Kërko

Ati e biri Ati e biri 

Meditim kreshmor: “Ne, plangprishësit…”

Ta falësh, atë që të plagosi; ta duash, atë që të gjakosi; ta marrësh ngrykë, atë që të braktisi; ta presësh me krahë hapur, atë që iku pa të thënë lamtumirë! E kush e bën këtë? E kush mund ta bëjë, veç Zotit?

R. SH. - Vatikan

Shfletojmë Ungjillin e dielës së 4-të të kohës së Kreshmëve, në të cilin Luka ( 15,1-3.11-32) na propozon shëmbëlltyrën e djalit plëngprishës apo të atit të mëshirshëm, që na zbulon pikërisht dashurinë e pakufishme të zemrës së Zotit.

Ta falësh, atë që të plagosi; ta duash, atë që të gjakosi; ta marrësh ngrykë,  atë që të braktisi; ta presësh me krahë hapur, atë që iku pa të thënë lamtumirë! E kush e bën këtë? E kush mund ta bëjë, veç Zotit? Dhe njeriut, që merr mbi shpinë kryqin e vet e ecën pas Tij? Këtyre pyetjeve i jep përgjigje e Diela IV e Kreshmëve, që na sjell aromën e Pashkëve, forcën e zbritjes nga kryqi, ëmbëlsinë e krahëve të hapur të Zotit të ngjallur, jo më në pritje për t’u kryqëzuar, por në pritje për të na shtrënguar fort në krahë, ne, plangprishësit!

 Meditim:

Ku mund ta gjejmë, o Jezus

një Atë si ky

që e respekton lirinë

aq sa e përcjell me lot të birin

që niset në dhera të tjera

duke i hapur plagë?

I jep dhe pasurinë

që  s’e fitoi

prandaj s’ka të drejtë ta marrë?

E ku ta gjejmë, Jezus,

një Atë si ky,

që e pret kthimin e të birit

e portën ia hap në dy kapakë

kur i troket pa petka e pa para,

humbur në skuta turpi?

Bërë hi e pluhur,

në udhët e kotësisë?

Ku mund ta gjejmë, Zot,

një atë si ky që shtron gosti

për të birin

veç pse erdh rishtas në plang,

i gjallë në krahët e atit,

pas kobit që i shkaktoi?

E dimë, o Jezus, se veç Ati qiellor

e ka këtë dashuri

të pamasë, të padëgjuar, të papritur..

aq të papritur,

sa ta zemërojë keqas,

djalin e madh,

që iu drodh, s’iu gëzua zemra

nga kthimi i plangprishësit,

ngarkuar me nam të keq.

E pa të vëllain

e hoqi vorbën me mish nga zjarri,

për të mos e ngrënë me të!

E nuk e zuri turpi,

kur e pa të gjallë në krahët e atit,

por hovi nga zemërimi:

zemërim që nis nga zanafilla e racës,

që nga Kaini.

E sjellja e t’et iu duk

një padrejtësi e padurueshme.

Të falësh mëkatarin!

Plangprishësin ta presësh me gosti… !

Po kjo tjetër s’mund të jetë

veç padrejtësi.

Për botën po, kështu është për botën

por jo për Zotin!

Logjika e Zotit nuk bazohet

mbi faje e mëkate

pse s’është logjikë njerëzore.

Logjika e Atit ngrihet veç mbi dashurinë!

Tejet e madhe, kjo dashuri,

Prej saj shpërthen hareja

e kthimit rishtas

prej tharkut të thive,

në krahët e Atit!

30 mars 2019, 10:46