Kërko

Shndërrimi i Krishtit Shndërrimi i Krishtit 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të të kohës së Kreshmëve “C"

Shndërrimi i Krishtit na zbulon se Jezusi është Biri i Zotit, prandaj nuk është një ndryshim i Jezusit, por është zbulimi i hyjnisë së tij, depërtimi intim i të qenurit të tij me Hyjin, që bëhen dritë e pastër. Ungjilli pohon se Pjetri, Jaku e Gjoni, duke kundruar hyjninë e Zotërisë, përgatiten nga Jezusi për të përballuar shkandullin e Kryqit, në mënyrë që, duke parë Krishtin e kryqëzuar, të kuptojnë se mundimet e tij “qenë pranuar vullnetarisht” e t’ia “kumtojnë botës”.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së dytë të kohës së Kreshmëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të të Kreshmëve ‘C’

Liturgjia e Fjalёs sё Zotit e sё dielёs sё dytë tё Krezhmëve, na propozon etapa të rëndësishme të historisë së shëlbimit, me personazhet e saj protagonistë, si Abrahami i Leximit të parë , patriarku në të cilin e ka zanafillën Populli i Zotit. Figura e tij karakterizohet nga gatishmëria e plotë për të kryer vullnetin e Hyjit e nga bashkëpunimi me planin hyjnor të shëlbimit. Ai përfaqëson njerëzit, që kanë besim tek Zoti.

 Tregimi ungjillor i shndërrimit të Krishtit, nga njëra anë, na tregon cili është qëllimi i agjërimit, i kësaj praktike krezhmore, që në fund të fundit, na nxit ta ndryshojmë jetën e, nga ana tjetër, e vendos Jezusin në qendër të historisë së shëlbimit. “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjojeni!”, thotë Zoti. Por kjo pjesë ungjillore paralajmëron edhe misterin e lavdisë së vdekjes e të ngjalljes së Krishtit: “Mos i tregoni askujt çka patë, - u thotë dishepujve Jezusi - para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri”.

Prania e Moisiut dhe e Elisë, përfaqësues të Besëlidhjes së Vjetër, konfirmon se tani besimtarët duhet të dëgjojnë vetëm Jezusin. Duke u shndërruar, Krishti i përgatit dishepujt të shohin përtej shkandullit të kryqit, duke ua bërë të qartë se vetëm përmes mundimeve mund të arrijnë në triumfin e ngjalljes. Shën Pali Apostull, në Leximin e dytë, i fton të krishterët të vuajnë me të për Ungjillin, për të marrë plotësisht pjesë në shëlbimin e dhuruar nga Krishti

Pra, Shndërrimi i Jezusit para dishepujve, është dukje, që i paraprin Pashkëve. Kështu Jezusi merr me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e, duke u ngjitur mbi një mal të lartë, u tregon atyre lavdinë e Tij. Lavdi e Birit të Zotit. Prandaj, i  ndihmon dishepujt, e edhe ne, të kuptojmë se mundimet e Krishtit nuk janë mister vuajtjeje, por sidomos dhuratë e dashurisë së pafundme të  Jezusit.

Shndërrimi i Krishtit është ngjarje që lidhet ngushtë me lutjen: duke u lutur, Jezusi shkrihet në Hyjin, bëhet një me Të, bashkon vullnetin e tij njerëzor me vullnetin e dashurisë së Atit, e kështu pushtohet nga drita e duket ai që është në të vërtetë: “Ai është Hy, Dritë prej Drite”. Veshja e bardhë e flakëruese e Jezusit, na kujton rilindjen në pagëzim, parashijim i jetës qiellore. Kjo është pika vendimtare: shndërrimi është përshpejtim i ngjalljes, por kjo të kujton vdekjen. Jezusi u tregon Apostujve lumninë e tij, që të kenë forcë për ta përballuar shkandullin e Kryqit e të kuptojnë se duhet të durojnë shumë mundime për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit.

Ungjilli na kujton, edhe zërin e Atit, që jehon nga lart, duke shpallur se Jezusi është Biri i tij i dashur e duke shtuar: “Dëgjojeni!”. Kështu, në Shndërrimin e Krishtit duket një re e ndritshme: është errësirë e është edhe dritë: errësira e moskuptimit tonë e drita e brendshme e zemrës së hapur, për të dëgjuar zërin e Atit, që jehon nga lart, duke shpallur se Jezusi është Biri i tij i dashur e duke shtuar: “Dëgjojeni!”.

