Kërko

Michelangelo Buonarroti Michelangelo Buonarroti 

Michelangelo: “Gjeniu i përvuajtur, që vijon t’i flasë njeriut, për Zotin”

Më 18 shkurt vdiste në Romë, 89 vjeç, Michelangelo Buonarroti, artist fiorentin, që krijoi kryevepra të pashoqe në skulpturë (Zoja e Dhimbshme, Moisiu e Davidi); pikturë (Qemeri dhe Gjyqi i Mbramë, në Kapelën Sikstine) e akitekturë (Kupola e Shën Pjetrit). Mbeti, kështu, i gjallë, në kujtesën e njerëzve, që kanë fatin t’i sodisin, të paktën një herë në jetë, mrekullitë e krijuara prej tij.

R. SH. - Vatikan

Gjeni i përvuajtur, e merrte forcën nga arti i tij e përmes këtij arti, shprehte fenë e patundur, ndonëse të trazuar. Michelangelo Buonarroti, që vdiq në Romë, më 18 shkurt të vitit 1564, pak ditë para se mbushte 89 vjeç, ia kushtoi edhe çastet e fundit të jetës, e mendimet e fundit, skulpturës së papërfunduar “Pietà Rondanini”, sot e ruajtur në muzeun e Kështjellës Sforceske të Milanos.

Me ethe të forta, duke skalitur “Pietà Rondanini”

Shkruan Daniele Volterra, nxënësi, që i ndenji pranë deri në fund të fundit e që pastaj u ngarkua ta mbulonte lakuriqësinë e figurave të Gjyqit të Mbramë me “brakeshat” e famshme (e për këtë arsye u quajt më pas edhe “brakeshaxhi”), për fundin e tij: “Ai punoi gjatë gjithë së shtunës, që i paraprinte së dielës së Karnavaleve. Të hënën u sëmur. Vijoi punën në këmbë, duke e studiuar nga lart trupin e Zojës së Dhimbshme. I kapërthyer nga ethet. Derisa nuk mundi të qëndronte më në këmbë. Ethet ia morën jetën. I mbylli sytë në shtëpinë e tij të thjeshtë romake, në rrugicën de’Fornari të rrugës Marcel de Corvi, mbi të cilën sot ngrihet Vittoriano. Orët e fundit i kaloi në jerm aq, sa t’i kërkonte shërbëtorit, Antonit, t’ia sillte menjëherë kalin e tij të dashur. Për t’u nisur. Dikund….

Vdekja i trokiti në portë të premten e Kreshmëve 1564

E shërbëtori mezi e bindi të ulej në poltronë. Kishte pranë edhe Tommaso de’Cavalier, fisnik i ri romak, si dhe dy mjekë. Ndër ethe, kërkoi t’i thërrisnin të nipin Leonardo, që jetonte në Firence. Daniele da Volterra, në këtë 14 shkurt, e hëna e Karnavaleve, i shkroi të nipit të vraponte sa më shpejt, nëse donte ta gjente ende të gjallë të ungjin. Ishte e mërkura e përhime e Mikelanxhelo nuk jepte as merrte. Ishte krejtësisht i përhumbur.  E mbartën në shtratin e tij të hekurt, shtruar me dyshek prej kashte, ku u kthjellua paksa. E në ato çaste të kthjellta, të fundmet, i kërkoi Antonit t’i lexonte Mundimet e Krishtit. Bëri edhe testamentin e më pas u shua ngadalë, të parën të premte të Kreshmëve. Leonardi mundi të arrinte vetëm  më 24 shkurt, kur trupi i vdekur i Artistit “të pavdekshëm” pushonte në Kishën e Apostujve të Shenjtë, i veshur si njeri që përgatitet për rrugë të gjatë, me petkat e zeza, të cilat i mbante kur përgatitej të kalëronte, me kapelën e modës së vjetër e çizmet me mamuze.

