Kërko

Bibla Bibla 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Urtisë (pjesa e dytë)

Javës së kaluar filluam t’ju flasim për Librin e Urtisë, kronologjikisht, i fundit i Besëlidhjes së Vjetër. E përfunduam pjesën e parë, duke njoftuar se kësaj radhe do të ndalemi tek lutja, që i atribuohet Salomonit e tek reflektimi teologjik i Librit. E bëjmë këtë duke u bazuar, si gjithnjë, në vëllimin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. - Vatikan

Salomoni duhet të ketë qenë kaq i ditur e i urtë, sa as idhujtaria e tij nuk ia cënoi famën, që ka arritur deri në ditët tona. Pikërisht për këtë arsye, autori i Librit të Urtisë, ia atribuon atij lutjen, ku përshkrimi i dhuratës së urtisë është kaq apasionues, sa të ketë tone gati sensuale:

“Këtë e desha dhe e kërkova që prej rinisë sime, bëra çmosin për ta marrë bashkëshorte dhe u dashurova me bukurinë e saj… Prandaj u luta e m’u dhurua mençuria, u përgjërova e më erdhi shpirti i urtisë. E çmova atë më shumë se mbretëritë e selitë, për asgjë e mbajta pasurinë në krahasim me të. Gurin e paçmueshëm as që e krahasova me të, sepse i gjithë ari, në krahasim me të, është si pak rërë e, argjendi, përkrah saj, vlerësohet si baltë. E desha më tepër se shëndetin e bukurinë dhe e parapëlqeva më fort se dritën, sepse shkëlqimi i saj nuk di të shuhet kurrë…Sepse ajo është për njerëzit thesar i pashterrshëm; kush e fiton, fiton miqësinë e Hyjit” (Ur 8,2; 7,7-10.14)

Miqësia e Zotit

Ja një perlë urtie, në të cilën shndrit kjo shprehje e fundit, që haset kaq pak në Shkrimin Shenjt: “miqësia e Hyjit”. Deri në këtë çast, vetëm Moisiu, konsideruar “mik i Zotit”, ishte veshur me një nder të tillë, ndërsa në këtë pjesë, kjo miqësi është dhuratë për çdo njeri, zemra e të cilit nuk pushtohet nga pushteti e pasuritë.

E për ta përshkruar këtë dhuratë, autori derdh një lumë fjalësh të dashuruara me shpirtin hyjnor, që i vjen në ndihmë shpirtit të brishtë njerëzor e, duke e shndritur, e bën të urtë e të dijshëm:

“Në të është shpirti inteligjent, i shenjtë, unik, i shumëfishtë, i hollë, i shkathët, përshkues, i patëmetë, i ndritshëm, i pafajshëm, dashamirës, i mprehtë, i papengueshëm, bamirës, njerëzor, njeridashës, i qëndrueshëm, i vërtetë, i sigurt, që i ka të gjitha virtytet, që përshkon gjithçka, depërtues i të gjithë shpirtrave, të dijshëm, të pastër, tejet të hollë” (Ur 7,22-23).

Kundrimi i Urtisë hyjnore

Natyrisht, këtu teologjia ka ç’të meditojë, por i urti mund të kundrojë vetëm jetën e shpirtit në peshën e padurueshme të ekzistencës! E kur meditojmë mbi Daljen, pra mbi eksodin e hebrenjve, vërejmë se para mrekullive, riteve e ligjeve, është e rëndësishme të kundrojmë ç’ka brenda enës, që mbështillet me to: Urtinë.

