Kërko

2019.02.17 Vangelo di domenica 2019.02.17 Vangelo di domenica 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të gjatë vitit kishtar “C”

Jezusit në Ungjillin e kësaj së diele flet për lumnitë, na kërkon që t’i kthejmë sytë nga Hyji e nga i afërmi ynë. Lumnitë ungjillore janë një biografi e fshehtë, e brendshme e Jezu Krishtit, janë si një portret i figurës së tij. Tek Lumnitë bëhet i dukshëm misteri i vetë Krishtit dhe ato na thërrasin të bashkohemi me Të, në jetën e përditshme.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj rradhe do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 6-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të gjatë vitit kishtar “C”

T’i ndjekësh e t’i jetosh Lumturitë ungjillore që, si “udhërrëfyese” të jetës së krishterë, u tregojnë të krishterëve udhën e drejtë të jetës. Kjo ftesa e Fjalës së Zotit, posaçërisht e Ungjillit të kësaj së diele të gjashtë gjatë vitit kishtar.  Lumnitë – shkruan Papa Benedikti XVI në veprën e tij “Jezusi i Nazaretit” – janë një biografi e fshehtë, e brendshme e Krishtit, si një portret i figurës së tij”. “Tek Lumnitë – shkruan akoma Ratzinger – bëhet i dukshëm misteri i vetë Krishtit dhe ato na thërrasin të bashkohemi me Të”. 

Kur Jezusi e shndërroi malin në ‘katedër, nuk e bëri për të propozuar një ideologji të re, por për t’i mësuar njerëzimit se pasuritë qiellore e shuajnë etjen dhe i thajnë lotët e atij që vuan, shumë më tepër sesa pasuritë e se ngushëllimet tokësore. Ky është mësimi që na ofron ‘fjalimi i madh” i Lumturive, i cili tingëllon gati-gati si Ungjill brenda Ungjillit. Mesazhi i Jezu Krishtit, ku shpall të lum të braktisurit, i drejtohet mbarë botës, sot e në të ardhmen, e mund të kuptohet e të jetohet, vetëm duke ecur në gjurmët e Mësuesit Hyjnor. Nuk është fjala për një ideologji të re, por për një mësim, i cili vjen nga lart, nga qielli e i drejtohet njeriut nga një Zot, që u mishërua, pikërisht për ta shpëtuar.

Lumturitë ungjillore janë program i ri jete. E çlirojnë njeriun nga vlerat e rreme të botës e i tregojnë cilat janë pasuritë të vërteta, të sotme e të nesërme. Kur Zoti ngushëllon, kur shuan etjen për drejtësi, kur than lotët e të mjerëve, do të thotë se jo vetëm që e shpërblen secilin sipas veprave të veta, por i hap edhe rrugën drejt mbretërisë së qiejve.

Kryqi e Ngjallja e Krishtit, janë edhe kryqi e ringjallja e dishepujve. E kjo, sepse në jetën e dishepujve e të besimtarëve pasqyrohet plotësisht jeta e Birit të Zotit, i cili i lë kundërshtarët të persekutojnë, të të poshtërojnë e deri të të dënojnë me vdekje, vetëm e vetëm që t’u dhurojë njerëzve shëlbimin. E është pikërisht kjo sjellje, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme mbi dymijë vjet historie të Kishës, e këtu nuk mund të mos i përmendim e kujtojmë, me mirënjohje, Martirët e panumërt të Kishës në botë e edhe të Kishës ndër shqiptarë.

Ungjilli i Lumturive komentohet lidhur me historinë e Kishës, histori e shenjtërisë së krishterë, sepse – siç shkruan Shën Pali – Hyji zgjodhi ata, që në sytë e botës janë të marrë, për t’i turpëruar të mençurit; ata, që janë të dobët, për t’i turpëruar të fortët; zgjodhi ata, që janë asgjë, për të asgjësuar kë mendon se është gjithçka. Prandaj Kisha nuk ka frikë nga varfëria, nga poshtërimet, nga persekutimet, në një shoqëri e cila shpesh tërhiqet vetëm nga mirëqenia materiale e nga pushteti i kësaj bote. Kisha nuk ka frikë nga persekutimet, as nga presionet e një shoqërie, që i kushton vëmendje të dorës së parë mirëqenies materiale dhe i lë pas dore vlerat e shpirtit.

                                            Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Jer 17, 5-8
Profeti Jeremia shpall se njeriu gjendet para dy rrugëve dhe duhet të zgjedhë njërën: e para është pikërisht ajo që të vendosë besimin e vet në njeriun, në të mirat tokësore dhe kështu është i dështuar, e dyta është ajo që të vendosë besimin e vet në Hyjin dhe të fitojë lumturinë e vërtetë. Profeti na nxit të dalim nga shpresat e rreme që njeriu ndërton me duart e veta duke gënjyer veten se është i lumtur dhe i realizuar.

