Kërko

Atë Anton Luli, jezuit shqiptar, martir e dёshmitar i Krishtit Atë Anton Luli, jezuit shqiptar, martir e dёshmitar i Krishtit 

Atë Anton Luli, jezuit shqiptar, martir e dёshmitar i Krishtit

Krishtlindjes së vitit 1947, arrestohet nga forcat komuniste, me arsyen "agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor". Në gjyq të Shkodrës u dënua me 7 vjet punë të detyrueshme, duke u larguar nga burgu i sigurimit në Koplik, që ishte qendër paraburgimit, për malësorët dhe klerikët katolik të atyre krahinave. Filluan torturat çnjerëzore mbi trupin e tij të brishtë.

R.SH. - Vatikan

Më 9 mars kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Atë Anton Lulit, martir e dёshmitar i Krishtit, jezuit shqiptar, ( Lohe-Koplik, 17 korrik 1910 - Romë, 9 mars 1998).

Dëshmitar i kalvarit të shqiptarëve gjatë regjimit komunist, më 7 nëntor 1996, në Vatikan, me rastin e kremtimet të 50-vjetorit të meshtarisë së Papa Gjon Palit II, jezuiti Atë Anton Luli e bëri të qante Gjon Karol Vojtilën, duke treguar historinë e martirizimit të klerit e të popullit shqiptar nën diktaturën komuniste, dhe historinë e vuajtjeve të tij personale për Fè e Atdhè .

Aq e jashtëzakonshme ishte jeta e jezuitit shqiptar, Atë Anton Lulit, sa sivëllezërit  e tij jezuitë nëpër botë e dinin të martirizuar, duke mos pasur prej vitesh asnjë lajm për atë, që ishte varrosur për së gjalli ndër burgjet e kampet e përqendrimi të regjimit komunist në Shqipëri.

Prandaj, kur munden ta takonin përsëri, gati–gati si të dalë nga varri, i kushtuan librin “Già dato per martire” (përkthyer shqip me titullin “Atë Lulin ne e dinim martir”) - botuar më 1996 nga Civiltà Cattolica. E ai jo vetëm që doli i gjallë nga varri ku e kishin mbyllur komunistët, por arriti të kremtonte edhe ringjalljen e Kishës – duke parë vetë fuqinё e Dorës sё Zotit.

Pikërisht dëshmitë rrënqethëse të këtyre viteve u solli me vete sivëllezërve jezuitë Atë Luli, kur më në fund doli i gjallë nga varri e nisi të tregojë, që breznitë e sotme e të ardhme që të mos harrojnë atë që ndodhi, ta ruajnë lirinë si gjënë më të shtrenjtë, nëse nuk duan të rijetojnë tragjedinë e atyre që, edhe në varr, i kanë mbi eshtra shenjat e martirizimit .

                                                ***

At Anton Luli, dëshmitar e mbijetues i torturave çnjerëzore

27 Nëntor 2008

 

Të gjithë jashtë burgut ferr komunist të Shqipërisë e dinin të vdekur. Për më tepër revista "Albanian Bulletin Catholic", në një nga numërat e saj botoi foton e meshtarit, duke vendosur shënimin "Martir për fe", ndërsa një gazetë tjetër italiane "Avvenire" më 2 nëntor 1983, boton një shkrim me titull "Historitë e At Lulit". 10 vjet më vonë At Çesar Gjiraudo (Cesare Giraundo), në Tiranë për herë të parë mundi të zhvillonte një intervistë të gjatë mbi historitë e At Anton Lulit S.J., i mbijetuari i rregjimit komunist. Thjeshtësia në komunikim dhe zotërimi shkëlqyeshëm i gjuhës italiane, bënë që intervistuesi At Gjiraundo ti botoj kujtimet në librin: "Gia dato Per Martire… I Fioretti di un gesuita albanese" ("Atë Anton Luli S.J. Ne e dinim martir…"), shtypur në Shtëpinë Botuese "At Gjergj Fishta" në Lezhë. Libri është përkthyer nga Gjergj Laca. Kopertina e librit ka të fiksuar një foto të At Anton Lulit S.J. me Papa Gjon Pali II gjatë audiencës në rezidencën e Tij në Vatikan. Papa, po prekte më duart e Tij të shenjta plagën e gjallë të një martiri stoik të fesë së Krishtit dhe Shqipërisë.

