Cerca

Vatican News
Në emër të Kryqit Në emër të Kryqit 

Vriten dy meshtarë në Afrikë

Në Kamerun u vra një frat kapuçin qendrafrikan, që kryente misionin në Çad. Vdekja e tij tragjike ndodhi pikërisht në ato ditë, kur u zbulua trupi i don Clement Rapuluchukwu Ugwu, meshtar nigerian, i rrëmbyer javën e kaluar në Shtetin Enugu.

R. SH. - Vatikan

Një rregulltar kapuçin me kombësi qendrafrikane u vra në Kamerun, ndërsa kthehej në sivëllazërinë e tij, në Mbaibokoum të Çadit. Sipas një komunikate të Rojtarisë së Përgjithshme të Kapuçinëve për Ciadin, dhënë Agjencisë Fides, atë Toussaint Zoumaldé kishte shkuar në dioqezën e Bouar, në pjesën perëndimore të Afrikës Qendrore, prej nga e kishte origjinën, për të gjallëruar kursin e formimit të meshtarëve vendas. Kishte marrë, më pas, rrugën e kthimit në sivëllazërinë e tij në Ciad, duke kaluar nëpër Kamerun. Natën ndërmjet 19 e 20 marsit,  disa të panjohur e zunë dhe e vranë me armë të bardha në Ngaoundere (Kamerun), ku ishte ndalur për të pushuar. Vrasësit nuk janë kapur akoma. Atë Toussaint, i lindur në vitin 1971, kishte punuar për një kohë të gjatë si gazetar pranë Radio Siririt, në dioqezën Bouar. Njihej edhe si kompozitor këngësh fetare.

Ndërkaq, në Nigeri, u gjet trupi pa jetë i meshtarit të rrëmbyer një javë më parë, don Clement Rapuluchukwu Ugwu, i rrëmbyer javën e kaluar në Shtetin Enugu, famullitar i Kishës së Shën Markut, në jug të Nigerisë. Trupi, gjysëm i kalbur i priftit, u gjet më 20 mars, në pyll, jo larg vendit të rrëmbimit prej shtëpisë famullitare, nga disa banditë, që e plagosën me një të shtënë pistolete. Imzot Callistus Onaga, ipeshkëv i Enugu, kërkoi nga policia kapjen sa më të shpejtë të vrasësve të meshtarit dhe denoncoi një sërë vrasjesh në gjithë vendin. Prelati i ftoi të krishterët t’i vazhdojnë lutjet për shpëtimin e vendit. Por shprehu edhe pakënaqësinë përballë dështimit të forcave të policisë, që nuk po i mbrojnë si duhet meshtarët nga cubat, ndërsa vijojnë të bëjnë të njëjtin pohim: “Jemi shumë pranë rrëmbyesve”.

22 mars 2019, 19:45