Kërko

Vatican News
 Vendi i pritës në Burkina Faso Vendi i pritës në Burkina Faso  (AFP or licensors)

Vritet një misionar salezian, në Burkina Faso

Tragjedi, për Kongregatën saleziane në Afrikë. Viktimë e sulmeve të xhihadistëve ishte, dje, një misionar salezian me kombësi spanjolle.

R. SH. - Vatikan

Quhet Atë Antonio César Fernandez Fernandez, 72 vjeç, 55 nga të cilat shërbeu si salezian e 46, si prift.

Prita dhe vdekja

Ra në një pritë, të vënë nga vrasës xhihadistë, pasditen e djeshme, 15 shkurt. Lajmin e jep Kongregata saleziane në Afrikë: “Sivëllai i dashur i përkiste Inspektorisë AFO (Afrika Perëndimore Frankofolëse) e po kthehej në bashkësinë e tij të Ouagadougou (Burkina Faso), së bashku me dy salezianë të tjerë, që shpëtuan gjallë, pasi kishte marrë pjesë në Lomé (Togo), në seancën e parë të Kapitullit inspektorial të kësaj province. Makina, me të cilën udhëtonin, u ndalua pas doganës së Cincassé, në kufi me Ganën e Togon. Don César u veçua nga dy sivëllezërit e tjerë e u bë shoshë me të shtëna nga terroristët, që më pas ikën. Me rregulltarin mbetën të vrarë edhe katër doganierë të Burkina Fasos.

Misionar e edukator

Atë Antonio César Fernandez Fernandez, i lindur në Pozoblanco të Spanjës, e nisi që më 1982 shërbimin në disa vende afrikane e, aktualisht, ishte drejtues i bashkësisë saleziane të Ouagadougou (Burkina Faso). Ia kishte kushtuar jetën Afrikës - shkruajnë sivëllezërit - e kushtimi tij u pranua plotësisht! I  kërkojmë të lutet për ne e për misionin tonë. Misionari ishte edhe themelues i famullisë së Zojës Ndihmëtare si dhe mësuesi i parë i novicëve për dhjetë vjet me radhë"- shkruajnë, plot me dhimbje, sivëllezërit:

“Zoti i ngallur e pranoftë me dashuri Vëllain César dhe të gjithë ata, që dhanë jetë në misionin salezian, e Zoja Ndihmëtare, të cilën ai e donte aq shumë, e pritët me dashurinë e Nënës së Mirë të Qiellit”.

Në Burkina Faso, kryeministri dhe qeveria japin dorëheqjen

Ky atentat vë edhe më me forcë në dukje atmosferën e dhunës, që  mbretëron në Burkina Faso qysh nga viti 2015, në shënjestër sa nga forcat ekstremiste islamike, aq edhe nga interesat e kontrabandës.

 

16 shkurt 2019, 16:27