Kryetari i ipeshkvijve amerikanë: sinjal i qartë: tregon se abuzimet nuk do të tolerohen
R. SH. - Vatikan
“Njoftimi i Selisë së Shenjtë lidhur me Theodore McCarrick është sinjal që tregon qartë se abuzimet nuk do të tolerohen! Asnjë ipeshkëv, sado ndikim të ketë, nuk mund të dalë mbi ligjin e Kishës”. Këtë pohon, në një deklaratë, kardinali Daniel N. DiNardo, kryeipeshkëv i Galveston-Houston dhe kryetar i Konferencës së ipeshkvijve katolikë të SHBA-ve, pak orë pas Komunikatës së Kongregatës së Doktrinës së fesë, që bëri të ditur vendimin për shkarkimin nga gjendja klerikale e ish-kardinalit amerikan.
“Për të gjithë ata që u shpërdoruan nga McCarrick - vijon DiNardo - lutem që ky gjykim të jetë një hap i vogël, ndërmjet shumë të tjerëve, që do të ndikojë për shërimin e tyre. Përsa na përket ne, ipeshkvijve, përforcon vendosmërinë tonë për të qenë ne vetë përgjegjës të Ungjillit të Krishtit. I shpreh mirënjohjen Papës Françesku për vendosmërinë me të cilën i priu përgjigjes së Kishës”.
Ky, mendimi i kreut të ipeshkvijve amerikanë, i cili përfundon me një ftesë, drejtuar të gjithë atyre, që mund të jenë prekur nga ky shkandull: “Nëse keni pësuar abuzime seksuale nga ndokush brenda Kishës katolike, ju nxis të takoheni me forcat vendase të rendit e me dioqezën ose eparkinë. Koordinatorët e asistencës së viktimave janë në dispozicionin tuaj për t’ju ndihmuar. Jemi shumë të angazhuar në përpjekjen për shërim e pajtim!”.
James Grein, viktimë e McCarrick: jam i lum, që Papa më besoi
James Grein është një nga viktimat e McCarrick: u shpërdorua kur ishte vetëm 11 vjeç. Dha dëshminë e tij gjatë hetimit kanonik kundër ish-kardinalit amerikan: “Jam i lum, që Papa më besoi” - pohon në një deklaratë - edhe pse asgjë e askush nuk mund të ma kthejë më miturinë. Por, gjithsesi, besoj se ky do të jetë zemërimi im i fundit. E shpresoj se kardinali McCarrik nuk do të ketë më mundësi ta përdorë pushtetin e Kishës së Krishtit për të manipuluar familjet e për të abuzuar seksualisht mbi fëmijët e tyre”. Në këtë ngjarje të dhimbshme, nuk ka fitimtarë – shton - por kjo situatë historike dhe shenjte, po i ngushëllon të gjithë katolikët dhe viktimat e abuzimeve në mbarë botën. Ka ardhur koha për ta pastruar Kishën. Vepra e Zojës është në vijim! McCarrick e shqetësoi Kishën këto 50-vjetët e fundit. Një Kishë, që i këputi lidhjet me Jezusin. E udhëhequr nga njerëz, që adhuronin paranë, pushtetin… Që vepruan në kundërshtim të plotë me mësimet e Zotit. E kjo duhet të ndryshojë! Kisha nuk është e tyrja, por e Krishtit! Dua të rikthehem në gjirin e saj!”. James falënderon edhe familjen: “Pa fenë dhe udhëheqjen e saj - shton- do të kisha kaluar nga ana e kundërt”. E përfundon: “Edhe një herë, e përsëris, është Kisha e Krishtit, duhet të kthehem. Ngreju, për hatër të Krishtit, e ec me mua. Jezusi është shëlbuesi ynë!”.
Qëndrimi i Kryedioqezës së Washingtonit, udhëhequr nga McCarrick
Edhe Kryedioqeza e Washingtonit e shikon këtë ngjarje si ndihmë për procesin e shërimit. Boton, me këtë rast, një deklaratë, në të cilën theksohet:
“Dënimi i ish-kryeipeshkvit McCarrick me shkarkim nga gjendja klerikale, duke ia ndaluar çdo tip shërbimi meshtarak, tregon sa të rënda ishin veprimet e tij. E njëkohësisht, na bën të shpresojmë se ky vendim do të ndihmojë në procesin e shërimit të të mbijetuarve nga abuzimet, ashtu si edhe të atyre, që u prekën nga sjelljet e tij”.