Trupi u mbart në Firence, për t’u varrosur në Santa Croce

Po kremtimi mortor romak nuk ishte i vetmi, e as i fundmi, për Artistin e madh. Pa e lajmëruar Papën, i cili pati shprehur dëshirën që i vdekuri të pushonte në paqe në Bazilikën e Shën Pjetrit, i nipi, Leonardi, me trupin e vdekur të të ungjit, u nis natën për Firence, ku arriti më 11 mars. Më 12 u kremtua funerali i parë. Ndërsa Mesha solemne e Dritës u kremtua në Kishën e Shën Lorencit. Së fundi, trupi i artistit u varros në Bazilikën e Sh’na Krygjës e, në vitin 1570, u mbart në varrin monumental, vepër e Vasarit, ku pret e përcjell me mijëra shtegtarë, vizitorë të këtij varri, në të cilin pushon një i vdekur, që i përket racës njerëzore të të pavdekshëmve! Tejet të rrallë, në këtë botë që rrotullohet prej miliona vjetësh! Varr, pranë të cilit njeriu ndalet për të medituar për jetën e Michelangelo-s, të rruzullimit e edhe të vetën. E nuk mund të lagohet prej tij, pa i bërë vetes pyetjen: “Po unë?”…

Në Shën Pjetër, ndriçim i ri i “Zojës së Dhimbshme të Michelangelo-s”

 “‘Pietà’ - apo Zoja e Dhimbshme - është vetë feja e Artistit të madh, skalitur në mermer”. Që mund të shijohet tani nën një dritë të re, të shkëlqyer.

E faktori dritë është tepër i rëndësishëm. Michelangelo e pati menduar këtë ndriçim me vlera të ulta, duke i lëmuar me shumë kujdes sipërfaqet, në mënyrë që grupi i mermertë të mund të shijohej edhe nën dritën e zbehtë të qirinjve. Është hera e parë që Fabrika e Shën Pjetrit e ndriçon me një kujdes kaq të madh, duke e veshur me dritën e burimeve Led, fjala e fundit e shkencës në këtë fushë, gjë që vë në dukje tonalitetet e bardha të ngrohta dhe siguron reflekse  të larta kromatike.

Projekti  i ri e realizoi  ndriçimin në katër skenare të ndryshme. “Skenari verior”, i njohur edhe me emrin “skulpturor”, synon ta përqendrojë dritën mbi skupturën, ndërsa dyshemeja, tavani e sfondi ndriçohen zbehtë. Krijohet, kështu, ekulibri i dritë-hijeve, duke nxjerrë në pah plasticitetin e veprës dhe duke krijuar mundësinë të shijohet çdo hollësi, e njëkohësisht, gjithë harmonia e skulpturës. Vijnë pastaj “Skenari lindor”, një fashë drite, që e ndriçon perpendikularisht Pietà-në, ndërsa qemeri e dyshemeja  mbeten në hije; “Skenari i jugut”, që njihet si “i dritës së plotë”, i cili i ndez gjithë aparatet, duke e bërë vetë skulpturën burim drite. Më pas, akoma, “Skenari i perëndimit”, i njohur me emrin “i përditshëm”, që i krijon vizitorit mundësi ta shijojë veprën përmes vetratës së mbrojtjes.  Prandaj ndriçimi është frontal e fashat e dritës kryqëzohen me skajet simetrike, për t’i krijuar spektatorit mundësinë ta shijojë plotësisht këtë kryevepër të pashoqe. Qemeri kryesor ndriçohet në mënyrë uniforme, ndersa harkadat dhe qemeret anësore marrin një dritë me intensitet më të ultë.

Kështu, pas këtij ndriçimi, vizitorët mund t’i provojnë akoma më thellë emocionet, që, me a pa dritë, vijuan t’i trondisin në shekuj para skenës tragjike skalitur në mermer, që e paraqet si të ishte e gjallë Marinë, Nënën e Krishtit me të Birin e sapozbritur nga kryqi në prehër. E të  nxit të bësh edhe dy hapa më tutje, për të soditur kryeveprën tjetër mekelanxholeske, këtë radhë në pikturë, Kapelën Sikstine!

18 shkurt 2019, 15:52