Cerca

Vatican News
Mbledhja e Comeces Mbledhja e Comeces 

Comece: një Evropë e re është e mundur vetëm me pjesëmarrjen e qytetarëve

U mblodh në Bruksel, në asamblenë e tij përgjithshme, Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, për të thënë fjalën e vet para zgjedhjeve evropiane të majit. Objektivi është krijimi i “një narrative të re” shprese.

R.SH. - Vatikan

Dialogu, si mjet kryesor për përballimin e sfidave, të pasigurive dhe të shndërrimeve të Bashkimit Evropian, si edhe rizbulimi i identitetit të përbashkët evropian që të mbrohen më mirë njerëzit, familja dhe kultura. Këto janë dy objektiva, mbi të cilat u përqendruan ipeshkvijtë e Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (Comece), mbledhur në Bruksel për tri ditë me radhë, në asamblenë e tyre të përgjithshme, e cila përfundoi sot.

Ftesa e ipeshkvijve për të votuar

         Këtë vit, ky takim bëhet vetëm pak muaj para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe para ndryshimit të krerëve të Komisionit Evropian. Që muajin e kaluar, përmes një note, ipeshkvijtë i ftuan qytetarët të shkojnë për të votuar. “Është e rëndësishme të votohet, sepse Evropa jeton nga pjesëmarrja demokratike e njerëzve dhe zgjedhjet përfaqësojnë një çast, në të cilin qytetarët mund të shprehen e të japin kontributin e tyre”, thekson, në mikrofonin e Vatican News, zv.kryetari i Comeces, imzot Mariano Crociata, ipeshkëv i Latinës, pranë Romës. Gjest i nevojshëm, shpjegon ai, “sepse Bashkimi Evropian po kalon kohë të vështira, si nga pikpamja institucionale, për shkak të Brexit (shkëputjes së Britanisë së Madhe nga organizmat e Brukselit), ashtu edhe nga ajo kulturore e politike, për shkak të kësaj vale pak konfuze, që tregon se po harrohet ç’është Evropa në vetvete e sa e nevojshme është për çdo vend”.

Një “narrativë e re shprese”

         Vetëm me pjesëmarrjen e qytetarëve është e mundur të realizohet një “narrativë e re shprese”, e nevojshme për të përtërirë perceptimin e Bashkimit Evropian. Në këtë rast, fjala “narrativë” përdoret me kuptimin e gjithçkaje shkruhet e thuhet në një shoqëri, në forumin e saj publik, për një argument të caktuar. “Deri tani – pohon zv.kryetari i Comeces – Bashkimi Evropian duket si një realitet i largët dhe krejtësisht burokratik, që ecën në udhën e vet, e cila sikur nuk përkon me jetën e popujve dhe me problemet e njerëzve e të bashkësive njerëzore”. Natyrisht, për këtë perceptim ekzistojnë motive dhe shkaqe të vërteta, por ato nuk përfaqësojnë gjithçka bën Bashkimi Evropian. “Një narrativë e re shprese – vijon imzot Crociata – do të thotë të aftësohemi për ta kthyer Bashkimin Evropian në udhërrëfyes të vërtetë të rrugës së popujve e të kombeve drejt së ardhmes, duke kapërcyer problemet dhe vështirësitë e duke e bërë me të vërtetë këtë organizëm qendror qeverisjeje, udhëheqjeje e përfaqësimi, një institucion më të afërt, më shprehës e më të frytshëm në interpretimin e problemeve dhe të kërkesave të popujve, në punën për zhvillim, në mënyrën e vështrimit mbi të ardhmen, duke u nisur nga më të brishtët, më të dobtit, jo vetëm nga pikpamja ekonomike, por edhe nga ajo kulturore e shoqërore”.  

Marrëdhëniet ndërmjet Kishës dhe Bashkimit Evropian

         Roli i Kishës - sanskionuar në nenin 17 të Traktatit të Lisbonës, që i fton institucionet evropiane të kenë një dialog të hapur, transparent e të rregullt me kishat dhe me organizatat fetare – është të kontribuojë në këto zhvillime, duke shfrytëzuar praninë e saj mijëvjeçare në Evropë. “Mund të thuhet, pa përulur e fyer askënd, se pa krishterim nuk ka Evropë”, pohon imzot Crociata. “Kisha e ndien këtë përgjegjësi ndaj kësaj bashkësie popujsh, që ka nevojë për të ardhme, për kohezion, për bashkim e për të ecur përpara. Përgjegjësi, që nuk është vetëm fetare, por edhe kulturore e shoqërore, përveçse morale”. E ky rol i njihet dhe i kërkohet edhe nga institucionet evropiane.

Njeriu në qendër

“Pika jonë e referimit është doktrina shoqërore e Kishës”, vazhdon ipeshkvi, duke folur për çështjet, që u trajtuan gjatë tri ditëve të kuvendit, “boshti i të cilit ishte njeriu, i pandarë nga bashkësia ku bën pjesë. Është e qartë se Evropa duhet të bëjë hapa të tjera përpara në këtë drejtim, sidomos tani, në fazën e riorganizimit të madh shoqëror dhe kulturor, sjellë nga fenomeni i emigracionit”.

Ekonomia dhe familja

Ndër argumentet e shqyrtuara, edhe ato të lidhura me krizën ekonomike, me “kërkesat shoqërore për barazi dhe për luftë kundër papunësisë”. Më pas, problemi i dixhitalizimit, i inteligjencës artificiale, e cila, pa dyshim, ndikon dhe do të ndikojë më shumë në fushën e punësimit dhe të jetës shoqërore. Qendror, edhe roli i familjes, që natyrisht, ka të bëjë me krizën ekonomike, me marrëdhëniet shoqërore dhe me problemet e punës. Duhet të mbrojmë me këmbëngulje vlerat bazë evropiane, nënvizon imzot Crociata, thelbësore “për përparimin e vetë Evropës, e duhet të kemi parasysh solidaritetin e susidiaritetin, pra, aftësinë për t’u organizuar në mënyrë që ta ndihmojmë njëri-tjetrin, pa lënë mënjanë përgjegjësinë e secilit për të dhënë kontributin e vet, sipas mundësive”.

15 mars 2019, 13:32