Të rinjtë shqiptarë në DBR-në e Panamasë Të rinjtë shqiptarë në DBR-në e Panamasë 

Të rinjtё shqiptarë në DBR-në e Panamasë dhe java me Papёn

Dy dëshmi tё tё rinjve shqiptarё nga DBR-ja e Panamasë dhe pasqyra e javёs nga aktiviteti i Papёs dhe i Kishёs.

R.SH. - Vatikan

“Për ta kuptuar mirë dramën e abortit, duhet ndenjur në rrëfyestore”. Kështu tha Papa Françesku, të hënën, më 28 janar, gjatë konferencës për shtyp, në avionin, që e kthente në Romë nga Panamaja, ku shkoi për Ditën Botërore të Rinisë.

Tema e shtatzanisë së vajzave akoma të mitura është problem mjaft i ndjerë në Amerikën Latine, ku vetëm vitin e kaluar, numri i atyre, që mbetën shtatzanë në moshën shkollore, arriti në 10 mijë. Pikërisht, duke iu referuar kësaj gjendjeje, Papa Françesku theksoi: “Mendoj se në shkolla duhet mësuar edukimi seksual. Seksualiteti është dhuratë e Zotit, jo ndonjë përbindësh. Është dhuratë e Zotit për të dashur tjetrin e, nëse ndokush e përdor për të fituar para, ose për të shfrytëzuar të tjerët, kthehet në problem. Duhet dhënë një edukim seksual objektiv, pa kolonizime ideologjike. Nëse në shkolla jepet edukimi seksual i mbrujtur me kolonizime ideologjike, kjo e shkatërron njeriun. Seksualiteti si dhuratë e Zotit duhet edukuar, por jo me ngurtësi”.

Ndërkaq, duke komentuar fjalët e forta të një të riu mbi abortin, gjatë Udhës së Kryqit në Panama, Papa nënvizoi: “Mesazhi i mëshirës është për të gjithë, edhe për gruan shtatzanë. Pas atij dështimi, ka edhe mëshirë. Por mëshirë e vështirë, sepse problemi nuk është dhënia e faljes, është shoqërimi i gruas së vetëdijësuar për abortin që ka bërë. Janë tragjedi të tmerrshme”.

Pikërisht mbrëmë u kthye nga Panamaja, grupi i të rinjve nisur nga Shqipëria për në Ditën Borërore të Rinisë. Të dëgjojmë dëshmitë e dy prej tyre, dërguar nga njëra prej koordinatoreve të grupit, motër Malvina Doçi…

Dëgjo Gentian Perbibajn...
Dëgjo Erilio Jakun...

mesazhin për pjesëmarrësit e Konferencës IV ndërkombëtare për “ekuilibrin e botës”, që u mbajt javën e kaluar në Havanë të Kubës, Papa Françesku nënvizoi se çekulibrimet e ambientit vënë në rrezik qytetërimin aktual.

 “Është e lehtë të vërehet si ngjarjet e ndryshme në planet kanë kontribuar seriozisht në prishjen e ekuilibrit të qytetërimit aktual – shkruan Ati i Shenjtë në mesazh. - Për këtë arsye, njerëzit e mirë duhet të mblidhen e të takohen në raste të tilla, në një kuadër pluralizmi, për promovimin e vërtetë njerëzor, me sigurinë se ata, që përpiqen të mbrojnë dinjitetin e njerëzve, mund të gjejnë në fenë e krishterë argumentet më të thella për këtë impenjim”. Në mesazhin, që mban datën 29 janar, Papa Françesku përmendi enciklikën “Laudato si’”, të cilën jua ripropozoi rreth 650 delegatëve të Konferencës, ardhur nga 65 vende të botës.

 “Ambienti njerëzor dhe ambienti natyror – vijon më tej Ati i Shenjtë – ecin së bashku e mund të degradohen së bashku. Shkatërrimi i ambientit nuk mund të përballohet si duhet nëse nuk kuptojmë arsyet, që kanë të bëjnë me degradimin njerëzor e shoqëror”.

                                                      ******

Britania e Madhe do t’i kushtojë një vit rizbulimit të Shkrimit Shenjt. Vërtet, më 2020, me rastin e 10-vjetorit të Nxitjes Apostolike të Papës Benedikti XVI, “Verbum Domini”, si edhe të 1600-vjetorit të vdekjes së shën Jeronimit, Konferenca Ipeshkvnore Katolike e Anglisë dhe e Uellsit, si edhe “Shoqëria Biblike”, do të ndërmarrin një sërë nismash në këtë drejtim.

Në program, një Ungjill i menduar për ata, që vuajnë nga autizmi dhe, një tjetër, ai i Mateut, në gjuhën e shenjave për ata, që kanë vështirësi dëgjimi. Gjithashtu, edhe një opera shëtitëse në 22 dioqezat katolike të Anglisë dhe Uellsit. Ndërkaq, kore emigrantësh do të japin një sërë koncertesh.

                                                     *******

Dje pasdite, Papa Françesku kremtoi meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, në Ditën e 23-të Botërore të Rregulltarëve. Siç është e natyrshme, kisha ishte mbushur plot me rregulltarë e rregulltare, anëtarë të Instituteve të Jetës së Shuguruar dhe Shoqërive të Jetës Apostolike.

Sot në të gjitha dioqezat italiane, u kremtua Dita e 42-të për Jetën. Anëtarët e Lëvizjes për Jetën, të cilët prej 40 vjetësh kujdesen vazhdimisht për jetën e palindur akoma dhe për gratë, që çojnë përpara shtatzani të vështira, u takuan dje me Papën Françesku, në Vatikan. Tema e sivjetme e kësaj Dite – “Është jetë, është e ardhme” – kujton dhuratën më të çmuar, që Zoti i bëri njeriut, si edhe ndërhyrjet e shumta të Papës për mbrojtjen e jetës, që nga zënia deri në vdekjen e natyrshme, gjithnjë me shpresën e krishterë në zemër e në mendje.

03 shkurt 2019, 09:29