Kërko

 Takimi i  COMECE në Bukuresht Takimi i COMECE në Bukuresht 

Ipeshkvijtë, thirrje për të votuar: “Të ndërtosh BE-në, detyrë për çdo qytetar”

Komisioni i episkopateve të Bashkimit evropian përhap një tekst, që lidhet me zgjedhjet e 23-26 majit. Kisha e mbështet “shtëpinë e përbashkët”, edhe pse nuk është e përkryer. Njeriu, në qendër të politikës. Reformat e nevojshme e disa tema-kyçe: familja, emigracioni, zhvillimi, të drejtat. “Portreti” i kandidatit të mirë”.

R. SH. - Vatikan

Ftesë, e fortë, bindëse, e vendosur, për të mbështetur procesin e integrimit evropian, edhe përmes takimit elektoral të 23-26 majit. Me një mesazh të Comece-s, Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian, të krishterët ftohen për ndërtimin e së mirës së përbashkët, që shkon shumë përtej interesave të veçanta e kombëtare. “U drejtojmë thirrjen tonë të gjithë qytetarëve, të rinj e pleq, që të votojnë e të angazhohen gjatë periudhës para-zgjedhore, ashtu edhe gjatë zgjedhjeve evropiane”- shkruhet në Mesazhin, që arrin 100 ditë para votimeve për rizgjedhjen e Parlamentit evropian e titullohet: “Të rindërtohet Bashkësia në Evropë” (Rebuilding community in Europe).

Nga votat e qytetarëve, të thirrur për përgjegjësi politike - shkruan Comece - kryesuar nga imzot Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut, “do të kushtëzohen vendimet politike, që do të kenë pasoja  vendimtare mbi jetën tonë të përditshme për pesë vjetët e ardhshme”. Kisha Katolike merr pjesë në ndërtimin e Evropës që prej dymijë vjetësh, posaçërisht “me Doktrinën e saj shoqërore”. Prej këndej, ipeshkvijtë u drejtohen pikërisht qytetarëve evropianë në këtë fazë, që u paraprin votimeve për rizgjedhjen e Parlamentit: “Nëse hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës krijoi mundësi të reja dhjetë vjet më parë, sot duket sikur mbretëron një sjellje më pak optimistike. Priten, prandaj, rrugëzgjidhje politike,  që duhet të çojnë në përtëritjen e vëllazërimit të ri e edhe të një projekti të ri evropian. Themelore është që besimtarët si dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë, të shkojnë e të votojnë, pa rënë në tundimin e  shmangies e pa harruar se, më pas, duhet edhe t’i vënë në jetë të drejtat për ndërtimin e Evropës .

“Nuk është i përsosur… Por “duke manifestuar opinionet e veta politike, çdo njeri mund ta orientojë Bashkimin - që nuk është i përsosur -  për të shkuar atje, ku dëshirojnë të shkojë. Sot duhet një nxitje re për shpresë, që t’i frymëzojë qytetarët të marrin pjesë në projekte gjithëpërfshirëse, në shërbim të së mirës së përbashkët - kujtojnë ipeshkvijtë. Por për këtë, duhet votuar, sepse “çdo votë ka vlerë të madhe”, për zgjedhjen e njerëzve, të cilët që nga maji e tutje do të përfaqësojnë opinionet tona politike. E duhet edhe që, pas zgjedhjeve, qytetarët ta monitorojnë e ta shoqërojnë në mënyrë demokratike, procesin politik”.

Portreti i kandidatëve

Qytetarët e Evropës - sipas mendimit të ipeshkvijve - kanë nevojë për kandidatë me frymë përgjegjësie, që dëshirojnë të punojnë së bashku, për fatin e përbashkët, duke i kapërcyer ndarjet, dizinformimin e manipulimin e politikës. Kandidatët  duhet të jenë njerëz,  që dinë të bashkëpunojnë e t’i konkretizojnë premtimet, me vizione të ndryshme, jo me kontraste shterpe!

Së fundi, nënvizimi: “Vota nuk është vetëm e drejtë e detyrë, por edhe mundësi për të marrë pjesë konkretisht në ndërtimin e Bashkimit Evropian”.

15 shkurt 2019, 16:39