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Kështu thotë Zoti: “Qoftë mallkuar ai njeri që në njeriun shpreson, ai që mbështetjen e vet e ka në njeriun dhe që trupin e dobët e konsideron muskul të vet, e zemra e tij largohet prej Zotit. Ai do të jetë porsi marena në shkretëtirë: nuk sheh kur vjen e mira, i shkojnë ditët në thatësirën e shkretëtirës, në tokë të kriposur, të pabanueshme. 
Qoftë bekuar ai që shpreson në Zotin, Zoti do të jetë shpresa e tij. Ai do të jetë porsi druri i mbëltuar në breg të ujit, që kah përroi i lëshon rrënjët e s’do të trembet kur të vijë zhegu: gjethi i tij do të jetë i blertë. Për vit thatësie s’është në kujdes, nuk pushon duke dhënë fruta.” Fjala e Zotit.


Psalmi 1

Lum njeriu që shpreson në Zotin
--- --- ---
Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e bakëqijve,
që nuk qëndron në udhën e mëkatareve,
e nuk rri së bashku me përqeshës;
por kënaqet në ligjin e Zotit,
dhe e kujton atë ditë e natë.
--- --- ---
Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh,
e cila frytin e vet e jep në stinë,
dhe gjetet kurrë s’i vyshken:
i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.
--- --- ---
Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve,
por ata janë porsi byku që e shpërndan era.
Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve,
kurse udha e bakëqijve do të mbarojë.
--- --- ---

Leximi i dytë 1 Kor 15, 12.16-20
Pali, pasi ka provuar sigurinë e ringjalljes së Krishtit, që është themel i besimit tonë, pohon që në të gjendet garancia e ringjalljes së trupave tanë në fund të kohërave.  Të besosh në ringjalljen do të thotë të besosh që jeta është një realitet e jo një iluzion. 

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve

Vëllezër, në qoftë se predikohet se Krishti është ngjallur prej të vdekurish, si atëherë disa prej jush thonë: “Nuk ka ngjallje prej të vdekurve”? Sepse, në mos u ngjallshin të vdekurit, as Krishti nuk është ngjallur. Po në qoftë se Krishti nuk është ngjallur, e kotë është feja juaj, ende jeni në mëkatet tuaja. Atëherë edhe ata që vdiqën në Krishtin, u borën. 
E në qoftë se në Krishtin shpresojmë vetëm në të mirat e kësaj jete, atëherë ne jemi njerëzit më të mjerët. Por, verevërtet, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve!  Fjala e Zotit.

Ungjilli Lk 6, 17.20-26
Jezusi shpall se ardhja e mbretërisë së tij do të përmbysë situatat njerëzore: Ungjilli do të jetë pasuri për të varfrit, liri për të shfrytëzuarit, gëzim për të trishtuarit. Lumturitë e Ungjillit shpallin arritjen e Hyjit në historinë e njerëzve dhe ndërhyrjen e tij për të shndërruar ngjarjet tona. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi zbriti bashkë me të dymbëdhjetit e zuri vend në rrafshinë. Ishte aty një shumicë e madhe nxënësish të tij dhe një turmë e madhe e popullit prej mbarë Judesë, prej Jerusalemit dhe prej bregut të detit të Tirit e të Sidonit.
Jezusi, si i drejtoi sytë e vet mbi nxënës, thoshte: “Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit! Të lumët ju që tani keni uri, sepse do të ngiheni! Të lumët ju që tani qani, sepse do të qesheni! Të lumët ju kur njerëzit do t’ju urrejnë, kur do t’ju përjashtojnë prej rrethit të tyre, kur do t’ju poshtërojnë, kur do ta çmojnë emrin tuaj për të pandershëm për shkak të Birit të njeriut! Atë ditë gëzohuni dhe kërceni sepse ju pret shpërblim i madh në qiell. Vërtet, në të njëjtën mënyrë vepruan edhe etërit e tyre me profetët!
Por, vaj për ju, o pasanikë, sepse e keni ngushëllimin tuaj! Vaj për ju që tani jeni të ngopur, sepse do të pësoni uri! Vaj për ju që tani qesheni, sepse do të vajtoni e do të qani! Vaj për ju, kur të gjithë njerëzit do t’ju lëvdojnë, sepse ashtu vepruan edhe etërit e tyre me profetët e rrejshëm!” Fjala e Zotit

15 shkurt 2019, 17:52