Kërko

Gesù e san Tommaso Vangelo della Domenica Gesù e san Tommaso Vangelo della Domenica 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të të Pashkëve in ‘Albis’ kushtuar Mëshirës Hyjnore

Mosbesimi i Tomës, për çka flet pjesa e Ungjillit të kësaj se diele, na ndihmon të zbulojmë fytyrën e vërtetë të Krishtit, dhe inkurajon të gjithë njerëzit që e kërkojnë me zemër të pastër takimin me Jezusin, Hyj i vërtetë e njeri i vërtetë, pavarësisht nga dyshimet e pasiguritë. Krishti i ngjallur është shpresë për një ardhmëri më të mirë! Të bashkuar me Të, bëhemi apostuj të paqes e lajmëtarë të një gëzimi që nuk ka frikë nga dhimbja.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Dielës së Dytë të Pashkëve, e diele që nga viti 2000 Papa Shën Gjon Pali II ia besoi Mëshirën Hyjnore. Pra këtë të diele Kisha kremton festën e Mëshirës Hyjnore.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 2-të e Pashkëve “C”

Në fragmentin e ungjillit të kësaj së diele, kemi rrëfimin mbi takimin e Tomës me Krishtin - Zotin e ngjallur, që i lejon Apostullit t’ia prekë plagët e kështu ai e njeh – e njeh përtej identitetit njerëzor të Jezusit të Nazaretit, në identitetin e tij më të thellë: “Zotëria im e Hyji im!” (Gjn. 20- 28). Zoti i mbart me vete plagët e veta në amshim. Ai është Zot i plagosur; e la veten të plagosej, pse na deshi.

Plagët e Tij tregojnë se Ai na kupton e se e lë veten të plagoset nga dashuria për ne. Plagët e Tij – ne mund t’i prekim në historinë e kohës sonë! Sepse Atij vijojnë t’i hapen plagë për ne. Ç’siguri për mëshirën e tij e ç’ngushëllim na japin! E si na sqarojnë se Ai është “Zotëria im e Hyji im!”. E na kujtojnë se edhe ne e kemi për detyrë të plagosemi për Të. 

Mëshira e Zotit na shoqëron ditë për ditë. Mjafton ta kemi zemrën zgjuar për ta perceptuar. Jemi tepër të prirur të merremi vetëm me lodhjen tonë të përditshme, që na është imponuar, si bij të Adamit. Por, në se e hapim zemrën tonë, ndonëse është aq e ngushtë sa të zërë vetëm vetveten, atëherë mund të vërejmë sa i mirë është Zoti me ne, si mendon për ne pikërisht në gjërat tona të vogla, për të na ndihmuar kështu të arrijmë tek të mëdhatë. 

Pas fjalëve të Krishtit të Ngjallur, feja gati e shuar në shpirtrat e Apostujve, u ndez përsëri. Ata ia treguan këtë Tomës, që nuk ishte i pranishëm në atë çast të jashtëzakonshëm. Edhe njerëzimi i sotëm pret nga të krishterët një dëshmi të re të ngjalljes së Krishtit; ka nevojë ta takojë e ta njohë si Zot të vërtetë e Njeri të vërtetë. 

Në se përmes këtij Apostulli mund t’i davaritim dyshimet e paqartësitë e shumë të krishterëve të sotëm, frikën e zhgënjimet e bashkëkohësve tanë të panumërt, me të mundemi edhe të rizbulojmë, me bindje të re, fenë në Krishtin që vdiq e u ngjall për ne. Kjo fe, e trashëguar brez pas brezi nga pasardhësit e Apostujve vijon, sepse Jezu Krishti - Zoti i Ngjallur nuk vdes më. Ai jeton në Kishë dhe i prin pushtetshëm drejt përmbushjes së planit të tij të amshuar shëlbues.

Secili nga ne, mund të tundohet nga mosbesimi i Tomës. Thua s’e venë në provë të rëndë fenë tonë dhimbja, e keqja, padrejtësitë, vdekja, posaçërisht kur peshojnë mbi njerëzit e pafajshëm – për shembull mbi fëmijët, viktima të luftërave dhe të terrorizmit, të sëmundjeve e të urisë?  E pra, në kundërshtim me çdo arsye të mirë – pikërisht në këto raste, mosbesimi i Tomës bëhet i nevojshëm e i çmuar për ne, sepse na ndihmon të pastrojmë çdo konceptim të rremë të Zotit i cili, në Krishtin, ngarkoi mbi vete të gjitha varrët e njerëzimit të plagosur. 

