Martiri Atë Luigj Paliqi Martiri Atë Luigj Paliqi 

Atë Luigj Pali (Paliqi) në përvjetorin e lindjes

Atë Luigj Pali qe shembull e prijës i madh shpirtëror, patriot e bari i vërtetë fetar, meshtar i përkushtuar, përherë në shërbim të Zotit e të popullit. U tregoi atyre njerëzve të armatosur deri në dhëmbë se për të feja e populli i tij vlenin më shumë se vetë jeta. E mbytën më 7 mars 1913, duke e shporuar me bajoneta e kështu e bënë edhe më të ngjashëm me Krishtin e i falën një martir të ri Kishës katolike në Shqipëri.

R.SH. - Vatikan

Më 14 prill kujtojmë Atë Luigj Palin (Paliqin) në përvjetorin e lindjes, martir i Krishtit e bari shpirtëror i popullit.

Atë Luigji lindi në Janjevë, asokohe dioqeza e Shkupit, më 14 prill 1878. Prindërit Toma e Paulina e pagëzuan me emrin Mati. Që i vogël u thirr nga Zoti për rrugën rregulltare në radhët e fretërve të vegjël françeskanë. Studioi në Shkodër, Troshan e Itali, ku më 23 shtator 1896 veshi zhgunin e Shën Françeskut. Kushtet e përkohshme i bëri më 23 shtator 1897, të përjetshmet, më 8 dhjetor 1901. Mbas meshës së parë, më 20 prill 1903, nisi misionin si bari i shpirtrave në Baz, 10 orë larg Lezhës, e njëkohësisht mblodhi lëndën që i nevojitej për ndërtimin e Kishës së re të Gllogjanit.

Nga fundi i shkurtit 1913 malazezët filluan persekutimin e shqiptarëve katolikë, duke nxjerrë si pretekst dorëzimin e armëve. Bariu trim u kap e u burgos në burgun e Gjakovës, në sa vizitonte besimtarët e shpërndarë në fshatra të ndryshme, për t'i përforcuar në fenë e të parëve, e cila ishte në rrezik. I kërkuan ta mohojë publikisht këtë fe. E dërmuan me shuplaka e me shkopinj, e pështynë, e fyen, pastaj e nxorën para një gjykate, që e ngarkoi me shpifje. Së fundi, me 52 të burgosur të tjerë, e nisën rishtas për Pejë. Pater Luzi ishte gjysmë i zhveshur, i mbuluar me plagë. Dëshmitarët e kësaj ngjarjeje treguan më pas se ai nuk mund të ecte më. Atëherë nisi të hiqej zvarrë, i ngacmuar, i pështyrë, i shtyrë nga ushtarët.

I mungonte vetëm Kryqi, për t'i përngjarë plotësisht Krishtit. Një pop i bëri thirrjen e fundit të ndërronte fenë, në se nuk donte të humbiste jo vetëm kokën, por dhe shpirtin, i cili do t'i digjej në fund të skëterrës. Ai s'u përkul, nuk u thye as nga mundimet e as nga premtimet. U tregoi atyre njerëzve të armatosur deri në dhëmbë se për të feja e populli i tij vlenin më shumë se vetë jeta. E mbytën më 7 mars 1913, duke e shporuar me bajoneta e kështu e bënë edhe më të ngjashëm me Krishtin e i falën një martir të ri Kishës katolike në Shqipëri. 

Gazetat evropiane të kohës, si e përshkruanin këtë ngjarje të shëmtuar, shkruanin: "Nuk mund të mendohet që një punë e tillë të ngjasë në Evropën e shekullit XX". Gjithsesi askush nuk e luajti gishtin për t'ia prerë rrugën tragjedive të tilla, për t'i dhënë fund martirizimit të të krishterëve në trojet shqiptare. Pas Atë Luzit, mbytur barbarisht nga serbët, do të binin në fushën e betejës për mbrojtjen e Ungjillit të Krishtit disa qindra të tjerë. E Evropa, rishtas me gojë hapur, sikur trojet shqiptare të mos ishin pjesë e saj, do të çuditej duke parë si në Kolosetë moderne bijtë e Krishtit vijonin ta dhuronin pa kursim gjakun për Kishën e tyre, për popullin e tyre, për Atdheun e tyre e, pse jo, edhe për një Evropë më të krishterë, më të mirë! Shumë bujë bëri vdekja e tij. E shumë hetime e bisedime diplomatike shkaktoi.

Më në fund, më 7 tetor 1913, në praninë e Kolonelit austro-hungarez Schueler, përfaqësuesit të qeverisë malazeze Sposojeviç, Imzot Lazër Mjedës dhe një turme pafund me rregulltarë e besimtarë, u bekua guri i parë i Kishës së re në Gllogjan. Të nesërmën, më 8 tetor 1913, e njëjta turmë u mblodh afër Janoshit, te varri i Atë Luzit, mbi krye të të cilit ishte vendosur një Kryq hekuri me këtë mbishkrim: "P. Aloysius Paliq, ndërroi jetë në vitin e Hyjit 1913" . Ky vorr, ku Imzot Mjeda kremtoi meshën e parë për shpirt të martirit, është kthyer prej kohe në vend shtegtimi e në të ardhmen urojmë të kthehet në një elter të ri. Martiri fitoi!

14 prill 2019, 09:14