Qirinjtë, si drita e urtisë hyjnore Qirinjtë, si drita e urtisë hyjnore 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Siracidit

Në këtë emision, do të shkojmë rreth vitit 190 para Krishtit e do të njihemi me një skrib, i cili ka një emër, që më vonë do të bëhet jashtëzakonisht i rëndësishëm: Jezus. Ky skrib shkruan një libër në hebraisht për të lartuar urtinë e dijen e Izraelit, i cili shndrit me ligjin e Zotit. Libri pritet kaq mirë sa, disa vjet më vonë, nipi i Jezusit e përkthen në greqisht, që ta lexonin edhe hebrenjtë e diasporës, të cilët tashmë, flisnin në këtë gjuhë. Lind kështu Libri i Siracidit, enciklopedi e vërtetë e urtisë së Izraelit, me një larmi temash, gjuhësh e stilesh, që në 51 kapituj, kërkojnë kujdesin dhe përkushtimin e një skribi të vërtetë. Ia kushtojmë këtë kujdes, duke ndjekur, si gjithnjë, vëllimin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. - Vatikan

Larmia e temave dhe e frazave të urta, nganjëherë, është pengesë në lexim për ata, që janë mësuar me histori apo tregime. Të marrësh në dorë një libër urtie është diçka më tepër se të hapësh një libër të çfarëdoshëm: është fjala për t’ia përgatitur jetën ndryshimit, gjykimit dhe rindërtimit. Pavarësisht se mund të duket e çuditshme, pikërisht kjo është fjala më e përshtatshme, “rindërtim”: t’i lejojmë fjalët e të urtëve ta shembin atë pjesë tonën, që është larguar nga e mira, nga e vërteta, nga Zoti e, të fillojnë ta rindërtojnë.

Miku njihet në rrezik

Jezusi ynë flet për detyrat ndaj prindërve, për virtytin e përvujtërisë e pastaj, pak nga pak, flet për lëmoshën, për thjeshtësinë e për respektin, përmend fjalët e miqësinë, familjen dhe të varfërit, gratë dhe marrëdhëniet njerëzore, duke na e lënë ne meditimin mbi perla të vërteta urtie, si kjo për miqësinë:

“Nëse do të fitosh ndonjë mik, fitoje në provë dhe mos i beso tepër lehtë. Sepse ka ndonjë mik, që është i tillë kur i bie për shtat, por nuk mbetet i tillë ditën e ngushticës. Sepse ka edhe ndonjë mik, që kthehet në armik dhe do t’i zbulojë, për çnderim tënd, grindjet e tua. Ka edhe ndonjë mik, shok në tryezë, por s’qëndron i tillë ditën e nevojës… Ndahu nga armiqtë e tu e ruaju prej miqve. Miku besnik, mbrojtje e fortë, kush e gjen, gjen visar” (Sir 6,7-10;13-14).

Gëzoje jetën, por mos e harro Zotin

Të dëgjojmë të urtët, të ushqehemi me fjalë të dijshme, të rimëkëmbemi me balsamin e urtisë mike: kjo u mungon jetëve tona e në fund të fundit, edhe fesë sonë. Edhe kur na këshillon gjëra si këto:

“Biro, nëse ke, mos e lër veten keq e Hyjit kushtoi fli të denja. Mos harro se vdekja s’do të vonojë dhe vendimi i Nëntokës nuk të është zbuluar… Para se të vdesësh bëji mirë mikut dhe sipas mundësisë, ji bujar me të. Mos ia moho vetes një ditë të lume e mos e lër pa gëzuar as një pjesëz të dëshirës së mirë” (Sir 14,11-12;13-14).

Pra, i urti nuk është armik me jetën, e do dhe i gëzohet asaj! Shpesh mendojmë për të si për ndonjë shpotitës pas shpinës së atyre, që përpiqen të gëzojnë; në të vërtetë, i urti është ai, që i njeh sendet, sepse arsyeton me mençuri.

Zoti e ka bërë njeriun të lirë

E pastaj, i urti beson në lirinë e në forcën e vullnetit. Ja një manifest modern, për kohën kur u shkrua:

“Hyji qysh në fillim e krijoi njeriun, e la në dorë të vullnetit të lirë dhe e lëshoi në dorë të dëshirimit të vet. I dha urdhrat dhe urdhërimet e veta dhe dijen për të kryer çka Atij i pëlqen” (Sir 15,14-15).

Por njeh edhe dobësinë e virtyteve njerëzore e predikon vazhdimisht kujdesin:

“Biro, ke mëkatuar? Mos e bëj më e lutu për mëkatet e kaluara që të të falen. Si prej gjarpëri, ik para mëkateve, se, po iu afrove, do të të hanë! Dhëmbë luani janë dhëmbët e tyre: njerëzve ua marrin jetën. Shpatë me dy teha është çdo paudhësi: plagët e saj janë të pashërueshme” (Sir 21,1-4).

