Kërko

  Patriarku Louis Raphael Sako Patriarku Louis Raphael Sako 

Patriarkët: Perëndimi, bashkëfajtor për konfliktet e Lindjes së Mesme

Në Konferencën e 55-joqeveritare për Sigurinë, mbajtur në Munih të Bavarisë, që përfundoi dje, ishte e pranishme edhe një përfaqësi cilësore e Kishave të Lindjes së Mesme, e përbërë nga patriarku kaldeas, Louis Raphael Sako dhe patriku siro-ortodoks i Antiokisë, Mor Ignatios Aphrem II.

R. SH. - Vatikan

Duke qenë të pranishëm në samit - njofton Agjencia Fides- patrikarkët patën mundësi të merrnin pjesë në takimet dypalëshe me përfaqësues politikë të vendeve të ndryshme dhe të bisedonin gjerësisht në një  takim  kushtuar gjendjes së bashkësive fetare në Lindjen e Mesme, organizuar më 16 shkurt, nga Hanns Seidel Foundation.

Perëndimi nuk e favorizoi kurrë lindjen e shteteve të së drejtës në Lindjen e Mesme

Patriarku Sako, në fjalimin e tij, kujtoi shkaqet që kontribuan në shekullin e  fundit për vështirësimin e kushteve të jetesës së bashkësive të krishtera vendase në Lindjen e Mesme. Primati i Kishës kaldease, i krijuar kardinal nga Papa Françesku, kujtoi se që nga çasti i shembjes së Perandorisë Otomane, superfuqitë perëndimore pushtuese, nuk treguan kurrfarë vëmendjeje për të favorizuar, në Lindjen e Mesme, krijimin e shteteve të së drejtës, ku të gjithë shtetasve do të mund t’u garantoheshin të drejtat e barabarta. Patriarku kujtoi edhe konfliktin izraelito-palestinez, si faktor historik, që kontribuoi për të ushqyer islamin politik, si edhe paragjykimin (lindur me ngjarje historike të largëta në kohë, si kryqëzatat), që i etiketon të krishterët lindorë si “aleatë”  të politikave të mbifuqive perëndimore.

Politika perëndimore e inkurajoi konfliktin në Lindjen e Mesme

Duke folur për situatën e veçantë në Irak, Patriarku Sako rikujtoi se qëkur u shemb regjimi i Saddam Husseinit (2003), irakianët u zhytën në kaos të mirëfilltë, që pati si pasojë boshllëkun politiko-institucional, ku u hapën plagët e sektarizmit, të korrupsionit e të shumëfishimit të milicive dhe të grupeve të armatosura, jashtë kontrollit të autoriteteve shtetërore. “Mungesa e stabilitetit në Lindjen e Mesme - kujtoi Patriarku kaldeas - kontribuoi për lindjen e dilemës të të krishterëve, për shkak se politika perëndimore, që inkurajonte konfliktin në rajon, nuk e mbështeti demokracinë e lirinë. Me fjalë të tjera - shtoi Patriarku -  “superfuqitë   perëndimore bënë ç’është e mundur të zhvillonin ekonominë e të mbronin interesat e tyre, në dëm të vendeve tona. Kryesisht, duke kontrolluar naftën dhe pasurisë e tjera natyrore, e edhe duke u përpjekur për t’u shitur sa më shumë armë të dyja palëve”.

Si mund të dilet nga kriza

Kemi vuajtur edhe tepër - deklaroi Patriarku kaldeas - duke nënvizuar se  vendet e Lindjes së Mesme mund të dalin nga kjo krizë, vetëm nëse u njihen të drejtat e barabarta qytetare e nëse  zbatohen programe shkollore  larg çdo diskriminimi, duke zhdukur plotësisht ideologjinë e xhihadit në Islam ose atë të Luftës së shenjtë në krishterim e në fetë e tjera.

Patriarku shprehu besimin tek vizita e Françeskut në Emiratet e Bashkuara Arabe

Kardinali Sako shprehu besimin se vizita e Papës Françesku në Emiratet  e Bashkuara Arabe dhe botimi i dokumentit kushtuar Vëllazërimit,  nënshkruar nga Françesku, së bashku me Imamin e madh të al Azhar, do të kontribuojë për t’i zhdukur të gjitha shkaqet, që mbajnë gjallë fanatizmin fetar.

Situata në Siri

Situata në Siri rëndohet edhe nga masat ndëshkimore, të imponuara nga disa vende. Patriku ortodoks Mor Ignatios Aphrem II, në fjalën e tij kushtuar situatës në Siri, kujtoi dy kryeipeshkvijtë e Halebit - greko-ortodoksin Boulos Yazigi dhe siro-ortodoksin Mar Gregorios Yohanna Ibrahim, zhdukur gjatë ndeshjeve të prillit 2013 dhe shprehu pakënaqësinë për mungesën e përfaqësuesve të qeverisë siriane ndërmjet të ftuarve  në samitin kushtuar sigurisë. Primati i Kishës siro-ortodokse vuri në dukje se  në fazën akuale, vuajtjet e popullit të Sirisë, vend i shkatërruar nga konflikti, rëndohen edhe më shumë nga masat ndëshkimore ndërkombëtare të imponuara nga disa vende.

Në Konferencën e Munihut mbi Sigurinë morën pjesë, ndërmjet tjerëve, kancelarja gjermane Angela Merkel (e duartrokitur stuhishëm në fund të fjalimit të saj, nga një plate prej 450 pjesëmarrësish), zëvendës-presidenti i SHBA-ve, Mike Pence dhe ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov.

18 shkurt 2019, 18:22