Kërko

Jezu Krishti Jezu Krishti 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 7-të gjatë vitit kishtar “C”

“Duani armiqtë tuaj”, ky është urdhri i Jezusit për të gjithë. Luka, në fragmentin e Ungjillit, nuk paraqet një të vërtetë abstrakte, por shpjegon në mënyrë shumë konkrete në çfarë konsiston dashuria absolute që Jezusi u kërkon dishepujve të tij. Ajo është e përbërë nga durimi, toleranca, mëshira, falja. Në jetën e përditshme, në fakte, në takime jemi të thirrur për të jetuar këtë dashuri.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të dielës së 7-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 7-të gjatë vitit kishtar “C”

Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na sjell në zemrën e Ungjillit, te thelbi i Urdhrit themelor, atij më të rëndësishmit që Jezu Krishti na porosit: Dashuria e pakufishme ndaj Zotit dhe ndaj të gjithë njerëzve, madje edhe ndaj armiqve. Fragmenti i Ungjillit të kësaj së diele, nga Luka (krh Lk 6,27-36,), na kujton se pasi i zgjodhi të Dymbëdhjetët, Jezusi zbriti me dishepujt e vet atje, ku një shumicë njerëzish e prisnin që ta dëgjonin e t’i shëronte. Thirrja e Apostujve shoqërohet me “vënien për udhë” drejt fushës, drejt takimit me turmën që, siç thotë teksti i Ungjillit, ishte e lodhur dhe e këputur (krh v,18).

Zgjedhja, në vend që t’i mbante në majë,  mbi mal, në majë të malit, i çon në zemrën e turmës. I vë në mes të vuajtjeve të saj, në planin e jetës së saj. Kështu Zoti u tregon  atyre, e edhe ne, se maja e vërtetë, që arrihet në fushë, gjindet në një shikim e, posaçërisht, në një thirrje: “Të jeni të mëshirshëm, ashtu si është i mëshirshëm Ati juaj”. (v 36). Ftesë, kjo, e shoqëruar nga katër urdhërime, a, mund të themi, nga katër nxitje, që Zoti Jezus ua drejton atyre, për të formuar thirrjen në jetën konkrete, në të përditshmen e tyre. Janë katër veprime, që i japin formë, i japin korp, e bëjnë të qartë udhën e dishepullit.

Mund të themi edhe se janë katër etapa të mistagogjisë së mëshirës: duani, bëni mirë, bekoni, lutuni! Mendoj se të gjithë pajtohemi me to e të gjithëve na duken edhe të arsyeshme. Janë katër veprime, që mund t’i realizojmë lehtësisht me miqtë tanë, me njerëzit pak a shumë të afërt, të afërt në ndjesi, në shije, në doke e zakone. Problemi lind kur Jezusi na paraqet ata, të cilëve u kushtohen këto veprime, e në këtë drejtim është krejt i qartë, nuk përdor perifraza, as eufemizma. Duajini armiqtë tuaj! Bëjuni mirë, atyre që ju urrejnë! Bekojini ata, që ju mallkojnë! Lutuni për ata, që  sillen keq me ju(krh vv 27-28).

E këto nuk janë veprime që kryhen vetvetiu me ata, që i kemi para nesh si kundërshtarë, si armiq! Përballë tyre, sjellja jonë e parë është instinktive. Mendimi i parë është t’ua nxjerrim bojën, t’i mbulojmë me turp, t’i mallkojmë; e në shumicën e rasteve, synojmë edhe “t’i demonizojmë”, në mënyrë që të kemi një justifikim të “shenjt” për t’i hequr qafe. Përkundrazi, kur bëhet fjalë për armikun, Jezusi na thotë: duaje, bëji mirë, bekoje, lutu për të! .

                                                                       Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë   1 Sam 26, 2.7-9.12-13.22-23

Mbreti Saul do të vrasë të riun David.  Një natë Davidi ka mundësi të hakmerret ndaj persekutuesit të tij, por nuk e bën.  Ai nuk i përgjigjet urrejtjes me dhunë, i druhet Hyjit, dhe refuzon ligjin e hakmarrjes.  I takon Hyjit të gjykojë, ndërsa neve na është dorëzuar ligji i faljes dhe i dashurisë.

Lexim prej Librit të parë të Samuelit

Në ato ditë, Sauli u çua dhe zbriti në shkretëtirën Zif dhe me të tre mijë veta, burra të zgjedhur të Izraelit, për ta gjurmuar Davidin në shkretëtirën Zif. Erdhën, pra, Davidi e Abisai natën tek ushtria dhe e gjetën Saulin duke fjetur në gjumë brenda rrethit. Heshtën e kishte të ngulur në tokë te kryet e vet, kurse Abneri e populli tjetër po flinin përreth tij.