Jeta e anëtarit të Shoqërisë së Jezusit (Jezuitëve).

Katundi Lohe ndodhet rrëzë Alpeve Shqiptare, mbi Koplik të Sipërm. Është një katund i vogël, që ndahet në dy pjesë: Lohja e Poshtme dhe e Sipërme. Gjatë shekujve shumë bij trima i janë bashkuar luftërave liridashëse kundërturke, duke treguar trimëri dhe dashuri të madhe për tokat e të parëve të tyre. Jo të pakët kanë qenë edhe klerikët katolik, që kanë dalë nga kjo pjesë e krahinës së Malësisë së Madhe, të cilët, kanë vijuar studimet në Kolegjen Saveriane dhe Kuvendin Françeskan në qytetin e lashtë të Shkodrës, qendër e hershme e krishterimit dhe e kulturës kombëtare në Shqipëri. Në katundin e vogël malor Lohe u lind fëmija Anton.

Ai kujton fjalët e nënës, që i thoshte miqve, se djali i vogël nuk kishte shëndet të mirë, se ishte shumë i dobët dhe gjithnjë e mbante frika se mund të largohej nga kjo jetë tokësore. Ishte fëmija i parë dhe mbas tij lindën edhe dy të tjerë. Pikërisht në ditën e Shën Antonit, foshnja, mori emrin e pagëzimit që gëzon. Në moshën 19 vjeçare, fillon studimet në Seminarin Dioçezan ose sikurse njihet nga të gjithë Shkolla Apostolike e Etërve Jezuitë. Pas klasës së pestë në gjimnaz e dërgojnë në Goricje, për të bërë dy vitet e rishtarisë, ku, kreu edhe liceun e filozofinë deri në vitin 1936.

At Antonin, eprorët e dërgojnë sërisht në Seminarin e Shkodrës, ku filloi të jap mësim në gjuhën italiane, shqip, histori e gjeografi. Aty qëndroi për tre vjet, një prej të cilëve e kaloi në Tiranë si mësimdhënës. Eprorët e dërgojnë për të bërë teologji në Shtëpinë e Shën Antonit në Kievi (afër Torinos), dhe shugurohet meshtar më 13 maj 1942. Më 1943 kthehet përfundimisht në Shkodër.  Nëna, nuk donte që djali saj i madh të behet prift dhe çdo ditë përpiqej ta bindte, që të qëndronte në shtëpi dhe kështu mund ta ndihmonte më shumë atë në shtëpisë. Shumë vite më vonë, para se ajo të vdiste, u kishte thënë vëllezërve të At Antonit, se ishte e lumtur që djali i saj i shërben Krishtit. 

Shërbesat fetare dhe udha e vështirë e Kalvarit gjatё komunizmit

Situata në Shqipëri, në kohën e barbarëve komunistë ishte tepër e nderë. Komunistët me fjalë të bukura, kishin mundur të mashtronin pjesën e mirë të popullit, që ishte analfabet dhe nuk e dinte se çfarë ishte komunizmi dhe kështu u bënë viktimë e tij. Kleri katolik, gjithnjë ishte përpjekur ti hapte sytë popullit shqiptar, që të mos gënjehet nga ideologjia mashtruese e komunizmit. Për ketë në shumë revista dhe gazeta të kohës ishin sjellë shembuj negativ, të dhunës së tërbuar që komunizmi kishte ushtruar e vijonte me tërbim ndaj vendeve ku kjo ideologji e hurit dhe litarit ishte bërë forcë shkatërruese.

Ish-Bashkimi Sovjetik, që drejtohet nga tiranët Lenin-Stalin, ishte shembulli më i mirë i rrezikut që e kërcënonte botën demokratike dhe në veçanti Shqipërinë, që shumë shpejt u bë viktimë e demagogëve marksist të grupeve komuniste, që fillojnë të mbijnë si kërpudhat mbas shiut. Mbas pushtimit të Shqipërisë nga ideologjia dhe rendi komunist, filluan arrestimet në popull të kundërshtarëve politik të regjimit. Rradha u erdhi tregtarëve të ndershëm, që me mund e sakrifica kishin arritur në bisnesin e tyre të vogël. Mbi bazën e orientimeve ruse, filloi sulmi frontal kundër institucioneve fetare, ku, në epiqendër të goditjeve staliniste u vu Kisha Katolike dhe hierarkia e lartë në Veri Perëndim të Shqipërisë.

