Kërko

Punëtor bujqësor Punëtor bujqësor 

Karitasi promovon ekonominë shoqërore në 8 vende të Ballkanit

Janë rreth tetëdhjetë, ndërmarrjet shoqërore realizuar në 4 vjet, për të luftuar kundër krizës dhe për të promovuar ekonominë shoqërore në 8 vende të Ballkanit - Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Greqi, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, Bullgari - në sajë të projektit E.L.Ba. (Emergjenca e Punës në Ballkan), vënë në jetë nga Karitasi i Italisë, ai i Francës, i Spanjës, i Austrisë dhe i SHBA-ve, së bashku me institucionet evropiane.

R.SH. - Vatikan

Karitasi Italian e financoi fillimisht projektin me 480.000 € nga fondi “8 per mille” i Konferencës Ipeshkvnore. Tashmë ai ka hyrë në fazën e tij të tretë. Pikërisht për këtë, po flitet këto ditë në Romë. Kuadri i referimit, siç shpjegon për agjencinë katolike të lajmeve Sir, Laura Stopponi e zyrës evropiane të Karitasit Italian, është Strategjia Evropa 2020, “që synon të ulë me 25% numrin e të varfërve në kontinent, prandaj inkurajon propozimin e nismave të reja. Kriza i ka shtuar pabarazitë dhe problemin serioz të kohezionit shoqëror”.

Në blogun “Learning from Elba”(Mësoni nga Elba) janë botuar dëshmitë e pjesëmarrësve në projekt nga vende të ndryshme. Karitasi Evropian ka publikuar edhe një doracak me titull “T’i vemë njerëzit para fitimeve”, që shpjegon rëndësinë e ekonomisë shoqërore, pikërisht sepse “njerëzit vijnë para fitimeve”, thekson për agjencinë Sir, Tiziana Ciampolini e Karitasit të Torinos, që e ka ndjekur gjithë procesin për llogari të Karitasit Italian: “Krijuam një rrjet ndërmjet Italisë dhe vendeve të Ballkanit, ndërmjet Evropës dhe vendeve të Ballkanit. U formua kultura e ekonomisë rajonale dhe përgatitëm 25 koordinatorë, dy për çdo vend. Është përvojë e jashtëzakonshme, që përfaqëson Kishën në dalje”. Fushat e veprimit të ndërmarrjeve shoqërore janë pjesë e temave të enciklikës “Laudato sì”: mjedisi, qëndrueshmëria, bujqësia shoqërore, zejtaria, tekstilet, shërbimet për njerëzit.

“Tani kemi sfidën e madhe të qëndrueshmërisë së ardhshme të këtyre ndërmarrjeve - thotë Ciampolini – e cila luhet në mundësitë e tregut ballkanik për të dialoguar me Europën. Shpresojmë të kemi sukses në krijimin e mundësive për import/eksport të këtyre produkteve të vogla përmes rrjeteve të solidaritetit. Më parë këto vende subvencionoheshin plotësisht nga donatorët, prandaj ishin mësuar vetëm me donacione. Tani, pjesëmarrësit në projekt janë në gjendje të marrin në dorë frenat e jetës së tyre për të dalë nga varfëria. Ka qenë një aksion kulturor dhe pedagogjik me rezultate konkrete”.

28 shkurt 2019, 18:01