Kërko

Jezusi kryqezuar Jezusi kryqezuar 

Më 1 prill kalendari përkujton Shën Ugon, ipeshkëv

I nderuar nga Bernardi i Chiaravalle-s, konsultohej nga princat e Savojës, i dashur nga meshtarët, Ugo nuk e ndjente veten të përshtatshëm për drejtimin e dioqezës e për këtë arsye i pati kërkuar Papës mundësinë të tërhiqej në jetën murgarë në manastirin në Grande Certosa. Jeta e shën Ugos na kujton se çdo njeri që beson vërtetë mund të gjejë strehim tek Zoti, sidomos në çastet më të vështira të jetës.

R.SH. - Vatikan

Më 1 prill nga kalendari kishtar përkujtohet Shën Ugo nga Grenoble, bir i një konti nga Delfinato, lindi më 1053. Pasi kreu studimet në Valence e në Reims në shkollën e Ikmaros e të Shën Brunos, posa mbushi 27 vjeç emërohet nga Papa Gregori VII ipeshkëv i Grenoblit e këtu shërbeu si ipeshkëv për 52 vjet, edhe kundër vullnetit të tij, sepse disa herë pati dhënë dorëheqjen e provuar të tërhiqej nga misioni ipeshkëvnor.

I nderuar nga Bernardi i Chiaravalle-s, që shpesh kalonte bjeshkët për ta vizituar, konsultohej nga princat e Savojës,  i dashur nga meshtarët, Ugo nuk e ndjente veten të përshtatshëm për drejtimin e dioqezës e për këtë arsye shpesh herë i pati kërkuar Papës mundësinë të tërhiqej në jetën murgarë në manastirin në Grande Certosa.

Papa nuk e pranoi dorëheqjen e tij dhe sërish e dërgoi në selinë e tij episkopale. Ugo i bindet Papës, kthehet në Grenoble ku vdes, pak muaj më vonë, i rrethuar nga miqtë e tij certosianë. Është viti 1132. Dy vjet më vonë emri tij gjendet i shënuar në librin e artë të shenjtorëve.

Shën Ugo themelon eremitazhin e parë të çertozinëve.

Rauli fliste me vete, me zë të lartë: “Nuk është e mundur të rendësh gjithë jetën pas parasë, të mos e kesh kurrë kohën e duhur për të bërë atë që dëshiron e të merresh gjithë jetën me kotësira… E pastaj, sa ligësi ka në botë, sa padrejtësi. Njerëzit janë gati të hanë njëri-tjetrin. Duhet ndryshuar gjithçka, duhet filluar nga e para. Duhet ndërtuar një jetë tjetër, e denjë për njeriun…”.
“Për ta bërë këtë, duhet shkuar në ndonjë vend tjetër”- përgjigjet Martini, “ të gjesh një vend të ri, një shkretëtirë, për shembull, larg nga gjithçka e nga të gjithë”.
“E të jetosh ndërmjet vëllezërve të vërtetë” - shton Brunua, “e jo për të dëshmuar se ne jemi më të mirë se të tjerët, por që njerëzit të binden se Hyji mund t’i shndërrojë vërtetë zemrat e edhe doket tona. Me një fjalë, mund ta shndërrojë plotësisht jetën”. 
Si hesht një çast, nis përsëri t’u flasë shokëve që e rrethojnë: “Miqtë e mi, a bëjmë një kusht? Të braktisim gjithë ç’kemi e të vihemi për udhë në kërkim të pasurive që nuk zhduken kurrë…”.
Kështu Brunua i Këlnit (qytet në Gjermani), së bashku me gjashtë shokë vendosin të bëhen murgjër e nisen në kërkim të një vendi të shkretë, për të filluar një jetë të re, një jetë më të fisme, më të mirë 
Si arrijnë në Grenobël të Francës, shkojnë menjëherë tek ipeshkvi i ri i qytetit, imzot Ugo, i cili i dëgjon me vëmendje të madhe. Ato ditë Ugua kishte parë një ëndërr të çuditshme, të cilën vendos t’ua tregojë murgjërve: “Pa pritur e pa kujtuar pashë shkretëtirën e Shartrëzës (frëngj. Chartreuse). M’u duk sikur u hapen malet, ashtu si hapen ujërat, e në mes tyre pashë një vendkalim të fshehur ndërmjet shkëmbinjve. E njoha menjëherë: ishte lugina e ngushtë që ngjitet drejt majave. “Më pas” - vijoi me ngadalë: “në dritën e agimit pashë si afroheshin yjet. Ndoqën kreshtat e bjeshkës e pastaj shkuan e u ndalën në qiell mbi një shtëpi, që ishte ndërtuar për lumni të Hyjit”.
Bruno murmuroi me zë të ultë:
“Çertoza? Shtëpia? Yjet?...”
Ipeshkvi u përgjigj, si të ishte duke folur me vete:
“Yjet ishin shtatë, si ju, si yjet e Arushës së Madhe”. Pastaj shtoi, gjithnjë mendueshëm: “Ariu i murrmë…. Ngjyra e ariut të kujton menjëherë emrin tuaj, Bruno – i murrmë, i zeshkët”.
Brunua e kuptoi menjëherë se ëndra e ipeshkvit Ugo, ishte përgjigja që i jepte Hyji kërkesës së tyre. Atëherë të prirë nga ipeshkvi i Grenoblës, Brunua dhe shokët e tij shkuan në atë mal e ndërtuan aty kuvendin e tyre. Kuvend i çuditshëm e i jashtëzakonshëm: i përbërë nga kasollet prej druri të murgjërve, ndërtuar rreth një burimi, në zemër të shkëmbinjve, veshur me pyje të virgjëra. E vetmja ndërtesë prej guri ishte kisha.
Kështu u themelua eremitazhi i parë i çertozinëve, murgjërve kundrues, që ia kushtojnë gjithë jetën Hyjit në vetmi, në heshtje e në lutje, në zemër të Çertozës, nën shtatë yjet, që i kishte parë në ëndërr Ugua ipeshkëv.

01 prill 2019, 12:46