Gesu e adultera 5 domenica di Quaresima Gesu e adultera 5 domenica di Quaresima 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të tё kohёs sё Kreshmëve “C”

Ungjilli Gjonit paraqet takimin e Jezusit me gruan mëkatare të zënë në kurorëshkelje, të cilën Ai e shpëton nga poshtërimi i mëkatit e nga gjykimi i tjerëve duke i thënë: “Shko, por mbas tashit mos mëkato më!”, ndërsa akuzuesve të saj: “Kush është prej jush pa mëkat. Le ta qesë i pari gurin mbi të!”. Kështu Ungjilli na tregon mundësinë e rilindjes së jetës në faljen e dashurinë e Hyjit.

R.SH. - Vatikan

Ja në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës të dielës së 5-të e të fundit të kohës së krezhmëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të e Kreshmëve “C”

Nё qendёr tё Fjalёs sё Zotit tё kësaj së diele përsëri është mëshira e Zotit. Ungjilli nga Gjoni na tregon episodin i njohur tё gruas kurorëshkelëse të cilёn skribët e farisenjtë donin ta vrisnin me gurё në emër të ligjit. Jezusi e fal duke ia riktheyer dinjitetin e saj. Ndërsa akuzuesit janë vënë para vetes dhe para ndërgjegjes sё tyre.

Leximet biblike të kësaj së diele janë prelud i procesit të cilit Jezusi do t’i nënshtrohet para se të vdes. Procesi i gruas së zënë në shkeljen flagrante të besnikërisë bashkëshortore përfaqëson, në realitet, procesin kundër Jezusit, për të gjetur një shkas për ta dënuar. Akuzatorët e vet nuk janë të aftë të shohin e të njohin në të “dorёn e Hyjit”, që kaq shpesh “ka hapur udhë në shkretëtirë” drejt lirisë.

Jezusi ka ardhur për të shpëtuar, por edhe për të thënë se askush nuk duhet tё jetё gjykatёs i tjetrit, askush nuk mund të konsiderohet më i drejtë se tjerët, sepse të gjithë jemi shfajësuar falas nga ai. Kështu, edhe këtë të diele vazhdon udha drejt zbulimit dhe njohjes së fytyrës përdëllyese dhe zemrës plot mёshirёs e dashuri të Hyjit.

Ungjilli i kësaj së Diele të 5-tё të Krezhmëve (krh Gjn 8,1-11) paraqet  episodin e gruas së zënë në kurorëthyerje, duke nxjerrë, kështu, në dritë, temën e përdëllimit të Hyjit, i cili nuk e do kurrë vdekjen e mëkatarit, por do që ai të kthehet e të jetojë.

Skena zhvillohet në rrafshirën e tempullit. Jezusi është duke mësuar njerëzit, e ja aty arrijnë disa skribë e farisenj që e sjellin zvarrë para Tij një grua të zënë në shkeljen e besnikërisë martesore. Ajo grua gjendet kështu ndërmjet Jezusit dhe turmës (krh v.3), ndërmjet mëshirës së Birit të Zotit dhe dhunës së akuzuesve të saj.

Në realitet, ata nuk kanë ardhur te Mësuesi  Jezus për të kërkuar mendimin e tij, por për t’i kurdisur një kurth. E vërtet, nëse Jezusi do të ndjekë rigorozitetin dhe zbatimin e ligjit, duke miratuar dënimin e vrasjes së gruas me gurë, do të humbë famën e tij të butësisë e të mirësisë, që kaq shumë e ka mahnitur popullin; nëse përkundrazi, do të jetë i mëshirshëm, do t’i duhet të shkojë kundër ligjit, të cilin Ai vetë ka thënë se nuk dëshiron ta anulojë, por ta zbatojë (khr Mt 5,17).

Ky qëllim i mbrapshtë fshihet nën pyetjen, që i bëjnë Jezusit: “ Po Ti, çka thua?” (v.5). Jezusi nuk përgjigjet, hesht e bën një gjest të mistershëm: “u përkul e filloi të shkruajë me gisht në dhe” (v. 7). Në këtë mënyrë i fton të gjithë të qetësohen, të mos reagojnë me valën e impulsit e të kërkojnë drejtësinë e Zotit. Mirëpo ata ngulnin këmbë e prisnin prej Tij një përgjigje.

