Kërko

 Virgjëra Mari, Nënë e Zotit e Nënë e Kishës Virgjëra Mari, Nënë e Zotit e Nënë e Kishës 

Të krishterë e myslimanë, të bashkuar në dashurinë për Marinë

Në Akademinë Papnore Ndërkombëtare Mariane, majin e ardhshëm do të mbahet një ditë studimi mbi devocionin e Marisë në krishterim e edhe në islam.

R. SH. - Vatikan

Virgjëra Mari është urë dialogu ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. E edhe  udhë mirëkuptimi. E tregon këtë historia, pothuajse e panjohur, e kishës së Khatismës (përkthyer në shqip “e pushimit të Marisë”), ngritur mbi rrugën, që çon nga Jeruzalemi - në Betlehem. Këtu, në sitin arkeologjik,  që tregon planin tetëkëndsh të kishës, duket një gur i madh, mbi të cilin, sipas protoungjillit të Jakut, Maria u ul për një pushim të shkurtër gjatë udhëtimit me Jozefin, drejt Betlehemit. Ndërsa kthehej, deshi të ndalohej përsëri në të njëjtin vend  e, siç na e tregon Ungjilli apokrif i Mateut, pa një palmë të ngarkuar me hurma. I shprehu, atëhere, Jozefit, dëshirën për të ngrënë ndonjë frut. E Jozefi deshi t’ia plotësonte menjëherë këtë dëshirë. Por hurma ishte tepër e lartë e ai nuk mund t’i arrinte frutat. Atëherë - vijon gojëdhëna - e zgjoi Jezusin e sapolindur. E Foshnja Hyjnore i dha urdhër palmës t’i ulte degët e t’ia dhuronte frutat nënës së tij të shenjtë.

I njëjti rrëfim, në  Ungjillin apokrif e edhe në Kuran

 I njëjti  rrëfim lexohet edhe në Kuran: kur Jezusi lindi nën palmë, Marisë iu duk një Engjëll, që i tha: shkunde pemën e ha hurma. Në traditën islamike, hurmat janë fruti me të cilin hapet solemnisht Ramazani.  E, veç kësaj, palma, që shihet edhe sot e kësaj dite në mozaikun e dyshemesë së Kishës së Khatismës, është identike me ato, që i shikojmë në disa piktura myslimane.

Të krishterë e myslimanë, të bashkuar në dashurinë për Marinë

Rizbulimi i kësaj tradite e bindi fra Stefano Cecchin, kryetar i Akademisë Papnore Ndërkombëtare Mariane, për të organizuar, më 13 majin e ardhshëm, në Romë, pranë Universitetit Papnor Antonianum, një ditë ballafaqimi ndërmjet katolikëve e myslimanëve, titulluar “Hurmat e Marisë”. “Ajo që na bashkon - thotë fra Cecchin - është lutja. Në deklaratën e vëllazërimit njerëzor, nënshkruar nga Papa Françesku në Emiratet e Bashkuara Arab,e më 4 shkurt 2019, theksohet një aspekt themelor: çka na bën të gjithë vëllezër, nuk është aftësia jonë, as filantropia, por hiri i Zotit. Është pikë, që lidh perëndimin me lindjen, të krishterët me myslimanët. E figura e Marisë na bashkon pikërisht në lutje”.

Maria, gruaja e parë në Islam

Po ç’ lidhje ka Maria, me myslimanët? Na e shpjegon fra Cecchin, duke u nisur nga Kurani: “Është një sure (kapitulli,ndr) kushtuar e tëra Marisë. Islami mbron virgjërinë e Marisë, pranon zënien virgjërore të Krishtit, tregon se Maria ishte në tempull, se u ushqye nga engjëjt, se ishte grua besnike. Kështu Maria, për islamin, është gruaja më e rëndësishme. Pastaj vijnë Fatimja dhe gruaja e Faraonit. Këto janë tri gratë më të mëdha të Islamit. Pa harruar se e para mbetet gjithnjë Maria. Kryetari i Akademisë Papnore Ndërkombëtare Mariane citon, më pas, traditën islamike, e cila dëshmon se figura e Marisë, në Islam, i afrohet shumë asaj të krishterimit.  “Sipas kësaj tradite, të gjithë fëmijët e sapolindur preken nga djalli: po kjo nuk i ndodhi Marisë, e as të Birit të saj, Jezus, sepse u ruajtën nga ky rrezik me bekimin e ekzorçizmit”. E kjo na tregon se edhe ata besojnë që “Maria nuk pati asnjë mëkat, as mëkatin e rrjedhshëm”. Për Islamin, Maria është figura e myslimanes së përkryer.

Ballafaqim, e jo vetëm me myslimanët

Atë Stefano Cecchin njofton se ky tip ballafaqimi do të organizohet edhe nga hinduistët e budistët. “Për shembull, marrëdhëniet që kemi me budistët janë shumë interesante. E një nga gjërat më interesante - shton - është se edhe ata flasin për dukje mariane”.

18 mars 2019, 15:46