Pikërisht për këtë arsye, në Librin e Siracidit gjejmë vazhdimisht të paditurin e të pafenë, atë që nuk e ka frikë Zotin, që nuk e njeh të mirën e nuk i dominon instinktet. Për të, thuhet:

“Kush mëson të marrin, pik thërrime, kush flet me atë që s’e dëgjon, është si ai që zgjon gjumashin. Flet me të fjeturin kush i tregon të marrit urti, sepse në fund do të pyesë. ‘Kush është ky?’. Qaj mbi të vdekurin, sepse i është fikur drita, qaj mbi të marrin, sepse i është fikur dija. Më pak qaj mbi të vdekurin, sepse ka pushuar, kurse jeta e të marrit është më e keqe se vdekja” (Sir 22,7-12).

Ç’është urtia në të vërtetë

Pastaj, në kapitullin 24, ndryshon puna e gjithçka shndërrohet në lavd për Urtinë, në të cilin ngrihet në qiell ligji i Zotit, duke e quajtur thesarin më të çmuar të Izraelit. Ja, ndoshta, fjalët më të famshme të Librit të Siracidit:

“Kam dalë prej gojës së Tejetlartit, … e porsi mjegulla e mbulova mbarë tokën. Në lartësitë qiellore e ngula banesën time dhe froni im në shtyllën e resë… Atëherë më urdhëroi Krijuesi i gjithësisë, Ai që më krijoi mua, paqe i dha banesës sime, duke më thënë: ‘Ngule banesën në Jakob e merre për pronë Izraelin’” (Sir 24,5.6-7; 12-13).

Vdekja, kapak floriri

Një figurë e lavdishme dhe e fuqishme, që e bashkon veprën krijuese të Hyjit, me tendën e besëlidhjes e me qytetin e Jeruzalemit. Libri vijon kështu të shkatërrojë e të ndërtojë njëkohësisht, të kërkojë frikën e Tënzot dhe sjelljen e frymëzuar nga Ligji, prej të cilit gurgullon Urtia hyjnore. Më pas, nga fundi i Librit, autori i tij me emrin Jezus e lë veten në dorën e një meditimi të hidhur e të urtë mbi vdekjen:

“O vdekje, sa i hidhur është mendimi mbi ty për njeriun, që jeton i lumtur, mes pasurisë së vet, për njeriun e paqtë, që gjithçka i shkon për së mbari dhe ende ka fuqi t’i shijojë të mirat! O vdekje, vendimi yt është i mirëseardhur për nevojtarin e për njeriun e mbetur, për plakun e shkrirë, që do gjithçka të dijë, që e humbi shpresën, që e bori duresën!” (Sir 41,1-4).

Rëndësia e njerëzve të shquar të fesë

Fundi i Librit është kremtim i veprave të Zotit e jo më të natyrës. Urtia e Hyjit mund të admirohet në diellin e hënën, në yjet e në ylberin, por, sado e bukur qoftë gjithësia e krijuar, vepra më e madhe e urtisë hyjnore mbeten njerëzit e shquar, të lavdishëm për fenë e tyre: një galeri emrash që nga Enoku, duke kaluar përmes Abrahamit e Moisiut, arrin deri tek kryeprifti Simon, të cilin autori i Librit duhet ta ketë parë të kremtojë në tempullin e Jeruzalemit.

Shumë më parë se Plutarku dhe “Jetët paralele” të tij, para njerëzve të shquar të Cornelio Nepote-s, Bibla shpik një zhanër të ri letrar, me lartimin e njerëzve të së kaluarës, madhështia e të cilëve qëndron në besnikërinë ndaj Zotit:

“T’u këndojmë lavde burrave të përmendur, të parëve tanë sipas breznive të tyre. Shumë lavdi i Lumi ka përftuar, madhëria e Tij është prej amshimit. Disa ishin zotër në mbretëritë e veta, njerëz të përmendur përkah fuqia e tyre, të tjerët ishin të pajisur me urti, prapë disa lajmërues profecish. Do të tjerë e udhëzonin popullin me këshilla, njerëz të aftë me urtinë e popullit, me mësime të urta të dijes së tyre” (Sir 44,1-4).

Vepra e Jezusit, biri i Siracidit, i cili ishte biri i Eleazarit të Jeruzalemit, përfundon me kapitullin 51, jo pa na paralajmëruar për herë të fundit:

“I lumi ai që i pleqëson këto gjëra. Kush i shtie në zemër të vet bëhet i urtë. Nëse do t’i shtjerë në veprim, do të jetë i zoti në gjithçka, sepse frika e Tënzot është udha e tij”.

21 mars 2019, 09:27