Për herë të parë, historia e Izraelit afirmohet jo për arsye politike e as për të kremtuar fuqinë hyjnore apo mëshirën e saj. Këtu, gjithçka kundrohet për të arritur në kundrimin e Urtisë hyjnore. Ky është horizonti përfundimtar i udhëtimit të Izraelit, që nis nga historia e tij, e kujton dhe e kremton atë, e prej këndej, mëson të kundrojë Zotin, të marrë parasysh misterin e Tij e të gëzojë bukurinë e këtij misteri. Ja një shembull kundrimi, që e dëshmon këtë maturi:

“Pasi fuqinë tënde të madhe e ke gjithmonë në shërbim, fuqisë së krahut Tënd kush mund t’i bëjë ballë?... Ti do gjithçka është dhe s’urren asgjë që ke krijuar: sepse po ta kishe urryer ndonjë send, nuk do ta kishe krijuar… Por ti i kursen të gjitha, sepse janë të tuat, o Zot jetëdashës, sepse shpirti yt i paprishshëm ndodhet në gjithçka. Për këtë arsye, pak nga pak i ndëshkon mëkatarët, i ndëshkon dhe i qorton për mëkatet e tyre, që ta lënë paudhësinë e të besojnë në Ty, o Zot” (Ur 11,21.24.26).

Për herë të parë, Izraeli e ngul vështrimin mbi misterin e Zotit dhe e kundron atë, harron makthet e veta dhe ia beson vetveten artit të Urtisë, që i lejon të shohë Zotin, jo më veç si të Shenjtë (pra, të ndarë), por si Shpirt, që përshkon të gjitha gjërat. Ky Shpirt, dashuronjës i jetës dhe mik i njerëzve, është fjala e fundit, që Besëlidhja e Vjetër i dhuron njerëzimit: fundi i një udhëtimi të lodhshëm e të jashtëzakonshëm.

Idhujtaria pagane e madhështia e fesë

Në kapitullin e 13-të të Librit të Urtisë, autorit i duhet të përballojë mëkatin e idhujtarisë pagane. E ja ku mbërrijmë në një gjykim të ashpër, por jo të pamëshirshëm:

“Vërtet, të pakuptim prej natyre ishin të gjithë ata njerëz, që nuk e njohën Hyjin, ata prej të mirave që shihen, nuk ia dolën ta kuptojnë Atë që është, duke i parë veprat, nuk e njohën mjeshtrin” (Ur 13,1).

Pra të pabesët e injorantët gabuan, duke e ngatërruar veprën me autorin e saj, por gjithsesi, atyre u njihet dëshira për ta kërkuar e për ta gjetur Zotin, megjithëse nuk ditën të shkojnë më tej, pasi u mungonte njohja e një parimi filozofik, që përmendet për herë të parë në këtë pjesë biblike: analogjia. Duke parë krijesat, nuk qenë në gjendje të kuptonin kush ishte, për analogji, autori i këtyre bukurive. Filozofia e teologjia bashkohen kështu, në mënyrë që meditimi mbi Eksodin të përfundojë me një hare madhështore, e cila synon të verë në pah dritën e fesë së Izraelit në krahasim me errësirën e idhujtarisë së Egjiptit. Fjalët e kapitullit të 17-të janë të mrekullueshme:

“E era shushuritëse, edhe cicërrima e këndshme e zogjve në degë me gjethe të dendura e gurgullimi i ujit që rrjedh me vrull, ose rropama e rëndë e qetave që shkëputen, ose vrapimi i egërsirave që kërcejnë, o ulërima e bishave të egra shurdhuese, ose jehona bredhëse e shpellave të maleve, shtang i ngrinte prej frikës. Sepse mbarë rruzulli ndriçonte nga një dritë e shkëlqyer e gjithkush i kushtohej punës së vet pa pengime. Vetëm mbi ta ishte shtrirë nata e thellimit, hija e errësirës e caktuar për t’i marrë: vetë ishin për vetveten më të rëndë se terri” (Ur 17,17-20).

Pra, errësira e shtrirë mbi egjiptianët nuk është më fenomen atmosferik, por bëhet privim nga ndihma e arsyes, një lloj çmendurie paralizuese, në të cilën drita e një bote të shndritshme kthehet në natën më të thellë dhe kënga e ëmbël e zogjve në një motiv hipnotik terrori. Këtu, Izraeli arrin maksimumin e urtisë së tij shprehëse dhe teologjike. Bëhuni të urtë edhe ju dëgjues, e lexojini këto faqe biblike.

14 mars 2019, 13:49