Ungjilli kërkon ta dëgjojmë e ta ndjekim Jezusin në udhën e Kryqit, për të hyrë, keshtu, në jetën e pasosur. Pra, duhet ta dëgjojmë Jezusin, duhet ta ndjekim në udhën e Kryqit, duke pasur në zemër, ashtu si ai, shpresën e ringjalljes.  Pa shndërrimin dhe fjalët e Zotit “Ky është Biri im, i dashuri”, ngjallja dhe misteri i Pashkëve të Jezusit nuk do të mund të kuptoheshin aq lehtë. Kështu dishepujt e dinë se Ai që mundohet, e pastaj  Lumnohet, nuk është vetëm njeri, por sidomos, Bir i Zotit.

Dishepujt janë të thirrur ta ndjekin Mësuesin Hyjnor me besim e shpresë, pavarësisht nga vdekja e Tij, sepse natyra hyjnore e Jezusit duhet të duket pikërisht mbi kryq, pikërisht duke vdekur në këtë mënyrë. Kështu, Shndërrimi Jezusit i ndihmoi dishepujt e na ndihmon edhe ne, të kuptojmë se mundimet e Krishtit nuk janë mister vuajtjeje, por sidomos dhuratë e dashurisë së pafundme të Jezusit. Shndërrimi i Jezusit na bën ta kuptojmë më mirë edhe ngjalljen e Tij.

                                                                   Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Zan 15, 5-12.17-18

Në këtë lexim përkujtohet një rit i vjetër i besëlidhjes në Lindjen e Mesme. Secila palë e besëlidhjes kalonte në mes të kafshëve të prera përgjysmë të gatshme për tu ofruar duke thënë: “Nëse unë do të prish këtë besëlidhje, më ndodhtë siç u ka ndodhur këtyre mëshqerrave”. 
Por këtu Hyji kalon përmes mëshqerrave të prera për të treguar që besëlidhja varet vetëm nga nisma e Hyjit, nga mëshira e tij, por pabesnikëria e bijve të Abrahamit nuk mund ta pengojë besnikërinë e Hyjit.

Lexim prej Librit të Zanafillës

Në ato ditë, Zoti e bëri Abrahamin të dalë jashtë dhe i tha: “Shikoje qiellin dhe numëroj yjet, po munde!” Dhe shtoi: “Të tillë do të jenë trashëgimtarët e tu.” Ky i besoi Zotit dhe iu çmua për drejtësi. I tha edhe: “Unë jam Zoti që të nxora nga Uri i Kaldesë për ta dhënë këtë tokë pronë.” Abrami i tha: “O Zot, Hyj, nga mund ta di se ajo do të jetë prona ime?” Zoti përgjigji: “Ma gjej një mështjerrë tri vjeçe dhe një dash tri vjeç, një turtull dhe një pëllumb.” 
Abrami i mori këto të gjitha dhe i preu për mjedis dhe secilën prej gjysmave e vendoi njërën kundruall tjetrës. Shpendët nuk i preu. Shpendët grabitqarë lëshoheshin mbi kufoma, por Abrami i dëbonte. Në të perënduar të dielli, Abramin e lodhi gjumi dhe, ja, e kaploi një tmerr i madh dhe e mbështoll një errësirë e dendur. 
Kur perëndoi dielli, u bë një terr i zi, u duk një tangar i ndezur dhe flakadani i përshkoi ato pjesë. Atë ditë Zoti lidhi këtë besëlidhje me Abramin: “Këtë tokë do t’ia jap farës sate prej lumit të Egjiptit deri në lumin e madh, Eufrat.”  Fjala e Zotit.

