën Mateu ungjilltar e ka vënë në fillim pjesën, që ka të bëjë me lindjen e Jezusit (Mt 1-2) e në fund, misterin e Pashkëve (Mt 26-28). Pastaj, i ka lidhur pesë fjalimet e mëdha me po aq pjesë narrative:

1.     Fillimet në Galile (Mt 3-4)

2.     Predikimi në Galile (Mt 8-9)

3.     Kundërshtimet e judenjve (Mt 11-12)

4.     Përgatitja për Mundimet (Mt 14-17)

5.     Predikimi në Jude (Mt 19-22)

Ungjilli është tepër i ngjeshur për t’u shpjeguar. Në të vërtetë, ai duhet zbuluar, pra, për një çast, i duhet hequr ai vel pakuptueshmërie, që duket sikur e mbështjell. Në tryezën e Mateut, duhet ngrënë më parë ëmbëlsira e pastaj, dalëngadalë, duhet hequr kapaku i pjatës së hidhur të Mundimeve të Krishtit. Kështu do të bëjmë javën e ardhshme, duke prekur fjalët e temat më të rëndësishme.

25 prill 2019, 09:59