Kërko

 Papa Françesku: shtegtimi në Marok Rabat,  30 -31 mars - logoja arabe Papa Françesku: shtegtimi në Marok Rabat, 30 -31 mars - logoja arabe 

Kryeipeshkvi i Tangerit: emigrantët e Marokut, në pritje të Papës

Kryeipeshkvi i Tangerit, imzot Santiago Angrelo Martinez, për shtegtimin e Papës: “Shpresohet të jetë shtegtim, që mund t’i ndezë reflektorët mbi vuajtjet e pësuara, ndjekur nga indiferenca e plotë e botës. Fjala e Papës për ne është e nevojshme, madje, urgjente”.

R. SH. - Vatikan

Kryeipeshkvi i dioqezës së Tangerit, që përfshin gjithë veriun e Marokut dhe numëron tre mijë të pagëzuar, në gjirin e një popullsie prej 4 milion banorësh, ka në zemër këtë dëshirë: që vizita e Papës në vend, parashikuar për 30 e 31 marsin e ardhshëm, të mund t’i ndezë reflektorët edhe mbi gjendjen dramatike të mijëra njerëzve, që kalojnë nëpër Marok, por edhe nëpër kombet fqinje, në përpjekjen për të arritur në Evropë, ku shpresojnë të gjejnë një jetë më të mirë.

Emigrantët  e presin Papën me shpresë e gëzim

Çka kam më për zemër - pohon me pikëllim imzot Santiago Angrelo Martinez - janë këta burra e këto gra pa asnjë shpresë për të ardhmen; për ta, të gjitha rrugët janë të mbyllura. Shpresoj se Ati i Shenjtë, kur të jetë këtu, do të flasë për gjithë këtë mjerim. Prej këndej, emigrantët e presin  me padurim, ndonëse jo krejt pa ankth, vizitën e Papës Françesku: çdo javë - shton i prekur në shpirt prelati - detyrohemi të numërojmë të vdekurit, të ndjekur nga indiferenca e përgjithshme e politikës dhe e botës. “Fjala e Papës ka jehonë në mbarë botën. E emigrantët e dinë mirë këtë. Ndonëse nuk do të mund ta takojnë, sepse u mungojnë dokumentet e duhura. E megjithatë, janë të sigurt se Ati i Shenjtë do ta gjejë mënyrën për të qenë pranë tyre!”.

Të krishterë e myslimanë, së bashku, për paqen

Tema e marrëdhënieve ndërmjet të krishterëve e myslimanëve do të jetë, sigurisht, në qendër të vëmendjes të shtegtimit papnor. Në Tangeri përvoja është pozitive, përtej tolerancës dhe respektit të thjeshtë. Imzot Martinez është dëshmitar i drejtpërdrejtë i këtyre marrëdhënieve: “Tek ne ka dhumë mirëkuptim e bashkëpunim. Ndërsa në botë është krijuar një farë mosbesimi reciprok, që duhet flakur tutje, me krijimin e kushteve paqësore. Duhet të ecim së bashku. E Kisha e Marokut është shembull pozitiv në këtë kuptim”.

Maroku, vend tolerant për pakicat

Papa Françesku do të gjejë një vend tolerant me pakicat e mikpritës me Kishën - shpjegon në përfundim kryeipeshkvi i Tangerit: “Maroku është edhe komb me zhvillim të vrullshëm ekonomik. Këto vite është zhvilluar shumë, por ky zhvillim nuk mjafton për t’i ndaluar këtu emigrantët, që ëndërrojnë një jetë më dinjitoze”.

 

22 mars 2019, 12:14