Kërko

Vatican News
Shën  Françesku i Asizit me  Sulltanin e  Egjptit AL-Kamil në vitin 1219 Shën Françesku i Asizit me Sulltanin e Egjptit AL-Kamil në vitin 1219  

Dy Françeskë, në dy epoka të largëta, në viset e lindjes, me armën e dialogut

Papa Françesku niset sot për në Abu Dhabi, ku do të qëndrojë deri më 5 shkurt. Ky shtegtim të kujton një tjetër, historik, në viset e lindjes, atë të Shën Françeskut, shumë shekuj më parë, me të njëjtën armë: dialogun. E të njëjtën moto: “Zot, më bëj mjet të paqes sate”

R. SH. - Vatikan

Gjithçka nisi në vitin 1219, me një takim, në Aleksandri të Egjiptit. Takoheshin dy njerëz, që besohej se nuk kishin asgjë të përbashkët: Françesku i Asizit me Sulltanin e Egjiptit, Melek Al Kamil. Në një kohë kur të krishterët nuk mund as të shkonin të luteshin në viset, ku zu fill feja e tyre, krishterimi. E popujt e perëndimit ndesheshin për jetë a vdekje me ato të Lindjes, në ato ndeshje, që mbetën në histori me emrin kryqëzatat.

Rrënimi i Varrit të Krishtit

Ishte rrënimi i Varrit të Jezusit nga ana e kalifit Hakim, në vitin 970 pas Krishtit, që i ndezi shpirtrat në Perëndim dhe i hapi portën epokës së kryqëzatave, domethënë luftës dhe gjakderdhjes. Pikërisht në këto kohë, ngarkuar me ngacmime nga të dyja palët, Françesku u nis drejt botës lindore, për t’u takuar me Sulltanin. Dhe u takua. Miqësisht. Aq sa nxori prej tij lejën që Françeskanët të hynin e të dilnin lirisht në Tokën Shenjte, madje të ishin kujdestarë e mbrojtës të përhershëm të kësaj Toke e të simboleve të saj të papërsëritshme. E që asokohe, françeskanët   vijojnë të jenë roje të viseve ku lindi, predikoi, u kryqëzua e u ngjall Krishti.

Shën Françesku  “i pushtoi” Viset Shenjte me dialog

Ndonëse jetoi në kohën kur si në viset e Perëndimit, ashtu si në ato të Lindjes, endej fantazma e vdekjes, Shenjti i paqes e të mirave nuk mund ta duronte gjakderdhjen. U nis, prandaj, me bindjen se do të mund të fitonte  me dialog.  Në Rregullën e tij të parë (1221), thuhet: “Fretërit,  që shkojnë  në Tokën Shenjte, nuk duhet të pranojnë as sherre e as grindje. Duhet të vihen në shërbim të të gjithëve e të dëshmojnë me jetë se janë të krishterë. Nëse, pastaj, Shpirti Shenjt i shndrit, munden edhe të predikojnë”. E pikërisht kjo sjellje u krijoi kushtet të shkelin lirisht në viset e Mamelukëve. Që asokohe e deri më sot!

A ishte Françesku i pari, që përdori armën e dialogut?

Françesku qe i pari që, në kohën e kryqëzatave, kur derdhej shumë gjak, në emër të gjakut të Krishtit, përdori armën e dialogut e të dashurisë. Arma e vetme e Zotit! Françeskanët u vunë në shërbim të të gjithëve, të krishterë e myslimanë, dhe dëshmuan se kishin shpirtin e universalitetit modern ante litteram. Ruajtja e Viseve të Shenjta ishte e është arsyeja themelore e pranisë françeskane në Tokën Shenjte. Detyrë, që e ushtruan e vijojnë ta ushtrojnë  përmes vështirësish e konfliktesh të jashtëzakonshme. Aty ata nisën  shërbimin  shoqëror, asistencial e formues. Vijuan kështu “luftën që Shën Françesku e fitoi “me armën e dialogut”. Duke luftuar me të njëtën armë!

Kuvendi i parë

Në sallonin e pritjes së Kuvendit françeskan në Jeruzalem, mund të soditen edhe sot e kësaj dite pesë piktura, që përjetësojnë misionin e Françeskanëve në Tokën Shenjte. Ndërmjet tyre, kompozimi në të cilin paraqiten Roberti d’Anzhu dhe bashkëshortja e tij Sancha di Maiorca, sovranë të Napolit, duke blerë Çenakullin e An-Nasir Muhammad, Sulltan i Egjiptit, më 1333, për t’ua dhuruar françeskanëve, që ngritën pikërisht aty, kuvendin e tyre të parë. Më 1342 Papa Klementi IV e institucionalizoi misionin e Rojtarisë së Françeskanëve në Tokën Shenjte.

Çka ruajnë françeskanët në Tokën Shenjte

Ruajnë pesë gjëra: vendet, që lidhen me jetën e Krishtit, restaurimin e tyre, kujdesin për studime arkeologjike e biblike, përshpirtërinë e viseve dhe të drejtat e tyre. Duke e vijuar luftën e vështirë, gjithnjë me armën e dialogut!

Një Françesk tjetër, në viset  arabe, me të njëjtën armë

Kanë kaluar qindra vjet nga koha, tashmë legjendare, e shtegtimit të Françeskut të Asizit në këto vise, ku la pas gjurmët e tij, si njeri i paqes, i të mirave, i dialogut. Pikërisht mbi këto gjurmë përgatitet të shkelë, më  3 deri më 5 shkurt, një Françesk tjetër, nën shenjën e shpresës. Historia, ndonëse me ngjyrime moderne, përsëritet….

03 shkurt 2019, 11:11