Psalmi 27


Zoti është drita ime dhe shëlbimi im.
--------
Zoti është mbrojtësi i jetës sime,
para kujt do të dridhem?
Le të çohet, në dashtë, 
edhe një ushtri e tërë kundër meje:
zemra nuk më trembet.
--------
Dëgjoje, o Zot, zërin e britmës sime,
ki mëshirë për mua dhe më dëgjo!
Për ty tha zemra ime: “Kërkojeni fytyrën time!”
“Fytyrën tënde, o Zot, do ta kërkoj.”
--------
Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje,
mos e dëbo me felgrim shërbëtorin tënd!
Ti je ndihmëtari im, mos më përbuz,
mos hiq dorë prej meje, 
Hyji i shpëtimit tim!
--------
Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit
në tokën e të gjallëve.
Shpeso në Zotin: bëhu burrë!
Ji zemërfortë e prite Zotin!
--------

Leximi i dytë Fil 3, 17 – 4, 1
Ne besojmë në ringjalljen e Krishtit dhe që Ai do të na ringjallë në ditën e fundit për të na komunikuar jetën e tij dhe për të ripërtërirë të gjithë universin. Ky besim në ringjalljen e trupit tonë të mjerë dhe në amshimin e tokës sonë të shndërruar na shtyn të duam botën në të cilën jetojmë dhe të jemi të lirë përballë botës.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Më përngjani mua, o vëllezër, dhe vëreni ata që jetojnë simbas shembullit që keni në ne. Sepse, sikurse ju kam thënë shpesh herë e tani po jua them me lot për faqe, shumë jetojnë si armiq të kryqit të Krishtit! Mbarimi i jetës së tyre është dënimi, hyji i tyre është barku dhe lavdia e tyre në trup – ata mendojnë vetëm gjërat tokësore. Kurse Atdheu ynë është qielli, nga presim se vjen si Shëlbues Jezu Krishti Zot. Ai do ta shndërrojë trupin tonë të mjerë në një trup të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm në saje të pushtetit që ka të nënshtrojë nën sundimin e vet gjithçka. Prandaj, vëllezërit e mi të dashur që aq fort ju kam për zemër, gëzimi dhe kurora ime, kështu pra, qëndroni të fortë në Zotin.
Fjala e Zotit.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Prej resë që shkëlqente u dëgjua një zë:
“Ky është Biri im. Atë dëgjoni!”
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli Lk 9, 28-36
Lutjen: “Na e shfaq fytyrën tënde, o Zot”, asnjë hebre nuk ka provuar ta thotë ndonjëherë nga frika se mos vdes. Moisiu dhe Elia, tregon Bibla, kanë parë Hyjin vetëm nga prapa. 
Kërkesa e tyre për të parë Hyjin është aktuale akoma sot edhe për ne. Edhe apostujt në momentin kur shohin fytyrën e Hyjit, zbulojnë se Hyji i kërkuar nga ata është një njeri që është duke vdekur.  Fytyra e vërtetë e Hyjit zbulohet në vdekjen e Birit të tij. Është një zbulim i hidhur për hebrenjtë dhe për secilin prej dishepujve të tij.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi mori me vete Pjetrin, Gjonin dhe Jakobin e u ngjit në mal për t’u lutur. Ndërsa po lutej, fytyra iu shndërrua e petkat iu bënë të bardha e të shndritshme si vetëtima. Kur qe, dy njerëz po bisedonin me të! Ishin Moisiu dhe Elia. Ata u dukën të rrethuar me lavdi e bisedonin me të për kalimin e tij nga kjo jetë që do ta bënte së shpejti në Jerusalem. 
Pjetrin dhe shokët e tij i kishte lodhur gjumi, por qëndruan zgjuar dhe e panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që po qëndronin me të. Dhe, ndërsa ata po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit: “Mësues, është mirë për ne të qëndrojmë këtu. Po i bëjmë tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë!” Nuk dinte ç’thoshte. Ndërsa ky ende po fliste, ra një re dhe i mbuloi me hijen e vet. Kur hynë nën re, nxënësit i kapi frika. 
Prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im – i Zgjedhuri! Atë dëgjoni!” Ndërsa ky zë po jehonte, Jezusi mbeti vetëm. Nxënësit heshtën dhe ndër ato ditë s’i treguan askujt çka kishin parë.  Fjala e Zotit.

Meditim me Ungjillin e së dielës:

Ti na ke ftuar të gjithëve, o Zot,

në Malin e shndërrimit.

Atje ne pamë lumninë tënde,

dëgjuam zërin tënd.

Në atë majë na duk se feja

ishte e lehtë, e natyrshme,

pa ankthe e pa kryqe.

Ndihmona të zbresim nga mali,

e hap pas hapi ta ndjekim Jezusin

udhë të tjera pa kërkuar,

udhë të shkurtra, pa mundim:

me bindjen se agu i Pashkëve,

kalon nëpër udhën 

e së Premtes së Madhe! 

15 mars 2019, 13:34