Por nga ana e tjetër edhe rezistenca antikomuniste ishte e fuqishme. Kjo u duk në institucionet fetare dhe prelatët e Kishës. Qëndrimi burrëror i seminaristit Mark Çuni, gjatë gjyqit të zhvilluar kundër eprorëve të tij etërit jezuit At Gjon Fausti S.J. dhe At Daniel Dajani S.J.. Seminaristi i ri student Çuni, mbrojti me dinjitet profesorët e vet… E njëjta panoramë e zymtë po zhvillohej dhe tek Kuvendi Francekan, ku etërit At Gjon Shllaku e At Çiprian Nikaj, pushkatohen nga toga e zezë partizane. Këtë fat tragjik e patën pjesa dërmuese e zëvendësrektorëve, rektor e famullitar të thjeshtë në shkollat klerikale dhe famulli ose dioqeza si në qytet e katund.

Burgosja e zëvendës rektorit të Kolegjit Shën Françesk Saveri të Shkodrës

Gjatë kohës që komunistët kishin filluar reprezaljet në institucionet klerikale katolike dhe qendrat fetare e kulturore të tyre, At Anton Luli S.J. asokohe ishte me detyrën mësimdhënës dhe zv/rektor i Kolegjës Saveriane në Shkodër. Ai kujton: "Në janar të vitit 1946 i nisën për në atdhe të tyre të gjithë italianët, etër e fratela. Në Shkodër mbeta vetëm unë bashkë më Imzot Frano Gjinin, që ishte delegat Apostolik për Shqipërinë, në mungesë të Imzot Gjon Batista Nigris, të cilit, ia kishin ndaluar të hynte përsëri. Atëherë Imzot Gjini më emëroi rektor të Kolegjit Saverian e të Seminarit Papnor të Shkodrës, detyrë kjo që nuk m'u hoq deri në vitin 1991. Ndoshta kurrkush nuk ka pasur e grumbulluar detyra kaq të rëndësishme gati për 50 vjet rresht!… Kur u pushkatuan At Fausti e At Dajani, më 4 mars 1946, u mbyll seminari e kolegji. Në atë çast ndërhyri një ushtri e vërtetë, e përbërë prej plot 8000 partizanësh komunist. Këta, pasi na kishin ndyrë në sallën e ngrënies së seminarit, bënë një kontroll të imët qoftë në seminar, qoftë në kolegj. Pastaj, pa na lejuar të ngjiteshim në dhomat tona na nxorën jashtë, ne e seminaristët vetëm me tesha, që kishim veshur e kurrgjë tjetër. U sekuestruan gjithçka, duke përfshirë bibliotekën e seminarit me 40.000 vëllimet e saja, më e madhja e më e pasura e të gjithë Shqipërisë. Ne pak shqiptarëve që kishim mbetur, na thanë: "Shkoni në shtëpitë tuaja, ose shkoni kah të doni" Ipeshkvi atëherë më emëroi famullitar në famullinë e Shkrelit, tridhjetë kilometra në veri të Shkodrës".

Arrestimi dhe burgimi i parë (1947-1954)

Gjithnjë At Luli jetonte me ankthin se një ditë ai do të burgosej. Këtij fati të keq i ishin nënshtruar pjesa dërmuese e klerikëve në të gjithë Shqipërinë, por epiqendra e goditjeve antikatolike e antishqiptare ishte përqendruar në Shkodër e malësinë e saj. Për 18 muaj At Anton Luli S.J., ishte famullitar mes malësorëve besimtar dhe bujar, trima dhe përbuzës të regjimit komunist ateist. Një javë para Krishtlindjeve të vitit 1947, meshtari i katundit arrestohet nga forcat partizane, me arsyen se ka zhvilluar "agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor". Atë e dërguan në komunën e Koplikut dhe e ndrydhen për 8 muaj në një banjo, që kishte shumë kohë që nuk ishte pastruar. Asnjëherë nuk e pa dritën e diellit. Pastaj erdhi procesi gjyqësor. Në gjyq të Shkodrës u dënua me 7 vjet punë të detyrueshme, duke u larguar nga burgu i sigurimit në Koplik, që ishte qendër paraburgimit, për malësorët dhe klerikët katolik të atyre krahinave. Filluan torturat çnjerëzore mbi trupin e tij të brishtë.

