Imzot Frendo merr Çmimin “Papa Bonifaci”, në Tiranë Imzot Frendo merr Çmimin “Papa Bonifaci”, në Tiranë 

Krizë në Shqipëri. Imzot George Frendo: e vetmja rrugëzgjidhje është dialogu!

I kushtohet krizës politike në Shqipëri, intervista me kryeipeshkvin metropolit të Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo: “Situatë tragjike, për fat të keq - nënvizon Prelati - mungon dialogu ndërmjet partive politike”.

R. SH. - Vatikan

Këto ditë Shqipëria po tronditet thellë nga protestat e fuqishme kundër qeverisë. “Dorëheqja e kryeministrit Edi Rama - deklaroi lideri i partisë demokratike shqiptare, Lulëzim Basha, është qëllimi i parë për t’u arritur.  Deputetët e partisë së Bashës, formacioni kryesor i opozitës shqiptare të qendrës së djathtë zyrtarizuan dorëheqjen në bllok nga parlamenti, vendim fuqimisht i kundërshtuar si nga Brukseli, ashtu edhe nga Washingtoni. Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, i drejtoi një thirrje të veçantë partive politike, që të mos e braktisin sallën e parlamentit. “Në demokraci - pohoi - parlamenti është vendi kryesor për punët politike të një vendi. Opozita shqiptare nuk duhet të heqë dorë nga mandatet parlamentare”.

Zërat e mazhorancës e të opozitës

Tensioni mbetet shumë i lartë. Kryeministri socialist, Edi Rama, në një fjalim televiziv, deklaroi se mazhoranca do të jetë gjithnjë e gatshme për dialog me opozitën, por nuk pranoi të diskutojë për ndërprerjen e mandatit të ligjshëm të qeverisë. “Zgjedhësit - nënvizoi Rama - do të gjykojnë, me votat e tyre, si në zgjedhjet administrative, ashtu edhe në ato politike të turnit 2021”.

“Opozita - tha Lulëzim Basha - e ka dorëzuar mandatin. Sot jemi qytetarë të thjeshtë. Ne - shtoi lideri i Partisë demokratike - nuk jemi popull i dhunshëm, por popull, që e respekton lirinë dhe demokracinë. Prandaj nuk do ta pranojmë kurrë as vjedhjen e votave popullore, e as atë të qindra milionave nga xhepat e shqiptarëve”.

BE: të manifestohet paqësisht

Bashkimi Evropian “ripohon të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të manifestuar paqësisht dhe denoncon çdo retorikë nga ana e liderëve politikë, që nxisin dhunën”. Për Brukselin, “vendimi i opozitës për t’i dorëzuar mandatet e pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri”. Qeveria dhe opozita - uron BE-ja, duhet të diskutojnë “që të kapërcehet situata aktuale, për të mirën e Shqipërisë dhe të qytetarëve të saj”.

Imzot Frendo: situatë tragjike, e vetmja udhë është dialogu!

I intervistuar nga Luca Collodi i Radio Vaticana Italia, kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo, nënvizon se është e nevojshme të  rifillojë rruga e dialogut, “e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemit – e të problemeve!”.

“Situata është tragjike. Mungon dialogu ndërmjet partive politike. Ndoshta fajin e kanë nga pak të gjithë: për të dialoguar, duhet vullnet i mirë, vullnet për të dëgjuar, para së gjithash. E vullneti për të dëgjuar, hamendëson edhe  gatishmërinë e përvuajtur. Nuk duhet katandisur në një karikaturë dialogu. Politikanët duhet ta kuptojnë mirë këtë e të kërkojnë dialog serioz, sepse është e vetmja rrugë  për  zgjidhjen e drejtë të konfliktit. E vetmja! Duhet dëgjim i mirëfilltë i njëri-tjetrit. Sepse nuk bëhet fjalë thjesht për kompromis”.

A mendoni se mund të jetë zgjidhje e drejtë organizimi i votimeve të reja?

“Ndoshta po, por jo vetëm votimet! Nuk është hera e parë që në Shqipëri lindin situata tensioni. Prandaj, nga ana e partive politike, është e nevojshme të ketë më shumë interesim, për të mirën e përbashkët. E mira e përbashkët  kërkon  edhe një fare flijimi nga ana e të gjithëve”.

Ju, a jeni thirrur për të ndërmjetësuar, si Kishë?

“Jo, jo… Vështirë se thërrasin një përfaqësues fetar për të ndërmjetësuar. Unë nuk dua të jem politikan. Jam bari! Mund të jap ndonjë këshillë, siç kam dhënë kur kam folur kundër dhunës e vandalizmave, në favor të dialogut. Çka e kam përsëritur disa herë, është se politika mund t’i ndryshojë strukturat, por jo zemrat. Zemrat mund t’i shndërrojë vetëm feja!”.

Të hënën e ardhshme sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, do të jetë në Shqipëri…

“Do të jetë vizita e tij e dytë. Herën e parë ishte në vitin 2014, së bashku me Papën Françesku, kur erdhi në Shqipëri. Ndërsa me këtë rast, do të bekojë gurin e parë të spitalit, që do të hapin etërit koncepsionistë. U jemi shumë mirënjohës rregulltarëve koncepsionistë, sepse ishin ata, që e hapën edhe universitetin katolik e që tani do të hapin edhe spitalin. Si universiteti, ashtu edhe spitali, frymëzohen nga parime katolike, të krishtera, edhe pse në universitet ka më shumë jo katolikë, sesa katolikë. Kështu universiteti bëhet simbol i asaj harmonie fetare, që është tipike për Shqipërinë! Po kështu edhe spitali. Është i hapur për të gjithë, pavarësisht nga besimi fetar”.

22 shkurt 2019, 17:56