Cerca

Vatican News
Imzot Dodë Gjergji në Vaun e Dejës Imzot Dodë Gjergji në Vaun e Dejës 

Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, viziton dioqezën e Sapës

Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, vizitoi dioqezën e Sapës, të cilën e pati udhëhequr për gjashtë vjet me radhë. Në kuadrin e meditimeve dhe të përgatitjes për Kreshmë, i ftuar nga ipeshkvi aktual, imzot Simon Kulli dhe nga kleri vendas, ai mbajti dje, në katedralen e Shën Nënë Terezës, në Vaun e Dejës, ligjëratën me temë “Kreshma – Njohja dhe rimarrja e traditës”.

R.SH. - Vatikan

Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, vizitoi dioqezën e Sapës, të cilën e pati udhëhequr për gjashtë vjet me radhë. Në kuadrin e meditimeve dhe të përgatitjes për Kreshmë, i ftuar nga ipeshkvi aktual, imzot Simon Kulli dhe nga kleri vendas, ai mbajti dje, në katedralen e Shën Nënë Terezës, në Vaun e Dejës, ligjëratën me temë “Kreshma – Njohja dhe rimarrja e traditës”. Në praninë e shumë besimtarëve, imzot Doda foli mbi rëndësinë e Kreshmës dhe mbi mënyrën me të cilën besimtarët katolikë e përjetojnë këtë kohë pendese. Më hollësisht, informacioni i bashkëpunëtores sonë, Violeta Marashi, me telefon nga Vau i Dejës...

Informacioni i bashkëpunëtores sonë, Violeta Marashi, me telefon nga Vau i Dejës..

Duke qenë se Kreshma është një kohë e volitshme me Zotin, bashkësia famullitare e Shën Kollit në Vau Dejës, ka dashur që të përgatitë besimtarët për Pashkën e Krishtit, duke jetuar kohën e kreshmeve përmes pjesëmarrjes në takimet e organizuara çdo pasdite të së dielave të kohës së Kreshmeve, ku janë të ftuar ipeshkvinj shqiptarë për të folur mbi tema të ndryshme rreth Kreshmes, që na bëjnë të hyjmë më thellësisht në brendësinë e kësaj kohe; është periudha më në shenjë e kohës liturgjike e cila na fton të jetojmë kohë pendese, agjërimi, lutje intensive dhe veprave të mira të dashurisë dhe bamirësisë.

E në kuadër të kohës së Kreshmeve, pas dy takimeve të dy të dielave paraardhëse, me ftesë të ipeshkvit, imzot Simon Kullit dhe të famullitarit të Katedrales Shën Tereza e Kalkutës, dom Mark Shtjefni, pasditen e të dieles së 24 marsit 2019, ipeshkvi i Kosovës imzot Dodë Gjergji, vizitoi Dioqezën e Sapës, ish dioqezën e tij që e udhëhoqi për gjashtë vite, ku dhe mbajti ligjëratën e rastit me temë “Kreshma – Njohja dhe rimarrja e traditës”. Në këtë takim të mbajtur në Katedralen Shën Tereza e Kalkutës, në Vau Dejës, në prani të shumë besimtarëve, imzot Doda foli mbi rëndësinë e Kreshmes, mbi traditën se si është përqafuar dhe jetuar nga besimtarët katolik koha e pendesës, koha e kthimit.

Pëveç kësaj, ipeshkvi i Kosovës bëri një vizitë edhe në Shtëpinë e Bamirësisë, ku kremtoi edhe Meshën Shenjte së bashku me ipeshkvin e Sapës. Ai përgëzoi banorët e kësaj shtëpie, të cilët kanë gjetur një strehë të ngrohtë dashurie ku dikush kujdeset për to, dikush jeton me to dhe iu shërbejnë personave me nevoja të veçanta. Është fat tha ai që në Dioqezën e lashtë të Sapës të jetë kjo palestër dashurie, kjo bamirësi që iu kushtohet këtyre personave, e në të njëjtën kohë është frymëzim edhe për të gjithë ne që të dimë të jemi në çdo moment falenderues për veprat e Zotit.

Violeta Marashi

25 mars 2019, 16:10