Zv/rektori kujton: "Tashti po flasim për tortura. Nga nevojtorja ku isha, më thirrën, një ditë lart në katin e dytë, në zyrën e Sigurimit ose të Shërbimit të Fshehtë. Kishin hyrë katër e pesë policë të Sigurimit, të cilët filluan të luanin me trupin tim si me një top futbolli, dhe më lodhën e dërmuan, saqë u rrëzova për tokë. Atëherë një alamet burri me çizme të mëdha nisi të kërcejë mbi trupin tim deri sa ndjeva se m'u thye një brinjë. Pastaj shefi i policisë u vërsul mbi mua e më shtrëngon aq fort në fyt saqë gati më mori frymën. Mbeta ashtu shakull, pa mundë të lëviz. Pastaj, me shqelma e me sharje, me mori një polic e më çoi përsëri në qelinë time plot erë të keqe.

Kur më merrnin në pyetje, më duhej nganjëherë të rrija në zyrë me shefin e policisë nga mbrëmja e deri në mëngjes, vazhdimisht me këmbë e duar lidhur mbas shpine. Shefi i policisë pyeste e unë mohoja. Nganjëherë lodhej aq shumë saqë i shkapetej kryet për tavolinë nga gjumi. Atëherë urdhëronte një xhandar: "Merre këtë… (një fjalë të ndrytë), e çoje poshtë!" Gjatë 24 orëve nuk me jepnin më tepër se 600 gr bukë…Për tetë muaj e gjysmë në atë ambient ku xhandari kur vinte të më binte racionin, mbyllte hundët, sepse nuk mund të duronte erën e keqe, dhe ma hidhte bukën aty në mes të jashtëqitjeve…". Ndërsa në Natën e Krishtlindjeve, shefi i policisë e dërgoi At Anton Lulin S.J., në një tjetër banjo në katin e sipërm. "Aty, në atë gjiriz më dha urdhër të zhvishesha, pastaj lidhi një konop për tra, ma qiti nën sqetull, më urdhëroi të ngrihesha në majë të gishtave dhe më lidhi në mënyrë të atillë, që trupi im të mos përkite në tokë, por të mbetej pezull në majë të gishtave.

Ishte natë Krishtlindjeje: Një kohë me shi e ftohtë. Qëndrova pa folur për një gjysmë ore, e ndoshta më tepër, s'më kujtohet. Pastaj ndjejva se po më ngriheshin këmbët e acari po ngjitej dalë e ngadalë deri sa mbërriti në stomak. Fillova të rrënqethesha, të dridhesha dhe nuk munda të qëndroja më. Thashë me vete: "Vdekja është e sigurtë", sepse edhe pak dhe të ftohtit po mbërrinte në zemër. Bërtita si një i dëshpëruar. Shefi i policisë ndjeu e ngarendi: Më qëlloi këtu nën gjunj. E kuptoi se isha në rrezik, më zgjidhi menjëherë e më çoi në dhomë të vet. Ary kishte një stufë të vogël të ndezur. I hypa sipër e u desh një gjysmë ore që trupi im ta merrte veten, aq shumë kishte vuajtur…."

Torturat më të tmerrshme se ato të nazistëve

Nëse gjelatët nazistë Gestapos të kohës së Luftës së Dytë Botërore, do të jetonin ende dhe të lexonin kujtimet dhe torturat që ka kaluar ai në burgjet e ferrit komunist, patjetër se do të thonin se krimet tona nuk janë asgjë përpara atyre të Enver Hoxhës mbi popullin e vet. At Zef Luli S.J., ka kaluar një kalvar të vërtetë me tortura dhe ka mbijetuar si Krishti, duke dëshmuar se feja e atdheu janë binome të pandame dashurie, me të cilën janë ushqyer qysh fëmijë të gjithë ata që kanë marrë rrugën e bukur të meshtarisë. Ndaj meshtarit jezuit janë përdor tortura të tilla, si: rrymë elektrike të telefonit, meqenëse mungone rryma elektrike në dhomën e torturave mbi trupin e tij. Shpesh i viheshin këto fije te telefonit i vendosën për 30 sekonda në të dy veshët e tij dhe rryma depërtonte deri në tru duke e acaruar meshtarin.

