Kërko

Vangelo della III domenica Quaresima Vangelo della III domenica Quaresima 

Liturgjia e Fjalë së Zotit e Dielës së 3-të të kohës së Krezhmëve ‘C’

Zoti shqetësohet e interesohet për shëlbimin e shpirtit, jo për shpëtimin e shëndetit.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës. Kësaj herët meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 3-të të kohës kishtare të Kreshmëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës. 

Liturgjia e Fjalës së Dielës së III-të të Krezhmëve “C”

Tema e përbashkët e leximeve biblike të dielës së 3-të të Kreshmëve, është kthimi shpirtëror, që lind nga zemra dhe gjen shprehjen, mishërimin e pasqyrohen në sjelljet e jetës së përditshme. Misteri i Pashkëve, që kremton çdo liturgji, na nxit drejt konvertimit. Si në Dalje (Ekzod) ku Hyji i dëftohet Moisiut për ta liruar popullin e vetë nga Egjipti (Leximi I), kështu Jezusi dëftohet duke treguar domosdoshmërinë e konvertimit, shenjë e lirimit nga skllavëria e mëkatit.

E vërtetë, në Ungjillin e së dielës, Jezusi merr shkas nga dy fakte të kronikës për të folur për urgjencën e konvertimit tonë në udhën e Zotit. Fatkeqësitë që shohim përreth nesh nuk janë shenjë e ndëshkimit të Hyjit, sipas opinionit edhe të ditëve tona. Njerëzit e goditur nga vdekja apo nga fatkeqësia nuk janë mëkatarë më të mëdhenj se të tjerët, thotë Jezusi. Përkundrazi, çdonjëri bëhet shenjë e  brishtësisë së jetës për tjetrin, në saje të varfërisë së jetës që ka, nëse nuk jeton në dritën e fesë e në përkim me dashurinë e Zotit.

Edhe Pali (Leximi II), duke u shërbyer me ngjarjet e Daljes, i qorton Korintianët të mos ndjehen të sigurt vetëm për faktin se janë të krishterë. Për të shpëtuar a shëlbuar shpirtin, çdonjëri prej nesh duhet t’i përgjigjet thirrjes së Zotit e të bashkëpunojë me Të në realizimin e planit të shëlbimit. Jezusi, pastaj në Ungjill, shton shëmbëlltyrën e fikut të pafrytshëm, të cilit i jepet një mundësi të dytë: atij nuk i ngutet ta çrrënjosë pemën e pafrytshme. Edhe në pemën e pafrytshme, me konvertim, hiri i Zotit mund të prodhojë jetë të re në pranverë.

Pra, mesazhi i leximeve biblike të kësaj së diele është ky: Zoti do të na shpëtojë nga e keqja dhe nga vdekja, për këtë arsye edhe na thërret të konvetrohemi e të bashkëpunojmë me Të, për ta realizuar shpëtimin tonë, do të thotë çlirimin e përjetshëm nga i keqi, nga e keqja dhe nga vdekja e përjetshme.

                                                  Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Dal 3, 1-8.13-15
Moisiu është edukuar në shtëpinë e faraonit ku ka takuar idhujt egjiptianë. I larguar në shkretëtirë praktikon besimin e hyjit të nomadëve. Moisiu kërkon Hyjin e vërtetë, dhe Hyji i zbulohet Moisiut mbi malin Sinaj si “Ai që është” dhe i beson misionin të çlirojë Izraelin nga faraoni i Egjiptit. Moisiu zbulon se Hyji i vërtetë është “Hyji me ne” dhe se secili prej nesh është një bashkëpunëtor i Hyjit drejt çlirimit.

Leximi prej Librit të Daljes
Në ato ditë, Moisiu po i kulloste delet e vjehrrit të vet, Jetros, priftit të Madianit. Duke e kullotur grigjën në shkretëtirë, arriti në malin e Hyjit, Horeb. Një engjëll i Zotit iu duk në flakën e zjarrit në midis të një kaçube. Ai pa se kaçuba ishte e ndezur flakë, por nuk digjej. Moisiu mendoi: “Po afrohem të shoh këtë pse nuk digjet.” Kur Zoti e pa se po afrohet për të parë, Hyji e thirri prej kaçube dhe i tha: “Moisi, o Moisi!” Ai përgjigji: “Urdhëro!” 
Ai tha: “Mos u afro këtu! Hiqi sandalet prej këmbëve të tua, sepse vendi në të cilin qëndron është tokë e shenjtë!” Dhe shtoi: “Unë jam Hyji i atit tënd Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit.” Atëherë Moisiu e mbuloi fytyrën, sepse nuk kishte guxim të shikojë drejt Hyjit. Zoti i tha: “E pashë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe e dëgjova klithjen e tij për ndihmë për shkak të pashpirtësisë së mbikëqyrësve të tyre. Dhe duke e ditur vuajtjen e tij, zbrita për ta çliruar nga duart e egjiptianëve, ta nxjerr nga ai dhe ta çoj në një vend të mirë e të gjerë, në dheun ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, në dheun e Kanaaneut, Heteut, Amoreut, Perezeut, Heveut dhe të Jebuseut. Atëherë Moisiu i tha: “Kur të vij te bijtë e Izraelit t’u them: ‘Hyji i etërve tuaj më dërgoi te ju’. Po nëse më thonë: ‘Si e ka emrin?’; çka do t’u them?” Hyji i tha Moisiut: “UNË JAM AI QË JAM!” Dhe Hyji i tha përsëri Moisiut: “Kështu thuaju bijve të Izraelit: JAHVČ, AI QË ËSHTË, Hyji i etërve tuaj, Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, dhe Hyji i Jakobit më dërgoi te ju. Ky është emri im i përhershëm, me këtë emërtim do të kujtohem prej breznie në brezni. Fjala e Zotit.