Atëherë Jezusi e lartoi vështrimin e tha: “ Kush prej jush është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj” (v.7). Kjo përgjigje i befason, i lë pa fjalë akuzuesit, duke i çarmatosur të gjithë në kuptimin e vërtetë të fjalës: të gjithë i braktisën “armët, do të thotë gurët që i kishin gati për t’i gjuajtur, si armët e dukshme kundër gruas, ashtu  edhe të fshehtat kundër Jezusit. E ndërsa Zoti vazhdon të shkruajë për dhe, akuzuesit largohen njëri pas tjetrit, duke filluar prej më të vjetërve, më të vetëdijshmit se nuk janë pa mëkat.

Mbetën aty vetëm gruaja e Jezusi: mjerimi e mëshira, njëri përballë tjetrit. “Grua, ku janë?” (v 10), i thotë Jezusi. E mjafton ky konstatim, e vështrimi i tij plot përdëllim, plot mëshirë e dashuri, që ai person ta ndjejë – ndoshta për herë të parë – se ka dinjitet, se nuk përkon me mëkatin e vet, se mund të ndryshojë jetën, se mund të dalë nga skllavëria e vet e të ecën në një udhë të re.

Kjo grua na përfaqëson të gjithëve, ne mëkatarëve, do të thotë ne që jemi kurorëshkelës para Zotit, tradhtarë të besnikërisë tij. E eksperienca e saj përfaqëson vullnetin e Zotit për secilin prej nesh: jo dënimin tonë, por shpëtimin tonë përmes Jezusit. Ai është hiri, që shpëton nga mëkati e nga vdekja. Ai ka shkruar në dhe, në pluhurin prej të cilit është krijuar qenia njerëzore (khr Zan 2,7), vendimin e Hyjit: “Nuk dua që të vdesësh, por që të jetosh”.

Vetëm falja nga ana e Zotit dhe dashuria e tij, e pranuar me zemër të sinqertë, e çlirojnë njeriun nga mëkati, që është rrënja e çdo të keqeje.

Jezusi, duke falur gruan, na mёson se vetëm falja hyjnore dhe dashuria e Zotit, e pranuar me zemër të hapur e të sinqertë, na japin forcë t’i bëjmë ballë së keqes e të mos mëkatojmë më.

 Vetëm dashuria e Hyjit mund ta shndërrojë nga brënda jetën e njeriut e, si pasojë, të çdo shoqërie, sepse vetëm dashuria e Tij e pakufishme e çliron nga mëkati, që është rrënja e të gjitha të këqijave.

                                         Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë   Is 43, 16-21

Populli hebraik ka qenë internuar në Babiloni.  Profeti ka për detyrë t’i kujtojë popullit mirësinë dhe besnikërinë e Hyjit, i cili ashtu siç kishte çliruar hebrenjtë nga skllavëria e Egjiptit, kështu tani do të çlirojë popullin e tij dhe do ta dërgojë në tokën e vet.  Hyji vetë do të hapë rrugën në shkretëtirën e historisë dhe do të japë shpëtimin.  Ai do të bëhet, në Jezusin, “udha” për çdo njeri. 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti që rrugë hapi nëpër det, shteg kalimi në ujëra të tmerrshme; që bëri të dalin karroca e kuaj, ushtri e kreshnikë se bashku; rrah ranë vdekur, kurrë më s’do të ngriten, u fikën si fitili, u shqimën.

Mos i kujtoni ngjarjet e shkuara, mos mendoni për çka ka kaluar, ja, po bëj një gjë të re: tani po lind! A s’po e shihni? Ja, po hap udhën në shretëtirë, e shtigje në vend të shkretë. Egërsirat do të më japin lavdi çakajt edhe strucat, se u dhurova ujë në shkretëtirë, lumenj në vend të shkretë, që t’i japë ujë popullit, të zgjedhurit tim, popullit që e trajtova për vete dhe që mua do të më japë lavdi. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 126

Punë të mëdha bëri Zoti për ne

Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,

na dukej si të ishim në ëndërr.

Atëherë goja na u mbush me gaz

e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!