Këtë fat të keq kishte patur edhe prifti tjetër Dom Pjetër Çuni, i cili, vdiq në tortura si pasojë e rrymës eletrike në trup dhe më së shumti në vesh. Mes torturave vdiq edhe famullitari i Bogës, Dom Aleksandër Sirdani dhe trupin e tij e hodhën në gropën e madhe të gjirizit. Ndaj grave nacionaliste, xhelatët komunistë, kanë përdor torturën me maçok (dac), duke ua futur në trupin e tyre dhe macokun e rrihnin me shkop. Padër Luli, kujton: "Më kanë thënë se disa, prej urie kanë mbërritur të hanë jashtëqitjet e veta e të pinë urinën e vet për të shuar etjen. Janë gjëra që nuk mund të harrohen…Më kishin lidhur këmbësh e duarsh mes errësirës pus. Minj të mëdhenj gjirizi më hidheshin në trup e fytyrë. Nuk mund t'i dëboja se i kisha duart e lidhura dhe kisha frikë se më hanin veshët, o hundën, duke më kujtuar të vdekur. Isha i lidhur me dysheme. Këtë gjë e bënin për të më lodhur e për të më shtyrë të deklaroja çka donin ata. Më kishin lidhur shtrëngueshëm me tel. Ende i kam shenjat pas 40 vjetësh. Rreth kyçit ishte krejt mish i gjallë. Kur më zgjidhnin për nevojat vetjake, duart më kullonin gjak. Pastaj m'i lidhnin duart në të njëjtin vend, aq sa ishte formuar një plagë gangrenare…".

Mes skllevërve në punën e detyrueshme… drejt vdekjes së përshpejtuar

Para disa kohe kam lexuar edhe librin e meshtarit italian Pader Giacoma Gardini-t (në Shkodër është thirrë me emrin Pader Jaku) "Djetë vjet burg në Shqipni". Ky misionar italian, përshkruan tmerrenin, që kishte përjetuar e vijonte të ndodhte në kampet e punës së detyrueshme në kampet e internimit dhe burgje. Edhe ngjarjet që vëllai i tij në Krishtin, At Anton Luli S.J. rrëfen përputhen me tregimet origjinale të At Jakut, që pas dënimit dhe me insistimit e Qeverisë italiane riathesohet në Italy. Të gjitha ngjarjet, që përshkruan Pader Luli, kanë ndodhur në nëntorin e vitit 1948. Pas gjyqit ai dërgohet në Beden, në fushë të Kavajës, ku ishin disa këneta për t'u tharë. Që nga mëngjezi deri në darkë punonin skellevërit e burgosur shqiptarë, për të siguruar 750 gram bukë dhe supë me disa kokërra orizi.

Martiri i gjallë Pader Luli, i mbijetuari i sketerrit komunist, tregon: "Një herë, sa për të treguar një episod, po shkonim për të hapur kanale të thella. Ishte stom kanali prej 7-8 metrash. Unë isha në buzë të tij dhe nga dobësia u rrukullisa e rashë në fund të fundit. Brigadieri, që ishte një mysliman shkodran, njoftoi rojën: "Ai mund të punojë, por shtiret se nuk mundet, dhe nuk punon." Vjen roja e më thotë: "Pse nuk punon?". Priftërinjtë atëherë urreheshin dhe luftoheshin. Roja i thotë brigadierit: "Bjere këtu një hu, ngule në majë të stomit të kanalit, merre këtë këtu, bëje të shtrihet mbi stom me krye teposhtë e lidha këmbët për hu." I gjithë gjaku më ra në krye, por isha kaq i lodhur e i sfilitur sa që ndjeva një farë lehtësimi, sepse munda të pushoj paksa…Për shtatë vjet nuk kam mundur të bëj dush asnjëherë. Kur ecnim në rresht i numëronim morrat në supet e shokëve, pa folur për pleshtat e për çimkat, që na torturonin ditë e natë…". Mes diellit përvëlues pa asnjë hije përreth punonin të burgosut dhe Pader Luli deri në sa vinte mbrëmja. Asnjë gotë ujë e freskët nuk u ofrohej. Edhe atë pak ujë të ngrohët që ia sillnin për të pirë në vapën përvëluese ishte i ndryrë plot krimba qe notonin në fund të tasit.

