Kërko

Vatican News
Imzot Gjergj Meta Imzot Gjergj Meta 

Imzot Meta për manifestimet në Shqipëri: “e drejtë të protestohet, por jo me dhunë”

Ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Gjergj Meta, sekretar i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, komenton për agjencinë katolike italiane Sir, protestën e 16 shkurtit në Tiranë.

R.SH. - Vatikan

“Shprehje e pakënaqësisë së përgjithshme ndaj veprimtarisë së qeverisë, gjatë këtyre viteve. Vjen menjëherë pas protestës së studentëve, që i dhanë një goditje të rëndë qeverisë, aq sa e detyruan kryeministrin të bëjë disa ndryshime në ekzekutiv, duke zëvendësuar, ndër të tjerë, edhe ministrin e Arsimit e atë të Punëve të Jashtme”. Kështu deklaron për agjencinë katolike italiane Sir, ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Gjergj Meta, sekretar i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, duke komentuar protestën e 16 shkurtit në Tiranë.

Protestë, por jo dhunë

         Kujtojmë se gjatë manifestimit të organizuar nga Partia Demokratike, aktualisht në opozitë, u kërkua dorëheqja e qeverisë së akuzuar për korrupsion, formimi i një ekzekutivi të përkohshëm, për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja. “Pati disa episode dhune – thekson imzot Meta. – Akoma nuk dihet nëse manifestuesit i bënë spontanisht, apo u provokuan. Duhet thënë se gjendja është e nderë”, nënvizon ipeshkvi, që kërkon të ruhet qetësia. “Së bashku me të drejtën e protestës, duhet të kemi edhe kujdes e qetësi”.

Korrupsion i lartë

         Imzot Meta vë në dukje se “popullsia është tejet e varfër”. Duke folur për korrupsionin në Ballkan, kujton statistikat e fundit të Transparency International (organizatë ndërkombëtare me seli në Berlin, që merret me korrupsionin e jo vetëm atë politik), nga të cilat, jo vetëm ai, ka mbetur thellësisht i zhgënjyer. Niveli i korrupsionit i perceptuar në sektorin publik në Shqipëri është më i larti i rajonit e ndër më të lartët në botë, me 36 pikë në treguesin e organizatës ndërkombëtare. “Papunësia e mungesa e sigurisë për të ardhmen – deklaron ipeshkvi i Rrëshenit – kanë bërë që shumë të rinj e familje të ikin nga Shqipëria, gjatë viteve të fundit. E gjithë kjo ka krijuar pakënaqësi, pasojat e së cilës shihen qartë”.

Të enjten, protestë tjetër

         Ndërkaq, protesta është zhvendosur nga sheshi nëpër faqet e gazetave, edhe atyre të huaja. Sali Berisha jep intervistë për gazetën italiane “Il Messaggero”, ndërsa Edi Rama për “Corriere della Sera”. Të dy, natyrisht, mbrojnë pozitën e Partisë së tyre. Dje, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkoi djegien e mandateve parlamentare, duke e radikalizuar kështu qëndrimin e opozitës, pavarësisht se akoma nuk është shprehur aleatja e tij, LSI (Lëvizja Socialiste për Integrim). Të enjten, opozita ka ndërmend të organizojë një manifestim tjetër në Tiranë, ndërsa nga pjesëmarrësit në protestën e së shtunës, janë arrestuar 15 vetë.

18 shkurt 2019, 12:55