Kërko

Bibla Bibla 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Tobisë

Në panoramën biblike gjejmë librin më anësor të atyre, që quhen deuterokanonikë, pra, që nuk janë pranuar nga kanoni hebraik. E kemi fjalën për Librin e Tobisë, birit të Tobitit. Ky libër i shkurtër është një tregim plot ëmbëlsi, gjatë të cilit Zoti ndihmon Tobitin dhe Sarën, dy viktima të fatkeqësisë e të talljes nga ana e bashkësisë, duke e dëgjuar lutjen e tyre, duke u dërguar engjëllin Rafael në ndihmë dhe duke e nisur të birin e Tobitit, Tobinë, për një udhëtim, gjatë të cilit dëshpërimi kthehet në gëzim. Sot, do të flasim pikërisht për këtë Libër, gjithnjë, sipas vëllimit të meshtarit italian, don Federico Tartaglia, “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. - Vatikan

Libri i Tobisë fillon me tregimin e jetës së Tobitit, puna e të cilit është varrosja e hebrenjve, që vriten në Ninive. Tobiti humb shikimin në një mënyrë tepër të çuditshme e të dhimbshme: ndërsa pushonte nën një mur, që e mbronte nga të nxehtët, pasi kishte varrosur një të panjohur, i bie mbi sy glasa e një trumcaku. Edhe vetë të afërmit e kushërinjtë, në vend që ta mëshirojnë, e tallin e Tobiti i shkretë i përgjërohet Zotit me një lutje mallëngjyese.

Historia e Sarës

Fati nuk i ka rezervuar asgjë të mirë edhe Sarës, bijës së Raguelit, që në një zonë pranë Iranit të sotëm, jeton në një gjendje edhe më të tmerrshme. Është martuar shtatë herë dhe të shtatë burrat i kanë vdekur natën e parë të martesës. Teksti thotë se faji është i djallit Asmodeu, që hyn në dhomën e çiftit dhe e bën të vdesë burrin fatkeq. Por, hajde e t’ia shpjegosh këtë një fshati të tërë, që e sheh Sarën dhe familjen e saj si të lidhur me djaj vrastarë.

Bibla, gati si në një përrallë, i tregon të dyja historitë njëkohësisht, në përkim të përsosur kohor. Ditën, që Tobiti dhe Sara tallen nga të tjerët, engjëlli Rafael i çon lutjet e tyre para Zotit. Një detaj i rëndësishëm: Tobisë, birit të Tobitit, i takonte të martohej me Sarën, pasi kushëri me të.

Tobia e Azaria nisen për udhë

Historia e mëvonshme tregon qartë përpjekjen e autorit biblik për të vënë në dukje se është Zoti ai, që i lidh të gjitha fijet e jetës së personazheve, për t’i çuar drejt lumturisë. Vërtet, Tobiti, pas gati 20 vjetësh, kujtohet se ka lënë një shumë të hollash pikërisht në një fshat afër atij të Sarës. I jep të birit, Tobisë, gjysmën e dokumentit, që kishte nënshkruar vite më parë dhe, i thotë të niset nga Iraku (i sotëm) drejt Iranit. Edhe atëherë, ashtu si sot, udhëtimi nuk ishte i lehtë, prandaj duhej një udhërrëfyes. Tobia shkon ta kërkojë e hop, si për magji, del në skenë një tip, që quhej Azaria e që është gati ta shoqërojë. Në fund do të mësojmë se ai s’është tjetër, veçse engjëlli Rafael.

Këshilla morali

Të dy paraqiten para Tobitit, i cili u jep disa këshilla, që janë perla të vërteta moraliteti të përvuajtur e të mençur, arsyeja e vërtetë e shkrimit të këtij Libri. Ja vlen të citojmë disa prej tyre:

“Bëj vepra të mira çdo ditë të jetës sate dhe ruaju e mos shko udhëve të padrejtësisë, sepse po bëre të vërtetën, do të shkojë mbarë gjithçka që do të bësh, sikurse atyre, që vënë në veprim drejtësinë. Prej pasurisë, që do ta kesh, bëj lëmoshë, dhe mos e largo vështrimin nga asnjë skamnor, që as Hyji të mos e largojë vështrimin prej teje. Bëj lëmoshë sipas pasurisë që do ta kesh: nëse ke shumë, jep shumë; nëse ke pak, mos u mat, por jep edhe nga ajo pakicë”. (Tob 4,5-8).