Një ditë Pader Luli u nis për të shkuar në banjo, për të kryer nevojat përsonale. Iu afrua gropës dhe këmba i rrëshqiti e buka që mbante në duar i ra në gropë të gjirizit. Ai e mori bukën e ndryrë shkoj tek burimi dhe e lau. U nis na kapanon dhe pa menduar shumë filloi ta hante në shtrat. "Pas një jave, ia tregova, kujton ai, ia tregova ngjarjen At Jak Gardinit, një jezuit friulan, që ishte i burgosun me mua në të njëjtin kamp. "A ke ndjerë shqetësime? Më tha. "Jo aspak! U përgjigja. E At Gardini shtoi: "Është një dorë e fortë që i mbron të burgosurit!" Kur të burgosurit shkonin në punë, të gjithë duhet të vraponin dhe kush qëndronte i fundit rrihej me shkop të gardianit të burgut. Pader Luli, tregon një histori shumë të dhimbshme dhe kriminale që xhelatët komunist bënë ndaj një të burgosurit duke e varrosur të gjallë. "Ashtu është, por pastaj e nxorën. Roja deshti ta torturonte jezuitin, At Mark Harapin, një shkrimtar i përmendur shqiptar e profesor i merituar i Shkodrës, që nuk mund të qëndronte më nga lodhja dhe pleqëria. Për këtë arsye i detyroi meshtarët e tjerë të hapnin një gropë në kënetë e ta mbulonin me baltë deri në fyt. Priftërinjtë formonin një brigadë të posaçme nja pesëmbëdhjetë vetësh. Punonin gjithmonë bashkë e i përdornin në punimet më të vështira.

Salvimi kundër priftërinjve qe i tmerrshëm: donin të na shkatërronin, të na zhdukshin". I vetmi kujtim dhe respekt, që At Luli kishte në Beden të Kavajës, ishte një shpend ose lejleku i kampit. Një episod i lezetshëm, por edhe shumë domethanës. Lejleku i donte të burgosur dhe ata e donin atë. Shpendi i shoqëronte nga mengjezi deri në darkë kudo që ata ishin. "E pritnim me gëzim dhe ndienim një kënaqësi të madhe, duke menduar se së paku zogjtë e ajrit kishin simpati për ne". Ndërsa kampi i shfarosjes së Burrelit, ishte bërë një ferr i vërtetë për të gjithë të burgosurit. Mbas 6 vjet pune në kampin e Bedenit, At Lulin e dërgojnë në burgun famkeq të Burrelit, ku çdo ditë vdisnin të burgosur politik, për shkak të vuajtjeve dhe torturave. Komunistët për hir të nostalgjisë, që kishin për nazizmim i hapen dyer Mant'hauzen-it ose Aushvic-in shqiptar. "Mua më dërguan aty, vetëm për të zëvendësuar një tjetër, të cilit ia kursyen një dënim të tillë – nga dallaveret e hatërlleqet personale. Duke qenë se Tirana kërkonte 17 të burgosur për Burrel, unë qeshë i 17-ti", rrëfen At Luli.

Mbas 7 vjetve burg/Më 20 tetor të vitit 1954, At Luli lirohet nga burgu i Burrelit. Ai niset me ata pak plaçka të rreskosura në Shkodër tek ipeshkëvi dhe i kërkoi të ushtronte shërbimin fetar, mbasi mendonte se tashmë ishte i lirë. Por ipeshkëvi nuk mund të vepronte me liri të plotë. Atij i duhej të merrete leje për meshtarët, që kishin dalë nga burgu në istancat e larta të qeverisë komuniste. Pas këtij formaliteti përgjigja ishte pozitive dhe kështu nga eprori ai caktohet në Shënkoll afër Lezhës. Aty ai qëndroi 15 vjet e gjashtë muaj (1954 - 1979). Meshtarit i duhej të ruhej se kurdoherë kishte provokime, njerëz të sigurimit, që e shoqëronin kudo ku shkonte dhe kryente shërbesat fetare pranë besimtarëve.