Atëherë Abisai i tha Davidit: “Hyji sot ta ka lëshuar në duar të tua armikun tënd: tani po e përshkoj me heshtë e po e mbërthej për tokë me një të rënë të vetme, të sjell një herë tjetër s’do të kem nevojë.” Por Davidi iu përgjigj: “Ruaj se e vret! Cili shtriu dorën e vet mbi të shuguruarin e Zotit e do të jetë i pafajshëm?” Kështu, pra, i mori Davidi heshtën dhe brokën e ujit, që ishte te kryet e Saulit, dhe u larguan. Askush nuk i pa, askush s’diti gjë, askush nuk u zgjua. Të gjithë flinin: një gjumë i rëndë i dërguar prej Zotit i kishte pushtuar të gjithë.

Kur kaloi Davidi në anën e kundërt, u ndal në maje të malit, mjaft larg, në një largësi mjaft të madhe. Atëherë Davidi e thirri mbretin dhe tha: “Ja ku është heshta e mbretit! Le të vijë një djalosh e le ta marrë. Zoti shpërbleftë gjithkënd sipas drejtësisë së vet e besnikërisë. Zoti sot të lëshoi në duar të mia, por unë s’desha të çoja dorën time mbi të shuguruarin e Zotit.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

 

Psalmi 103

Zoti është i mirë dhe i madh në dashuri

Bekoje, shpirti im, Zotin,

dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

Bekoje, shpirti im, Zotin,

e mos i harro bamirësitë e tija.

Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,

Ai i shëron sëmundjet e tua;

Ai ta shpëton jetën prej varrit,

Ai të kurorëzon me mirësi e dashuri.

Zoti është i mirë e i mëshirshëm,

i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.

Nuk zemërohet gjithherë,

as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.

Sa është lindja larg perëndimit,

aq larg i tret prej nesh fajet tona.

Sikurse baba ka dhembje për fëmijët e vet,

ashtu Zoti ka dhembje për ata që e druajnë.

 

Leximi dytë 1 Kor 15, 45-49

Pali do të pohojë se njeriu, krijesë e lindur nga toka ka si fatin e vet qiellin.  Ai që ka marrë pagëzimin është bërë si Krishti dhe është përfshirë në të, për këtë i përket Krishtit të ringjallur.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, kështu është edhe shkruar: ‘Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë; Adami i fundit, Shpirti që jep jetën. Por nuk qe më parë qenie shpirtëror, por qenie lëndor, e atëherë u bë qenie shpirtëror. Njeriu i parë është nga toka, tokësor; njeriu i dytë nga qielli. Si është njeriu tokësor, të tillë janë edhe tokësorët; si është njeriu qiellor, të tillë janë edhe qiellorët. Sikurse kemi qenë në përngjasimin e njeriut tokësor, ashtu do të jemi edhe në përngjasimin e njeriut qiellor. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

 

Aleluja. Aleluja.

Po ju jap një urdhër të ri, thotë Zoti:

duani njëri-tjetrin sikurse unë ju desha juve.

Aleluja.

 

Ungjilli   Lk 6, 27-38

Në diskutimin në mal Jezusi paraqet kërkesat themelore për të qenë dishepull i tij.  Sot na kërkohet dashuria për armiqtë që trondit pak të gjithë.  Është dikush që në emër të Ungjillit e miraton dhunën, dhe dikush tjetër që e dënon.  Ky ndryshim do të kalojë kur ai që miraton apo dënon dhunën do të besojë me të vërtetë në ligjin e dashurisë, duke u angazhuar t’i shërbejë të afërmit në të drejtat e tij themelor pa interes, me vërtetësi dhe drejtësi.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Po ju them juve që më dëgjoni: Duani armiqtë tuaj, bënu mirë atyre që ju urrejnë, bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë.  Atij që të bie njërës faqe, ktheja edhe të tjetrën! Atij që ta rrëmben pallton, mos ia ndal as këmishën! Secilit që lyp prej teje, jepi; e atij që merr gjënë tënde, mos kërko ta kthejë!  Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjeni edhe ju atyre! Nëse i doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite të veçantë pritni? Sepse edhe mëkatarët i duan dashamirët e vet. Edhe nëse, pra, u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite të veçantë pritni? Aq bëjnë edhe mëkatarët. E në qoftë se u huajoni vetëm atyre, prej të cilëve shpresoni se do t’ju kthejnë, ç’shpërblim do të keni? Edhe mëkatarët u huajojnë mëkatarëve, por që t’u kthehet aq sa dhanë.  Por ju duani armiqtë tuaj, bëni mirë e huajoni pa pritur se do t’ju kthejnë gjë. Kështu do të jetë i madh shpërblimi juaj dhe do të jeni bijtë e të Tejetlartit Zot, sepse ai ua do të mirën edhe mosmirënjohësve e të këqijve. Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm. Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni! Mos dënoni e nuk do të dënoheni! Falni e do të gjeni falje! Jepni e do t’ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet nën sjetull tuaj: sepse me atë masë që të matni, do t’ju matet edhe juve  në kthim.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

22 shkurt 2019, 17:08