Jezusi na fton për fryte të begata
R. SH. - Vatikan
Shfletojmë Ungjillin e sotëm. Në faqen e ditës, Jezusi niset nga dy fakte të kronikës së kohës, që të na bëjë të gjithëve thirrje për kthesë. Sa s’është vonë! Pret prej nesh fryte jete të re. E na tregon shembëlltyrën e fikut, që nuk bëri kurrë kokrra. E që, prandaj, duhet të pritet! Do të pritet, apo në këtë stinë të re do të mbushet me fryte? Ungjilli na kujton se i zoti i fikut nuk e preu pemën, duke shpresuar në stinën e fryteve të begata…Në kohën që i paraprin Pashkëve të ngjalljes!
Lutje:
Mjafton të hapësh
një faqe gazete, Jezus,
që të gjesh një mësues
gati për të të shpjeguar
çka ndodh në botë.
Shpjegon gjithçka
me siguri e krejt pa farë dyshimi.
Sepse në këtë botë
o Zot, s’mungojnë kurrë
profetët e rrejshëm,
e ta venë fajin Ty,
për të gjitha të zezat,
e shohin veç ndeshkime
që Ti na i çon mbi kokë!
E Ti i dëgjon,
sepse e ngrenë zërin
deri në qiellin tënd.
Ti i dëgjon,
por nuk na kujton tmerre,
që njerëzit i kanë në shpirt…
Na fton të prodhojmë fryte të begata,
të jetojmë një jetë të bukur,
sipas Ungjillit tënd.
Një jetë pa frikë e pa ankthe,
nën dritën e shpresës sate!
Ti s’do që drejtësia
të jetë bijë e hakmarrjes,
sepse e krijove
si bijë të dashur të mëshirës.
Mësona, prandaj, të lutemi
që të mos e tradhtojmë kurrë
mirësinë e Atit
besimin e Birit
e hirin e Shpirtit!