Kërko

Shën Nënë Tereza Shën Nënë Tereza 

Dita e të Sëmurit në Kalkutë, në vendin, ku shërbeu Nënë Tereza

Nga data 9 deri më 11 shkurt, në Kalkutë të Indisë, po mbahen kremtime solemne, në kuadrin e Ditës XXVII Botërore të të Sëmurit. I pranishëm, në emër të Papës Françesku, kryeipeshkvi i Dakës, kardinali Patrick D’Rozario.

R.SH. - Vatikan

Tema e kësaj Dite flet për dhurimin e vetvetes. Janë fjalët e Jezu Krishtit në Ungjillin sipas Mateut: “Falas keni marrë, falas jepni” (Mt 10,8). Ky tipar është shenjë dalluese e të krishterëve, në kundërshtim të plotë me mendësinë mbizotëruese, që e kthen gjithçka në formulën “më jep, të jap”.

“Falas keni marrë, falas jepni”

Krishti na kujton se gjithçka e kemi marrë falas nga Zoti, prandaj duhet të jemi në gjendje t’ia dhurojmë vëllezërve, pa kërkuar asgjë në këmbim. Gjithçka, për të cilën kemi nevojë, vjen prej Hyjit e jemi të thirrur ta ndajmë si një familje e vetme. Natyrisht, me kujdes të veçantë për më të ligështit e më të brishtët, për të sëmurët e të vuajturit. Pikërisht kujdesin ndaj tyre e kemi detyrë ungjillore. Shprehje e kësaj janë strukturat shëndetësore katolike, të cilat, siç ka thënë shpesh Papa Françesku, duhet ta rishikojnë misionin, sipas logjikës së drejtësisë ungjillore, që e kualifikon veprimtarinë e tyre si në zonat më të përparuara të botës, ashtu edhe në ato më të prapambeturat.

Dëshmia e Nënë Terezës

Kremtimi solemn i Ditës së sivjetme bëhet në Indi për të kujtuar dëshminë e jashtëzakonshme të shenjtes shqiptare të bamirësisë, Nënë Terezës, e cila nuk reshti së përsërituri: “sëmundja më e tmerrshme, që mund të prekë njeriun, është të mos ketë askënd afër që ta dojë. Pa një zemër plot dashuri e pa duar bujare, është e pamundur të shërohet njeriu i sëmurë nga vetmia”.

10 shkurt 2019, 09:34