Hannukah në Hamburg. Hannukah kujton rivendosjen e kultit të Tempullit nga Juda Makabe Hannukah në Hamburg. Hannukah kujton rivendosjen e kultit të Tempullit nga Juda Makabe 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i parë i Makabejve

Dy Librat e Makabejve flasin për një çast tragjik e, njëkohësisht, ngadhnjyes të historisë hebraike të shekullit II para Krishtit, e megjithatë, nuk përfshihen në kanonin hebraik e për pasojë, as në Biblën protestante. Ne katolikët, jo vetëm që i kemi përfshirë në Bibël, së bashku me ortodoksët, por kemi edhe festën liturgjike të shenjtorëve martirë makabej, që kremtohet më 1 gusht. Sot, flasim për Librin e parë të Makabejve, duke u bazuar, si gjithnjë, në vëllimin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. - Vatikan

Si Libri i parë, ashtu edhe i dyti, tregojnë, në mënyra të ndryshme, të njëjtën histori, që shkon nga viti 174 deri në vitin 134 para Krishtit, veçanërisht revoltën kundër mbretërisë së seleucëve. Gjithsesi, Libri i dytë nuk është vazhdim i të parit. Gjithçka sillet rreth figurës së Judës Makabe dhe dy vëllezërve të tij, Jonatani e Simoni, megjithëse revoltën e fillon kryeprifti Matatia, babai i tyre.

Kemi në dorë dy Libra biblikë, që tregojnë për një luftë rezistence e çlirimi, udhëhequr nga një familje meshtarake, e cila rebelohet kur të huajt dhunojnë tempullin me qëllim që t’i japin fund judaizmit. Veçanërisht, në Librin e dytë gjejmë risitë teologjike, që do të pranohen edhe nga tradita e krishterë.

Vdekja e Aleksandrit të Madh

         Por le ta shohim më hollësisht Librin e parë të Makabejve. Në fillim, gjejmë Aleksandrin e Madh, të cilit i vihet në dukje madhështia kalimtare:

         “Toka mbarë heshtoi para tij, iu rrit mendja e zemra iu mbush me kreni” (1 Mak 1,3).

         Vdekja e Aleksandrit të Madh shënon edhe fillimin e sundimit grek, nga i cili del një “rrënjë perverse”, mbretëria seleucide (me kryeqytet në Antioki të Sirisë). Nëse do të kishte ndonjë listë me armiqtë më të egër të Izraelit, kjo mbretëri do të zinte vendin e parë, për shkak të mbretit më të keq nga të gjithë: Antiokut IV Epifane, i cili:

         “Me kreni të madhe hyri në shenjtërore, rrëmbeu lterin e artë, shandanin e dritës me të gjitha veglat e tija, tryezën e kushtimit të bukëve, enët e njomjes, gotat, kemoret e arta, velin, kezat dhe të gjitha stolitë e arta në ballanikun e Tempullit dhe s’la gjë. Plaçkiti argjend, ar dhe enët e çmueshme, i gjeti dhe i rrëmbeu vishtarët e fshehtë. Pasi mori krejt çka gjeti, u kthye në vendin e vet, vrau shumë njerëz e fliste me krenari të madhe” (1 Mak 1,21-24).

Antioku IV Epifane

         Ku shkel ky njeri, mbjell fatkeqësi. Jemi në vitin 167 para Krishtit. Nëse për të kuptuar Besëlidhjen e Vjetër duhet të kujtojmë vitin 587 dhe shkatërrimin e Tempullit nga babilonezët, për të kuptuar Izraelin e Besëlidhjes së Re duhet filluar nga kjo datë: nga neveria para shkretimit, që i jep shtysën revoltës së makabejve dhe nga formimi i mbretërisë hebraike të pavarur, atë të asmonejve, që mbeti në këmbë për më se një shekull, deri në vitin 63 para Krishtit dhe deri në sundimin romak.