Në famullinë e Shënkollit, ai qëndroi prej vitit 1955-1966, kur Kisha ku shërbente u mbyll e u kthye në "sallë kulture". Ishte kisha e parë që u mbyll në të gjithë Shqipërinë e menjëherë u kthye në stallë kulture. Ndërsa për të gjithë kishat e tjera, data e mbylljes ishte 19 marsi 1967, e Diela e Larit. Po në këtë vit Shqipëria u shpall zyrtarisht "shteti i parë realisht ateist në botë". Kleri u shpërnda…Filloi puna e rëndë me meditje. Të gjithë klerikët kërkonin punë për të mbijetuar. Sigurisht që ata nuk kërkonin punë në zyre apo në administratë, por punëtor krahu në bujqësi, ndërtim, hapje kanalesh. At Anton Luli, pas shumë vitesh rikthehet në vendlindjen e vet në Lohe mbi Koplik të Sipërm në Malësinë e Madhe tek i vëllau i vet, ku qëndroi 10 muaj dhe punoi në bujqësi.

Gjithnjë ishte nën mbikqyrje të Sigurmit, që kishte shpërndarë afijet e veta edhe në kooperativë. Pritej nga frati një gabim i vogël për t'i rivënë sërisht prangat. Edhe familja e vëllai e ndjente përsekutimin në të gjitha format, që e ushtronte rregjimi komunist. Farefisi i tij gjithnjë është përkujdesur për At Anton Lulin, duke i bërë vizita gjatë kohës që vuante dënimin me burg, në kampet e përqendrimit. Për të mos rënduar edhe më shumë vëllain, ai largohet nga malësia dhe niset për Shkodër, ku kërkon punë.

Për 12 vjet punoj si punëtorë krahu në bujqësi, gjithmonë me kazëm e lopatë midis baltës e moçalit. "Më kujtohet se një herë, në ditët e para, ndërsa po mblidhja misër, u zhyta në baltë me gjithë çizme e nuk mund të dilja, mbasi nuk e njihja vendin. Po humbja përherë e më tepër. Thirra shokët e punës dhe erdhën e më nxorën. Puna ishte e rëndë, por më përkrahnin brigadierët, të cilët, më respektonin, si meshtar. Por nuk mund të bënin shumë, pasi gjithmonë i kishin frikë spiunët".

Burgimi i dytë (1979-1989)