Toma mori nga Zoti Jezus e pastaj ia përcolli Kishës dhuratën e një feje të vënë në provë nga mundimet dhe vdekja e Jezusit e të përforcuar nga takimi me Të, të Ngjallur. Kjo fe gati-gati e vdekur rilindi, falë prekjes së varrëve të Krishtit, plagëve të cilat i Ngjalluri nuk i fshehu, por i tregoi e vijon të na i tregojë në mundimet e vuajtjet e çdo njeriu. E pikërisht këto plagë, që për fenë e Tomës në fillim ishin pengesë, bëhen prova të një dashurie ngadhënjimtare. Vetëm një Zot që do aq, sa të marrë mbi vete plagët tona e dhimbjet tona, posaçërisht ato të njerëzve të pafajshëm, është i denjë për t’u besuar! .

                                                          Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë (Vap 5, 12 – 16) 

Lexim prej Veprave të Apostujve
Shumë shenja e mrekulli bëheshin prej apostujve në popull. Të gjithë besimtarët si me marrëveshje e kishin zakon të bashkohen në Tremen e Salomonit. Prej të tjerëve askush s’kishte guxim të bashkohet me ta, porse megjithatë populli u jepte nderim. 
Dhe kështu, gjithnjë shtohej numri i burrave e i grave që besonin në Zotërinë, kështu që i nxirrnin në tregje të sëmurët dhe i vinin në vigje e në shtroja në mënyrë që, duke kaluar Pjetri aty pari, së paku hija e tij t’i binte ndonjërit prej tyre. Po edhe një turmë e madhe njerëzish ngarendte nga qytetet përreth Jerusalemit: sillnin të sëmurë e nga ata që i kishin pushtuar shpirtrat e ndytë dhe të gjithë shëroheshin. Fjala e Zotit. 

Psalmi 118 (117) 

Allelluia, Allelluia, Allelluia. 
-----
Le të thotë tashti Izraeli, sepse është i mirë, 
e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tani shtëpia e Aronit, 
e amshuar është dashuria e tij!
-----
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, 
erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë:
sa mrekulli për sytë tanë!
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti:
të galdojmë e të gëzojmë në të!
----- 
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, 
deh, o Zot, jepe të mbarën!
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!
Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
Hyji është Zot, ai na ndriçoi:
----- 

Leximi i dytë (Zb 1, 9-11a. 12-13. 17-19) 

Lexim prej Zbuleses së shën Gjonit apostull 

Unë Gjoni, vëllai juaj dhe bashkë me ju pjesëtar në vuajtje, në mbretëri dhe në qëndresë në Jezusin: isha për shkak të fjalës së Hyjit dhe të dëshmisë së Jezusit në ishullin që quhet Patmos. Një ditë të Diel pata vegim prej Shpirtit Shenjt dhe pas meje dëgjova një zë të madh, porsi zë trumbete, që më thoshte: »Çka po sheh, shkruaj në libër dhe dërgojua shtatë kishave.
U solla ta shoh zërin që po fliste me mua; si u ktheva, pashë shtatë shandanë të artë dhe në mes të shandanëve dikë si Birin e njeriut, të veshur me petk të gjatë dhe të ngjeshur me brez ari rreth parzmës.
Kur e pashë, rashë para këmbëve të tij porsi i vdekur. Ai vuri mbi mua të djathtën e vet e tha: »Mos u tremb! Unë jam i Pari dhe i Fundit, i Gjalli! Isha i vdekur dhe, ja, jam i gjallë për shekuj të shekujve dhe unë i kam çelësat e Vdekjes dhe të Nëntokës!
Shkruaj, pra, çka pe: çka është dhe çka do të ndodhë më vonë! Fjala e Zotit.


Ungjilli(Gjn 20, 19-31) Pas tetë ditëve, erdhi Jezusi. 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit 

Në mbrëmjen e po asaj dite - të parën ditë të javës - ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Pastaj u tha prapë:
“Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.”
Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.”
Porse Toma, njëri prej të Dymbëdhjetëve - ai që quhet Binjak - nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. I thanë, pra, nxënësit e tjerë: “E pamë Zotërinë!”
Toma u përgjigj: “Pa e parë në duart e tij vragën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vendin e gozhdave; pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.”
Pas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Pastaj i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu dhe ja, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”
Toma iu përgjigj: “Zotëria im dhe Hyji im!”
Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!”
Jezusi bëri ndër sy të nxënësve [të vet] edhe shumë mrekulli të tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij. Fjala e Zotit. 

26 prill 2019, 16:18