Kërko

 Angelo Cuartas Cristobal e shokë Angelo Cuartas Cristobal e shokë 

Të Lum, 9 seminaristë, martirë të Asturies

Eshtë martirizimi “in odium fidei”, nga urrejtja për fenë, filli i kuq i gjakut, ai që lidh Angel Cuartas Cristóbal dhe 5 shokët e tij të seminarit, me grupin e dytë të martirëve spanjollë, vrarë ndërmjet viteve 1936-1937 e lumnuar sot, në Oviedo. Në kremtim, Papën e përfaqësonte prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Becciu

R. SH. - Vatikan

Nuk mund të ketë provë më të madhe, sesa të japësh jetën për atë, që e do:  këtë mësim na japin martirët, ndërmjet të cilëve, edhe nëntë të Lumët e sotëm, që  të gjithë në lule të moshës, që pranuan më mirë të vdisnin, sesa të fshiheshin, duke qenë të persekutuar për shkak të fesë së tyre të patundur. Seminaristë, të gjithë të dashuruar me Zotin, që e kishin zgjedhur një herë e mirë rrugën: të jepnin edhe jetën për Të. Dhe e dhanë, deri në pikën e fundit të gjakut. Duke  dëshmuar besnikërinë ndaj Krishtit, mësim ky, për të gjithë meshtarët, që ta marrin seriozisht thirrjen e tyre - nënvizoi  kardinali Angelo Becciu, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.  

Spanja, buzë honit të luftës civile

Viti 1934, në Asturiet, ishte tepër i vështirë: me revoltat sindikale të minatorëve, me sulmin e forcave të së majtës anarkiste, që kërkonin t’i jepnin fund Kushtetutës republikane, për të vendosur një shtet socialist. Ishte fillimi i asaj, që do të mbetej në histori me emrin Lufta civile spanjolle, që do të tërbohej ndërmjet viteve  1936 e il 1939 e që do të ishte prelud i Luftës II Botërore.  Revolta e  Asturieve, e përgatiur me kujdes për disa muaj me radhë, do të shpërthente më 5 tetor 1934. Me sulmin kundër Rojes civile. Më pas, nisën sulmet kudo, por më gjakataret ishin ato të  Oviedos, ku shumë njerëz, posaçërisht priftërinj e rregulltarë, u vunë para plotoneve të ekzekutimit, pa e ditur psenë. “Në përfundim të kësaj hekatombe, do të ishin 6832 priftërinjtë, rregulltarët  e rregulltarët,

viktima të luftës civile spanjolle. Këtyre u duhen shtuar të gjitha viktimat laike, vrarë vetëm e vetëm pse dëshmonin haptas fenë e tyre katolike- kujtoi kardinali Becciu.

Seminaristët e Oviedos,  dëshmitarë të  padëshirueshëm të fesë

Në fund të verës së vitit 1934 Angel Cuartas Cristóbal, njëri nga  seminaristët, si i kishte kaluar pushimet verore në familje, do të kthehej në seminarin e madh të Oviedos, ku studionte e ku, ndonjë muaj më parë, ishte shuguruar subdiakon. I tetëti ndërmjet 9 fëmijëve, ishte krenaria e familjes së vet, pikërisht asaj familjeje, që e këshilloi të mos kthehej në  Oviedo, ku po bëhej hataja. Po ai nuk u bind: e dinte se Zoti  e donte atje, për të bërë detyrën e tij, ndoshta edhe për t’u vrarë “in odium fidei”, si 5  shokë të tjerë  të cilët, ashtu si ai, kishin vendosur të ktheheshin.

Ja kush ishin këta martirë, në lule të rinisë: Mariano Suárez Fernández,  i vendosur për të vijuar studimet, sepse atë vit do të bënte kushtet; Jesús Prieto López, nga një familje aq e varfër, sa studimet ia paguante famullitari; César Gonzalo Zurro Fanjul, që vdiq duke brohoritur  “Roftë Krishti Mbret! Rroftë  Spanja katolike!”; José María Fernández Martínez,  bir minatori, i rritur pa nënë; Juan José Castaňon Fernández, më i vogli i grupit, vetëm  18 vjeç. Ndërsa më i madhi, sapo i kish mbushur të 24-tat.

Thellimi i konfliktit: martirët e 1936-37

Situata vijon të keqësohet e dhuna, si virus, përhapet rrufeshëm në gjithë vendin: “Ateizmi duhet të ishte fytyra e re e njeriut modern” - theksoi kardinali Becciu. E kjo ideologji vijon ta mbjellë truallin spanjoll me kufoma, laike e fetare. Ndërmjet tyre, trupat e bërë shoshë nga plumbat të tre të rinjve të tjerë, lumnuar sot: Manuel Olay Colunga, i shpëtuar dy vjet më parë nga vdekja në  Asturie, i fshehur një vit me radhë, zbulohet e vritet; Sixto Alonso Hevia, i arrestuar së bashku me të atin, katolik i flaktë, burgoset me të, para se të martirizohet, në vitin 1937; e, së fundi, Luigi Prado García, që kishte bërë edhe shërbimin ushtarak, vritet në plazhin e Gijon.

“Sa të vogël e ndjej veten, para këtyre figurave - e përfundoi  rrëfimin e tij  kardinali Becciu - gjaku i tyre është ftesë, që më drejtohet mua dhe të gjithë meshtarëve, për ta jetuar me seriozitet e përsosuri thirrjen tonë”.

“Sa të vogël e ndjej veten” – nuk mund të mos mendojë i krishteri, kur  kujton këto jetë të dhuruara me fund për Krishtin!  

09 mars 2019, 12:41