Kërko

2019.02.25 Mons George Frendo arcivescovo di Tirana Albania 2019.02.25 Mons George Frendo arcivescovo di Tirana Albania 

Imzot Frendo: Në Kreshmë të ecim udhës së Zotit, të lutemi për Shqipërinë, vendin tonë

Imzot Frendo: të lutemi gjithashtu për Shqipërinë, vendin tonë. Të lutemi që të gjithë politikanët tanë, të angazhohen për një zgjidhje të drejtë në këtë situatë tejet kritike. Jemi një popull që e duam atdheun. Gjatë historisë sonë nuk na kanë ndarë besimet, i krishterë a mysliman; nuk na ka ndarë gjuha, toske apo gege. Mos të lejojmë të na ndajë politika. Le të angazhohemi për një politikë dhe një shtet më të pastër, më të drejtë dhe më vëllazëror.

R.SH. - Vatikan

Kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit e Kryetari i Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, Imzot George Frendo, në meditimin e tij kushtuar së Mërkurës së Përhime, ditës kur Kisha katolike nis përgatitjen shpirtèrore e liturgjike për kremtimin e Pashkëve të Jezu Krishtit, i ftoi besimtarët që: “..në kohën e Kreshmëve, është një kohë e veçantë, që na fton të shohim vetveten si në pasqyrë për t’i parë njollat që na shëmtojnë. T’i  pranojmë fjalët e Jezusit, i cili na nxit që gjatë kësaj kohe të kreshmëve të agjërojmë si shenjë pendese, të lutemi, të tregohemi më bujarë ndaj personave në nevojë.

Të lutemi gjithashtu për Shqipërinë, vendin tonë. Të lutemi që të gjithë politikanët tanë, pavarësisht nga ngjyra e tyre politike, të angazhohen për një zgjidhje të drejtë në këtë situatë tejet kritike. Jemi një popull që e duam atdheun. Gjatë historisë sonë nuk na kanë ndarë besimet, i krishterë a mysliman; nuk na ka ndarë gjuha, toske apo gege. Mos të lejojmë të na ndajë politika”.

Në vazhdim meditimi i imzot George Frendo kushtuar së Mërkurës së Përhime dhe kohës liturgjike të Kreshmëve – me këshillat për një përgatitje sa më të mirë shpirtërore e njerëzore për Pashkët.

                                                      MËRKURA E PËRHIME (2019)

Nuk më pëlqen të flas për veset dhe për mëkatet. Më pëlqen më shumë të flas për virtytet, siç janë dashuria, bujaria, përvujtëria, çiltërsia. Megjithatë nganjëherë e ndiej të nevojshme të flas për mëkatet.

Së pari, sepse sot njeriu ka humbur ndjenjën e mëkatit. Kultura e sotme ka krijuar një njeri që mendon se është i vetë-mjaftueshëm, s’ka nevojë që dikush t’i tregojë normat e sjelljes së tij. Në librin e parë të Biblës lexojmë se pikërisht ky ishte mëkati origjinal: në formë simbolike, shkrimtari thotë se njeriu ka ngrënë nga “pema e së dijes të së mirës dhe të së keqes”, domethënë ka dashur të jetë ai vet që do të vendoste çka është e mirë ose e keqe. Dhe ky mëkat përsëritet sot. Mendojmë se jemi mjaft të pjekur sa që mund të shohim vetë çka është e mirë apo e keqe, nuk jemi fëmijë, s’kemi nevojë që Kisha të na tregojë si duhet të sillemi. Për të njëjtën arsye as e ndiejmë të nevojshme të afrojmë sakramentin e rrëfimit.

Por përveç kësaj, besoj se veçanërisht sot duhet të flas pak për mëkatin. Sot kemi filluar kohën e Kreshmëve. Është një kohë e veçantë, që na fton të shohim vetveten si në pasqyrë për t’i parë njollat që na shëmtojnë. Sapo kemi dëgjuar Ungjillin, dhe në fjalimin e tij Jezusi tri herë ka përdorur fjalën “shtiracak”, hipokrit: “mos bëni si shtiracakët”, na tha Jezusi. Jezusi kërkon sinqeritet. Koha e Kreshmëve është ftesë për sinqeritet. Të mendosh se je i mirë, pa mëkat, tregon se nuk je i sinqertë. Je shtiracak. Ndoshta këto fjalë nuk të interesojnë, ndoshta mendon se nuk je hipokrit. Por le të jemi më konkretë.