 

Asohere thuhej ndër paganë:

“Zoti bëri për ta punë të mëdha!”

Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli

e zemrat na u mbushën me gëzim!

 

Ktheji, o Zot, robërit tanë

porsi përrenjtë e Negebit!

Ata që mbjellin me lot,

deh, le të korrin me gëzim!

Në të shkuar ecnin e qanin

duke mbartur farën për ta mbjellë,

kurse në kthim do të vijnë plot gëzim

duke mbartur dorëzat e veta.

 

Leximi dytë Fil 3, 8-14

Pali, pas takimit me Krishtin, ka ndryshuar jetën e tij.  Nëse më përpara ndiqte me pasion ligjin dhe burgoste dishepujt e Krishtit, tani ndjek me të njëjtën dashuri dhe me të njëjtin vrull Krishtin.  Ka fshirë gjithçka para syve dhe nuk sheh asgjë tjetër përveç Krishtit.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Vëllezër, unë çmoj gjithçka si dëm në krahasim me më të madhen të mirë: me njohjen e Jezu Krishtit, Zotit tim. Për të kam bjerrë çdo gjë dhe të gjitha i çmoj si llom, me qëllim që të fitoj Krishtin dhe të gjendem në Të – jo me drejtësinë time – me atë që vjen nga Ligji, por me atë që vjen nga feja në Krishtin, me drejtësinë që vjen nga Hyji, e themeluar në fe – që ta njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij me pjesëmarrjen në vuajtjet e tija, që të bëhem i ngjashëm me Të në vdekjen e tij, që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ngjalljes së të vdekurve. Jo sikurse t’ia kisha arritur, as sikurse të isha bërë i përsosur, por vrapoj qeë, në ndonjë mënyrë, të mund ta zë, sepse edhe vetë kam qenë zënë prej Krishtit Jezus.  Vëllezër, unë nuk mendoj se ia kam arritur; di vetëm kaq: harroj çka kam lënë pas dhe zgjatem drejt të së ardhmes, sulem drejt qëllimit, drejt shpërblimit të thirrjes qiellore të Hyjit në Krishtin Jezus. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Nuk e dua vdekjen e mëkatarit, thotë Zoti, po që të kthehet e të jetojë.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli   Gjn 8, 1-11

Jezusi nuk pohon se mëkati i gruas kurorëshkelëse është një fakt pak i rëndësishëm, në të kundërt i deklaron asaj: tani e tutje mos mëkato më.  Në sytë e Jezusit mëkati është pabesnikëri ndaj dashurisë së Hyjit, por nuk do t’i burgosë njerëzit në mëkatin e tyre, beson në mundësinë e kthimit për secilin prej nesh.  Na thërret në një dashuri të ripërtërirë, përtej egoizmit tonë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi shkoi në Malin e Ullinjve. Në mëngjes erdhi prapë në Tempull. Mbarë populli shkonte tek ai. Ai u ul e po i mësonte. Atëherë skribët e farisenjtë ia sollën para një grua të zënë në kurorëshkelje. E vunë në mes dhe i thanë: “Mësues, kjo grua u zu ndërsa po bënte mëkatin e kurorëshkeljes. Në Ligj Moisiu na urdhëroi të këtillat të vriten me gurë. Po ti çka thua?” Folën kështu për ta vënë në provë që të kishin për çka ta padisnin.

Jezusi u përkul e filloi të shkruajë me gisht në dhe. E, pasi ata vijonin ta pyesnin, ai u drejtua e tha: “Kush është prej jush pa mëkat, le ta qesë i pari gurin në të!” Përsëri u përkul e vazhdoi të shkruajë me gisht në dhe. Ata, kur e dëgjuan përgjigjen, nisën një nga një të largohen duke filluar prej më të vjetërve. Jezusi mbeti vetëm – dhe gruaja që po qëndronte në këmbë në midis. Jezusi u drejtua dhe i tha: “Grua, ku janë ata? Askush nuk të dënoi?” “Askush, Zotëri!” – përgjigji ajo. “As unë nuk po të dënoj – i tha Jezusi – Shko, por mbas tashit mos mëkato më!”  Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

05 prill 2019, 20:38