Judita dhe Oloferni, Karavaxhio Judita dhe Oloferni, Karavaxhio 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Juditës

Libri i Juditës, që do të thotë “Judease”, nuk bën pjesë në kanonin hebraik e as në atë protestant, por ne katolikët e kemi përfshirë edhe historinë e kësaj heroine biblike, për të cilën do t’ju flasim sot. Bazohemi, si gjithnjë, në vëllimin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. - Vatikan

Judita është samaritane, vejushë e nuk ka fëmijë, nuk ka asgjë, por është e bukur, guximtare dhe aspak e druajtur, ajo tip gruaje nga e cila kanë pak frikë meshkujt! Në 16 kapitujt e Librit të Juditës del në pah gjithë madhështia e mbretit Nabukodonozor, që me ushtrinë e tij, nuk njeh humbje dhe terrorizon botën mbarë. Komandanti i tij më i vlefshëm, Oloferni, po shkonte drejt Judesë dhe ndeshet me një pengesë tejet të vogël, me fshatin e Betulies, në Samari.

Nuk duket problem i madh për atë, që pati shpartalluar ushtrinë asire, por kur gjenerali merr vesh se fshati s’ka ndërmend të dorëzohet e madje, po ndërtonte fortifikime, tërbohet dhe thërret këshilltarët për të kuptuar kush qenkëshin këta izraelitët.

Izraelitët i mund vetëm Zoti

E këtu, e papritura e parë: një gjeneral amonit, që quhej Akior, fillon me entuziazëm të tregojë historinë e Izraelit, duke përfunduar, pak a shumë, kështu: “I dashur Olofern, këta munden vetëm nëse Zoti i tyre zemërohet me ta dhe dëshiron t’i dënojë. Nëse nuk kanë faje, për të cilat duhet të pendohen, sigurisht që nuk do t’i mundësh ti me ushtrinë tënde”. E “i dashuri Olofern” nuk e merr aspak mirë këtë punë: e përzë Akiorin dhe e rrethon Betulien, duke mbyllur ujësjellësin e duke e lënë popullin të vdesë nga etja. Nëse nuk bie shi, çështje ditësh e qyteti do të dorëzohej pa gjakderdhje. Po çfarë Zoti! – mendoi Oloferni.

Hyn në skenë Judita

Vërtet, retë me shi janë larg, populli e sheh ushtrinë e tij të fuqishme e, megjithëse guximtar, e kap frika dhe pendohet që nuk u dorëzua. Gjithçka duket e humbur, por nga hiçi del një grua, Judita, vejusha, beronja. Hyrja në skenë e Juditës duket e njëjtë me atë të bariut të vogël, që sfidon gjigantin, me hobe (Davidi dhe Golia). Judita i dëgjon fjalët plot dëshpërim të popullit dhe thërret pleqtë e bashkësisë, para të cilëve mban një fjalim me fuqi të rrallë, i cili përfundon kështu:

“Duhet t’ua vërtetojmë vëllezërve tanë se prej nesh varet jeta e tyre dhe se gjithçka kemi më të shenjtë, Tempulli dhe altari, peshojnë më shumë se ne. Për të gjitha këto arsye, të falenderojmë Zotin, Hyjin tonë, që na vë në provë si etërit tanë” (Jud 8,24-25).

Judita thërret në ndihmë Zotin

Judita është e fortë, e vendosur dhe e qetë. Nuk ka arsye tjetër për të qenë kështu, përveçse fesë, prandaj, e fton popullin e frikësuar të ketë besim në Zotin:

“Duke e pritur me duresë shpëtimin prej Tij, ta thërrasim në ndihmë e Ai, nëse do t’i pëlqejë, do të na dëgjojë” (Jud 8,17).

Plani i Juditës për shpëtimin e Izraelit

E Judita nuk rri të presë duarkryq.

“Më dëgjoni! – u thotë të urtëve të fshatit. – Dua të bëj një vepër, kujtimi i së cilës do t’u kalojë nga breznia në brezni, bijve të popullit tonë. Ju do të qëndroni sonte te dera e qytetit. Unë do të dal bashkë me kryeshërbëtoren time dhe… Zoti do ta shpëtojë Izraelin me dorën time, jam krejtësisht e bindur. Ju veç mos më pyetni se çfarë dua të bëj, sepse s’do t’jua tregoj para se ta kem kryer punën” (Jud 8,32-34).

Skena e veshjes është gati përrallore

Skena, në të cilën Judita përgatitet për të vënë në jetë planin e saj, duket sikur del nga bota e përrallave. Ajo zhvesh rrobat mjerane të vejushës dhe vesh rrobat madhështore të mbretëreshës, me bukuri mahnitëse.

“…i hoqi petkat e vejnisë, e lau shtatin, u lye me erëra të mira, i krehu flokët, vuri në kokë diademën dhe u vesh me petkat e gëzimit, me të cilat vishej kur e kishte gjallë burrin, Manaseun. Mbathi sandalet, vuri gjerdanin, vuri byzylykët në duar, unazat, vathët dhe mbarë argjendin: u stolis shumë bukur për ta joshur shikimin e çdo njeriu” (Jud 10,3-4).

Vdekja e Olofernit

Hirushja kthehet në princeshë. Pasi u bë gati, Judita merr me vete shërbëtoren e shkon në kampin armik, përballet me rojet e pastaj, me vetë komandantin, Olofernin, të cilin e gënjen, duke i thënë se e ka tradhtuar popullin e vet. Me bukurinë dhe hijeshinë femërore e detyron gjeneralin ta ftojë në tendën e vet e madje, të përgatisë edhe një gosti për nder të saj. Gjatë gostisë, ai dehet dhe mbetet vetëm në çadër me izraeliten e bukur. Është çasti, kur Judita vë në zbatim planin e vet. Shpata e Olofernit bëhet e pamëshirshme në duart e saj: një lutje Zotit dhe koka e komandatit përfundon në thesin e shërbëtores. E meqë Judita pati kërkuar që ajo e shërbëtorja të luteshin në luginën aty poshtë, askush nuk i ndali kur u larguan nga kampi pa u hyrë ferrë në këmbë.

Izraeli shpëton falë Juditës dhe guximit të saj

Skena e Juditës, që tregon kokën e Olofernit, pavarësisht se rrënqethëse, është përjetësuar nga shumë piktorë. Falë Juditës dhe guximit të saj, rrethimi përfundon, ushtria largohet e gruaja i këndon Zotit himne gëzimi, në të cilat ngrihet në qiell pushteti i Tij.

Libri është shkruar pas profanimit të Tempullit nga mbreti Antioku Epifane, për t’i dhënë shpresë e forcë popullit të frikësuar, përmes lartimit të guximit të një vejushe, e cila nuk bëri asnjë hap mbrapa para tiranit. Judita, me guximin dhe feminitetin e saj radhitet përkrah grave të tjera të Biblës si Rut, Ester, gjithnjë të përvuajtura, gjithnjë pa bërë zë, ndoshta edhe joshëse e ngashnjyese, por besnike ndaj popullit dhe ndaj Zotit, deri në fund.

07 shkurt 2019, 16:35