Je hipokrit kur mendon se ti e do Zotin ndërsa nuk tregon dashuri ndaj të afërmit tënd. Je hipokrit kur thua se je katolik ndërsa nuk e takon Krishtin në meshë ditën e diel. Je hipokrit kur lutesh: “Na i fal mëkatet tona si i falim ne fajtorët tanë”, ndërsa nuk je i gatshëm t’i falësh fajtorët e tu. Je hipokrit kur mendon se ke dashuri për të afërmit e tu ndërsa merresh shumë me thashethemet ose, më keq, me shpifje. Je hipokrit kur thua: “Besoj në një Hyj të vetëm”, ndërsa në fakt ke krijuar zotat e tjerë për jetën tënde: mund të jetë paraja, seksi, ose droga. Je hipokrit kur mendon se je i drejtë ndërsa je person i korruptuar, kur nuk i jep punëtorëve të tu rrogën e duhur, kur abuzon nga të dobëtit. Je hipokrit kur mendon se kryen detyrat e tua në familje ndërsa në shumë mënyra nuk tregon respektin e duhur ndaj gruas sate, të barabartë me ty në dinjitet. Dhe je hipokrit kur mendon se kujdesesh për fëmijët ndërsa ti, baba apo nënë, nuk interesohesh për jetën e krishterë të tyre, për katekizmin dhe sakramentet. Lista mund të zgjasë pa fund, por më mirë të ndaloj me kaq.

Le të pranojmë fjalën e Jezusit, i cili sot na nxit që gjatë kësaj kohe të kreshmëve të agjërojmë si shenjë pendese, të lutemi më shumë, të tregohemi më bujarë ndaj personave në nevojë. Por një gjë s’duhet të harrojmë: të gjitha këto vepra kanë një qëllim të vetëm, që është ndryshimi i zemrës. Keni dëgjuar çfarë tha profeti Joel në Leximin e Parë: “Shqyeni zemrat, dhe jo petkat”. Sepse është e mundshme që njëri të agjërojë, të lutet, edhe të japë lëmoshë, por nuk pranon të kontrollojë urrejtjen ose xhelozinë e tij ose vendimin e tij për t’u hakmarrë. Me sinqeritet le t’i lutemi Zotit me ato fjalë që kemi dëgjuar në Psalmin: “Krijo në mua, o Hyj, një zemër të pastër”, një zemër të re që më lejon t’i shohë të tjerët jo me sytë e djeshëm, por me sy të rinj, t’u buzëqeshim të tjerëve me sytë e Zotit, sytë e të cilit janë gjithmonë sy të pastër, pa asnjë paragjykim.

Prandaj le të marrim seriozisht edhe fjalët e Shën Palit në Leximin e Dytë: me shumë mallëngjim: “Ju përbëjmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin”. Gjatë kësaj kohe edhe unë, si Shën Pali, ju them solemnisht: “Jemi përfaqësuesit e Krishtit! Hyji ju qorton përmes nesh! Ju përbëjmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin”. Por, që të mos jemi hipokritë, mos të harrojmë se s’ka pajtim me Hyjin pa u pajtuar edhe me të tjerët. Pajtohu me vëllain tënd ose me motrën tënde, me të cilët je në grindje. Kështu do të jesh i denjë të ngjallesh me Krishtin, kur, pas gjashtë javësh, do të kremtojmë ngjalljen dhe fitoren e tij mbi mëkatin.

Dhe gjatë kësaj kohe le të lutemi gjithashtu për Shqipërinë, vendin tonë. Të lutemi që të gjithë politikanët tanë, pavarësisht nga ngjyra e tyre politike, të angazhohen për një zgjidhje të drejtë në këtë situatë tejet kritike. Jemi një popull që e duam atdheun. Gjatë historisë sonë nuk na kanë ndarë besimet, i krishterë a mysliman; nuk na ka ndarë gjuha, toske apo gege. Mos të lejojmë të na ndajë politika. Le të angazhohemi për një politikë dhe një shtet më të pastër, më të drejtë dhe më vëllazëror, por ky angazhim le të bëhet në mënyrë paqësore, pa dhënë përshtypje se vendi ynë është nje Siri tjerër, që nuk është aspak e vërtetë.

“Kjo është koha e volitshme, kjo është dita e shpëtimit”, na tha sot Shën Pali. Le të ëndërrojmë një Shqipëri më të denjë për Shqiptarët. Dhe, si të krishterë, të shpallim Krishtin sepse, në fjalët e Shën Palit, “Krishti është paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një popull të vetëm dhe që, me vdekjen e tij, shembi murin që i ndante dhe që i bënte armiq”. Kjo është lutja ime, dhe le të jetë gjithashtu lutja e të gjithë juve.

11 mars 2019, 14:43