Cerca

Vatican News

Pullë postare vatikanase përkujtimore e 100-vjetorit të Eparkisë arbëreshe

Zyra filatelike e numizmatike e Qytetit të Vatikanit ka emetuar një pullë postare përkujtimore për 100-vjetorin e Eparkisë arbëreshe të Ungrës në Kalabri. Pulla e emetuar riprodhon “Krishtin Pantokrator”, një mozaik realizuar nga artisti shqiptar Josif Drobniku, që dominon kupolën qendrore të Kishës Katedrale të Shën Nikollit nga Mira në Ungër.

R.SH. - Vatikan

U prezantua sot, në sallën Marconi pranë Radio Vatikanit, pulla postare përkujtimore e 100-vjetorit të themelimit të Eparkisë arbëreshe të Ungrës. Zyra filatelike e numizmatike e Guvernatoratit të Qytetit të Vatikanit ka emetuar një pullë postare të veçantë përkujtimore kushtuar 100-vjetorit të themelimit kanonik kishtar të Eparkisë arbëreshe të Ungrës në Kalabri.

Ngjarja u prezantua, sot paradite në sallën Marconi të Radio Vatikanit, nga ipeshkvi arbëresh i Ungrës Imzot Donato Oliverio, së bashku me drejtorin e zyrës Filatelike-Numizmatike të Selisë së Shenjtë, dr. Mauro Olivieri dhe zëvendës-drejtorin e Postës së Vatikanit, dom Francesco Mazzitelli. Kjo ngjarje u prezantua nga dioqeza arbëreshe si një ndër nismat e shumta të këtij jubileu dioqezan.

Pulla e emetuar përkujtimore me rastin e njëqind-vjetorit të themelimit të Eparkisë arbëreshe të Ungrës riprodhon “Krishtin Pantokrator”, një mozaik realizuar nga artisti shqiptar Josif Drobniku, që dominon kupolën qendrore të Kishës Katedrale të Shën Nikollit nga Mira në Ungër, Kishës kryesore të Eparkisë (dioqezës) arbëreshe.

Emetimi i pullës postare nga Vatikanit, është një shenjë tjetër kujdesi e dashurie ana e Selisë së Shenjtë ndaj komunitetit të arbëreshëve.  Kujtojme se Ishte 13 shkurti i vitit 1919  kur Papa Benedikti XV themeloi Eparkinë e Ungrës të arbëreshëve të Italisë Kontinentale, nën jurisdiskionin e Selisë së Shenjtë. "Ngjarje historike, me rëndësi të madhe për shqiptarët e Kalabrisë, me ndikime antropologjike e shoqërore e, natyrisht, edhe kishtare. I jemi shumë mirënjohës Selisë së Shenjtë, që me largpamësi, na ndihmoi e mbrojti, jo vetëm materialisht, por edhe shpirtërisht”, tha peshkopi imzot Donato Oliverio.

Eparkia është themeluar në vitin 1919, por arbëreshët banojnë në Kalabri, që nga shekulli XV. “Saktësisht – nënvizon ipeshkvi i Ungrës Imzot Donato Oloverio– këto bashkësi fillojnë të jetojnë në territoret italiane pas Koncilit të Firences të vitit 1439, i cili deklaroi bashkimin e Kishës romake me atë greke. Filloi emigracioni i etërve tanë, për shkak të luftës me turqit, ndalur në Ballkan nga heroi shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i nderuar me titullin ‘Atlet i Krishtit’. Emigracioni vijoi edhe pas rënies së Kostandinopojës dhe pas vdekjes së Skënderbeut. Në ato kohë, u zhvendos një komb i tërë, një Kishë, krishterimi shqiptar, gjuha greke, gjuha shqipe, një popull i tërë me gjithë trashëgiminë e tij, për të pasur mundësinë të mbetej gjallë, i lirë dhe i krishterë".

“Kisha arbëreshe është protagoniste në çështjen e madhe të ribashkimit të të krishterëve. Shën Pali VI i pati quajtur besimtarët arbëreshë pararendës të ekumenizmit modern. Pra, ne si Eparki, duhet të mendojmë në mënyrë ekumenike, ta jetojmë ekumenizmin, të nxjerrim fryte ekumenike nga fakti që jemi katolikë të ritit bizantin”. Këtë thekson ipeshkvi i Ungrës, imzot Donato Oliverio, me rastin e 100-vjetorit të Eparkisë.

Mbi domethënien e kësaj ngjarjeje kishtare e kombëtare, në mikrofonin e Radio Vatikanit, të dëgjojmë, në gjuhën e lashtë arbëreshe, ipeshkvin e Ungrës, imzot Donato Oliverio, i cili mes tjerash, thekson ndihmën vendimtare që Papët e Romës u dhanë arbëreshëve për ruajtjen e identitetin të tyre dhe për kultivimin e traditave etnike e kishtare.

Të dëgjojmë së pari ipeshkvin e Ungrës imzot Donato Oliverio...

Të dëgjojmë së pari ipeshkvin e Ungrës imzot Donato e Oliverio

Mbi domethënien e këtij jubileu, identitetin dhe kontributin e arbëreshëve flasim me prof. Domenico Morellin, prof. Zef Chiaramonten, diakonin Giampiero Vaccaro e Antonella Bellizzi....

Flasim me prof. Domenico Morellin, prof. Zef Chiaramonten, diakonin Giampiero Vaccaro e Antonella Bellizzi.
19 shkurt 2019, 17:00