Revolta e makabejve

         Revolta e makabejve është e rëndësishme për tri arsye:

-         Fillimi i rezistencës së popullit, që refuzon pushtetin e huaj, i cili përpiqej ta zhdukte fenë e tij;

-         Ëndrra, madje, mundësia për Izraelin që të ketë një mbretëri të pavarur;

-         Dalja në pah e atyre, që shkrihen nga zelli për Zotin: ithtarët, më të pastërtit në fe… pra, farisejtë.

Skena kryesore e Librit, fillimi i revoltës së makabejve

E ja skena kryesore, me të cilën zë fill revolta:

         “Oficerët e mbretit, të caktuar për ta bërë popullin ta bjerrë fenë, erdhën në Modin për të flijuar. Shumë prej izraelitëve shkuan me ta, kurse Matatia e bijtë e tij ndenjën anash. Të dërguarit e mbretit morën fjalën e i thanë Matatisë: ‘Ti je njeri me autoritet, bujar dhe i madh në këtë qytet, të përkrahin djemtë dhe vëllazëria. Tash, afrohu i pari dhe kryeje urdhërin e mbretit, siç bënë popujt e tjerë, të gjithë madje, edhe njerëzit e Judesë, që nuk e lënë Jeruzalemin e do të bëhesh ti e bijtë e tu miqtë e mbretit e do të keni për shpërblim argjend e ar e dhurata të shumta’. Matatia mori fjalën e foli me zë të lartë: ‘Edhe në qoftë se të gjitha kombet, që i përkasin perandorisë së mbretit, e dëgjojnë mbretin, duke e lënë secili hyjnderimin e etërve të vet dhe i pranojnë urdhërimet e mbretit, unë, bijtë e mi e vëllezërit e mi do të jetojmë sipas Besëlidhjes së etërve tanë. Mos e thëntë Zoti ta lëmë Ligjin e urdhërimet! Prandaj, s’do t’i dëgjojmë urdhrat e mbretit për t’iu shmangur besimit tonë, as djathtas, as majtas’. Posa i kreu këto fjalë, një judeas u çua ndër sy të të gjithëve e nisi të flijojë në lterin në Modin, sipas urdhrit të mbretit. Kur e pa Matatia, zelli i mori flakë, i gufoi zemra nga felgrimi i drejtë, u sul dhe e theri judeun mbi lter. Po aty për aty, e vrau edhe të dërguarin e mbretit, që i shtrëngonte të flijojnë dhe e rrafshoi lterin” (1 Mak 2,15-25).

Luftë në të gjitha frontet

         Fillon kështu lufta e armatosur, udhëhequr fillimisht nga Matatia e, pastaj, nga Juda. Të dy u quajtën “Maccabah”, “çekanë”, natyrisht, pse ishin të fortë e të aftë të godisnin aty ku duhej. Më tej, Libri të kujton gjendje të ngjashme, më pranë ditëve tona. Mjafton të mendojmë për luftën partizane, për afganët që ngritën armët kundër Armatës së Kuqe, për milicët e Hamasit që qëllojnë kundër izraelitëve dhe për kolonët izraelitë, që sulmojnë në Rripin e Gazës… luftë, në të mirë e në të keq.

Vendosja e mbretërisë asmonease

         Pra, Libri i Rezistencës judease është plot me beteja, guerrilje, luftë me armë, që pa dyshim, do ta bëjë për vete lexuesin dashuronjës të kësaj letërsie. Jonatani dhe Simoni do të arrijnë t’i mundin paganët e pafe, të rivendosin kultin e shenjtë të tempullit dhe të themelojnë një mbretëri judease, e cila do të quhet “asmonease”, nga emri i stërgjyshit të Matatisë, Asmon. Libri i dytë i Makabejve, ku gjejmë një pjesë të historisë së treguar në Librin e parë, ka rëndësi për teologjinë e mëvonshme të krishterë. Por për këtë do të flasim në emisionin e ardhshëm.

21 shkurt 2019, 12:43