Psalmi 103
Zoti ka mëshirë për popullin e vet

----------
Bekoje, shpirti im, Zotin,
dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.
Bekoje, shpirti im, Zotin,
e mos i harro bamirësitë e tija.
----------
Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,
Ai i shëron sëmundjet e tua;
Ai ta shpëton jetën prej varrit,
Ai të kurorëzon me mirësi e dashuri.
----------
Zoti bën veç vepra të mira,
u jep të drejtën atyre që pësojnë padrejtësi.
Synimet e veta ia zbuloi Moisiut,
bijve të Izraelit veprat e veta.
----------
Zoti është i mirë e i mëshirshëm,
i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur. Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë, aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që i druajnë.
----------

Leximi i dytë 1 Kor 10, 1-6.10-12
Besëlidhja e Vjetër përmban një histori, e cila që nga fillimi na çon drejt Jezusit dhe përgatit ardhjen e krishterimit. 
Përkujtimi i së shkuarës, siç ndodhi historia e hebrenjve në daljen nga Egjipti, i shërben besimtarit për të kuptuar si të veprojë dhe si t’i përgjigjet mirësisë së Hyjit. Mes së shkuarës dhe së tashmes ka një vazhdimësi të një plani të njëjtë.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, dua që patjetër ta dini: etërit tanë të gjithë qenë nën re, të gjithë kaluan nëpër det dhe të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim shpirtëror, dhe të gjithë pinë të njëjtën pije shpirtërore: pinin nga qeta shpirtërore që i përcillte: qeta ishte Krishti. Por shumica nuk i pëlqeu Hyjit, mbasi qenë vrarë në shkreti. Të gjitha këto ndodhën si shembull për ne, që ne të mos i lakmojmë së keqes, sikurse i lakmuan ata. 
Mos nynykatni si nynykatën disa prej tyre dhe ëngjëlli shfarues i vrau. Të gjitha këto u ndodhën atyre që të shërbejnë si shembull e u shkruan për mësimin tonë, për të cilët arriti mbarimi i kohës. Kush, pra, mendon se qëndron, të ruhet të mos rrëzohet! Fjala e Zotit.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Kthehuni, se Mbretëria e Hyjit është ngjat!
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli Lk 13, 1-9
Jo vetëm faktet e rëndësishme të jetës së shkuar, por edhe faktet e jetës së përditshme na bëjnë të reflektojmë dhe na ftojnë të kthehemi. Në shëmbëlltyrë, fiku edhe pse plot me gjethe, në realitet konsiderohet i kotë sepse nuk jep fryte. Por fikut i jepet koha para se të pritet. Në shëmbëlltyrë nënvizohet jo zemërimi i Hyjit, por mirësia e tij. Feja e Hyjit të vërtetë nuk është themeluar mbi frikën, por mbi dashurinë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, ia behën disa dhe i treguan çka u kishte ndodhur disa galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flive të tyre. 
Jezusi u përgjigji: “A mendoni se këta galileas, që sharruan kështu, qenë mëkatarë më të mëdhenj se të gjithë galileasit tjerë? Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata! A kujtoni se ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloesë dhe i mbyti, qenë më të mëdhenjtë mëkatarë ndër të gjithë banorët e Jerusalemit? Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata!” 
Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri e kishte një fik të mbjellë në vreshtin e vet. Shkoi, kërkoi fryte në të, por nuk gjeti. Atëherë i tha vreshtarit: ‘Ja, tash tri vjet po vij e po kërkoj frytin e këtij fiku e nuk po e gjej. Preje! Pse ta shfrytëzojë kot tokën?’ Ai i përgjigji: ‘Zotëri, lëre edhe këtë vit që ta mih përreth e t’i qes pleh. Ndoshta në të ardhmen do të japë fryte. Po qe se jo, atëherë do ta presësh’!” Fjala e Zotit.

22 mars 2019, 18:17