At Anton Luli S.J., po priste marrjen e të ashtëquajturit pension, për 11 vjet punë skllavi mes diellit e shiut, breshërit e borës, acarit dhe streseve të përndjekjeve, në ndërrmajen bujqësore shtetërore. Midis fushës ndër orizore, erdhi makina ushtarake dhe i afrohet punëtorit dhe një nga policicët i thotë "Hyr në makinë… Në emër të ligjit je i arrestuar!". Ishte data 30 prill 1979, kur ai dërgohet në burgun e Sigurimit në Shkodër, ku e kontrolluan fije për pe. At Luli, kallzon: "Mora vesh se në burgun e sigurimit në Shkodër gjendej prej katër vjetësh arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Ernest Çoba. I gjithë qyteti kujtonte se kishte vdekur. Njeri që rrinte në qeli me mua më tha: "Imzot Çoba është këtu e po ta dëftoj unë". Mund të shihej nga një plasë e vogël e derës. Por ma përshkroi në mënyrë kaq tronditëse sa që unë nuk desha ta shihja. Ishte shndërruar, zvogëluar, zverdhur, gungaç, nuk njihej më. Kaloi katër vjet në burgun e tmerrshëm të sigurimit e kush e di sa ka vuajtur! Pastaj e dërguan në spitalin e Tiranës, në një repart të caktuar për të burgosur, dhe aty vdiq më 1980…". Pader Luli ishte në pritje të procesit. Hetuesit i bënin të njëjtat pyetje, por edhe ai jepte të njëjtat përgjigje mohuese për gjithçka. Pas 9 muaj në burgun e sigurimit në Shkodër erdhi radha e procesit. Atij i dolën dëshmitarë 10 vetë. Të gjithë ishin të rinj, që kishin punuar për disa kohë në ndërmarrjen shtetërore bujqësore. Ata përdoren një tekst të njëjtë të gjithë: "Ka bërë propagandë kundër qeverisë! Ka bërë sabotim ekonomik! Ka shkelur bukën e popullit! Ka dëmtuar shumë qeverinë!". Prokurori në Gjyqin e Shkodrës më 6 nëntor 1979, kërkoi në pretencë pushkatim për At Anton Lulin S.J.. Mbas dy ditësh, dënimi iu kthye me 25 vjet burg, që ishte i barabartë me burgim të përjetshëm. Asokohe meshtari ishte 70 vjeç. Sërish punë të detyrueshme skllavi, në kampin e Ballshit (Fier). Aty qëndroi për 4 vjet, ku vuanin dënimin edhe 15 meshtarë të tjerë. Kampi kishte 1600 të burgosur politikë. Një kapanon kishte deri në 200 vetë, që flinin mbi dërrasa në dyshek kashte. Kishte spiunë, që e bënin këtë për të pasur lehtësira në burg dhe ai që paditej ridenohej edhe 10 vjet të tjera. Rruzaren për shumë vjet e ka thënë me gishta, mbasi nuk kishte mundësi të bënte as kryq. Ai transferohet në kampin e Shënkollit, në vendin ku përpara kishte qenë famullitar. Aty qëndroi për 4 muaj, ku mori dhe ftohje (pseomuni) në të dyja anët. Një doktor zemërmirë e ndihmoi. Nga veriu në jug. Filloi transferimi në Sarandë, në katundin e emëruar nga komunistët, si Perparimi, por që emri i tij i vërtetë ishte Shën Bazili. Aty qëndroi 2 vjet. Vitet kalojnë…

Mesha e parë në popull pas lirimit më 15 prill 1989

Në liri, në mënyrë që të mos e shohin hafijet e sigurimit Pader Luli, sikurse edhe meshtarë të tjerë, janë munduar të bëjnë ndonjë pagëzim shpejt e shpejt dhe fshehurazi. Ai u rikthye të jetojë afër vëllait të vet në Bushat. Bënte pagëzim fëmijësh dhe thoshte meshë në dhomë pa e marrë vesht të tjerët. Kjo gjë vijoi deri sa rikthehet liria e besimit në Shqipëri. E dita erdhi. Mbas 24 vjetëve, më 4 nëntor 1990 Dom Simon Jubani në vorrezat katolike të Rrmajit në Shkodër tha meshën e parë, në prani të një numëri të madh besimtarësh katolikë e muslimanë.
Pader Anton Luli S.J. e thotë meshën e parë në popull më 25 nëntor 1990. Që nga ajo ditë ai thotë meshë në Kishën e Bushatit, që komunizmi e kishte kthyer në sallë kinemaje.
Gradualisht jezuiti martir, po i rikthehet shërbimit meshtarak. Ai rikthehet në famullinë e Shënkollit, e cila, sëbashku me pronat ose tokat përreth ishte zaptuar nga të ardhur nga zonat malore me miratim të qeverisë komuniste asokohe. Ata nuk donin ta lironin pronat e Kishës, që ua kishe dhuruar rregjimi komunist. Pader Luli, kujton: "Për këtë arsye nuk donin të lironin kishën, sepse thonin: "Atëherë na shkon huq çdo gjë, që kemi berë për kulturën dhe luftën kundër fesë". Kështu ata kanë qëndruar deri në fund, duke u kërcënuar. "Do ta mbysim priftin, në qoftëse vjen… Pastaj do të shkojmë ditën ose natën e do ta rrëzojmë kambanën!" Këto mbrapshti mund t'i bënin me të vërtetë, mbasi atëherë tregohej pak kujdes për rendin publik…". Tashmë At Anton Luli S.J., mbas shumë viteve burgu, mundimeve, vuajtjeve, salvimeve dhe keqtrajtimeve të panumërta, rikthehet në Shoqërinë Jezus në Tiranë i emëruar nga Provinciali i tij në Itali At Pjetër Maione S.J. 

09 mars 2019, 13:06