“Mendja e madhe sjell rrënim e pakënaqësi të madhe. Përtacia sjell dëm e mjerim, sepse përtacia është nëna e urisë. Paga e çdo njeriu që të ketë punuar te ti, të mos rrijë asesi te ti, por jepja menjëherë dhe ruaju se ia zvogëlon! Nëse ti i shërben Hyjit, do ta marrësh shpërblimin!

Ji i kujdesshëm biro, në të gjitha veprat e tua dhe i mençur në të gjitha fjalët e tua dhe mos i bëj askujt çka s’dëshiron të të bëhet ty. Mos pi verë e mos u deh dhe pija të mos e shoqërojë jetën tënde. Ndaje bukën me të uriturit dhe rrobat me të zhveshurit. Gjithçka e ke tepër, jepe lëmoshë dhe, kur të bësh lëmoshë, në sytë e tu të mos ketë keqardhje” (Tob 4,13-16).

Karvani i vogël vihet për udhë e në një verset të thjeshtë shfaqet një nga imazhet më sugjestive të Biblës:

“Djali u nis për rrugë me engjëllin. Pas tyre u nis edhe qeni” (Tob 6,2).

Tobia merr për grua Sarën

Ky qen i çuditshëm del këtu papritur dhe e përfytyrojmë që tund bishtin gjithë gëzim pas engjëllit. Është hera e parë dhe e fundit, që përmendet një qen në Bibël. Gjithsesi, dy udhëtarët arrijnë në Medi e aty, Zoti ndërhyn përmes engjëllit dhe i sugjeron Tobisë të shkojë për vizitë tek Sara e ta kërkojë për grua. Tobia e di historinë e gruas, por bindet nga këshillat e engjëllit, që i tregon si ta mundë djallin.

Të gjithë – e jo vetëm babai i nuses, që hap një gropë ta ketë gati për dhëndrrin – jemi të mbërthyer aty, në dhomën e çiftit, e ndjekim me kureshtje ngjarjen. Mëlçia dhe zemra e peshkut, që digjeshin mbi thëngjij, siç i kishte sugjeruar Tobisë, Azaria/Rafael, e bëjnë punën e tyre dhe djalli Asmodeu nuk e duron erën e ikën nëpër male, ku Rafaeli e lidh me zinxhirë. Këtu, tregimi bëhet magjik. Dy bashkëshortët nuk i besojnë fort zgjidhjes së Rafaelit dhe para se të bashkohen, i luten Zotit t’i bekojë.

Tobia mbetet gjallë e Tobitit i kthehet shikimi

Të nesërmen, për habinë e atyre që u nisën për të varrosur dhëndrrin, del Tobia i gjallë, i cili shkon të marrë paratë e të atit e organizon një festë, që zgjat dy javë rresht. Por, pastaj, mendon për Tobitin e shqetësuar, që nuk kishte asnjë lajm nga i biri. Tobia kthehet në shtëpi dhe takohet, mes lotësh, me të atin. E Rafaeli, me një përzierje të veçantë nga tëmthi i peshkut, i jep sërish shikimin Tobitit të përvuajtur, i cili tani mund të qëndrojë ballëlart para atyre, që e përqeshnin.

Morali i fabulës

Historia përfundon me Azarinë, që u tregon të gjithëve se në të vërtetë, ai është engjëlli Rafael, duke thënë, ndoshta, fjalët më të bukura të këtij Libri biblik:

“Është e mirë urata me agjërim dhe lëmosha me drejtësi. Më mirë është të kesh pak e me drejtësi, se pasuri të madhe e me padrejtësi. Është më mirë të japësh lëmoshë, se sa të grumbullosh ar. Lëmosha shpëton nga vdekja, ajo pastron nga çdo mëkat. Ata, që bëjnë lëmoshë, do të jenë jetëgjatë, kurse ata që bëjnë mëkate e padrejtësi, janë armiq të vetvetes” (Tob 12, 8-10).

Tobiti jeton gjatë e ndërron jetë në moshën 112 vjeçare, jo para se ta këshillonte të birin të largohej nga Ninive, në prag të shkatërrimit të saj. Tobia kthehet në fshatin e Sarës e jeton i lumtur deri në moshën 117 vjeçare. Me një fjalë: “Përralla n’Lesh, shnetja prej nesh”. Ky është Libri i Tobisë, që shërben për të na impenjuar të bëjmë mirë, edhe kur gjithçka duket kundër nesh, me sigurinë se Zoti do të na ndihmojë, në një mënyrë a në një tjetër.

14 shkurt 2019, 13:15