Kërko

Të krishterët e Pakistanit solidarizohen me myslimanët e Zleandës së Re, pas sulmeve në dy xhami Të krishterët e Pakistanit solidarizohen me myslimanët e Zleandës së Re, pas sulmeve në dy xhami 

Pakistan: të krishterët kujtojnë martirët e dy kishave të Lahores

Kryeipeshkvi i Lahores në Pakistan, imzot Shaw, kremtoi meshën në kishën e Shën Gjonit, duke e ofruar për martirët e sulmeve vdekjeprurëse në mars 2015, në dy kishat e Youhanabad-it. Lutje, edhe për viktimat e atentateve brutale në dy xhamitë e Zelandës së Re.

R.SH. - Vatikan

“Çdo vit, kur dëgjoj dhe mendoj për sulmin e 15 marsit 2015, ndjej thellë dhimbjen e popullit tim në Lahore, kujtimet e frikshme më bëjnë të mendoj se në vendin tonë, nuk jemi të sigurt”: kështu shprehet për Agjencinë katolike të lajmeve Fides, kryeipeshkvi i Lahores, imzot Sebastian Francis Shaw, i cili kremtoi meshën në kishën e Shën Gjonit, duke e ofruar atë për martirët e sulmeve vdekjeprurëse në dy kishat e Youhanabad-it, zonë ku banojnë më se 100.000 të krishterë pakistanezë. Kryeipeshkvi u takua personalisht me të afërmit e viktimave dhe me të plagosurit e atëhershëm.

Lutje për martirët e Lahores

“U sulmuan njerëzit në lutje, kjo është shumë e dhimbshme dhe e patolerueshme - thekson ai. – Sot, kam ardhur sidomos për të ndenjur me vëllezërit dhe motrat e mia, që kanë humbur të dashurit. Jemi lutur së bashku për të gjithë martirët tanë dhe e kemi falënderuar Zotin që u shpëtoi jetën më se 1.500 vetëve”. Kryeipeshkvi i Lahores shpreh mirënjohjen e veçantë për guximin dhe frymën e shërbimit me të cilën "vullnetarët e sigurisë, të pranishëm në dyert e kishës, nuk i lejuan agresorët të hyjnë në të”. Të dy atentatorët hodhën veten në erë në dyert e kishës së Shën Gjonit dhe të kishës së Krishtit, duke shkaktuar 21 të vdekur dhe 80 të plagosur. Duke nderuar kujtimin e të rinjve të krishterë, që mbetën të vrarë, imzot Shaw thotë: “Të gjithë dëshmorët janë të bekuar; humbën jetën për të mbrojtur fenë dhe u flijuan për të shpëtuar popullin brenda kishës, duke i qëndruar besnikë përgjegjësisë për të mbrojtur njerëzit deri në frymën e fundit. Jam i sigurt se ata kanë fituar kurorën e jetës së amshuar”.

Lutja për viktimat e Zelandës së re

Kryeipeshkvi shpreh mirënjohje për forcat e rendit, veçanërisht për ushtrinë pakistaneze dhe i fton besimtarët të luten për ta dhe për familjet e tyre. Gjithashtu, kërkon lutje edhe për viktimat e sulmeve brutale në dy xhamitë e Zelandës së Re. “Jemi të pikëlluar nga vrasjet në xhami, sidomos pse ata njerëz ishin mbledhur për namaz, Zoti i pranoftë në mbretërinë e vet. Të lutemi edhe për ata, që vajtojnë të dashurit… është humbje e madhe. Hyji i ngushëlloftë dhe u dhashtë fuqinë për ta duruar këtë humbje”. Pastaj, imzot Shaw shton: “Mund t’ua kuptojmë dhimbjen, sepse shpesh, ne të krishterët e Pakistanit kemi kaluar nëpër të dhe ende vuajmë prej saj”.

Të mposhtet terrorizmi

“Lutemi për qeveritë e Pakistanit dhe të Zelandës së Re, që ta mposhtin terrorizmin dhe paqja të mbizotërojë në të gjithë botën. Lutemi që njerëzit në mbarë botën të jetojnë në paqe, gëzim dhe lumturi”, përfundon imzot Shaw për Agjencinë Fides.

18 mars 2019, 17:10