Kërko

2019.02.13 Eparchia Lungro03.jpg

13 shkurt 1919: lindte Eparkia e Ungrës

100 vjet më parë, lindte Eparkia e Ungrës, pas misionit të don Giovani Meles në ato zona, në vitin 1918. Ai u bë ipeshkvi i parë i Eparkisë, siç kujton prof. Gaetano Passarelli.

R.SH. - Vatikan

Ishte 13 shkurt 1919, kur arbëreshët e Italisë, që banonin në Kalabri dhe në Bazilikatë, u organizuan nga Kisha Katolike në një eparki, sipas traditës së tyre kishtare. Lindi kështu, Eparkia e Ungrës (Lungro), ku mblidheshin “bashkësi të shpërndara në dioqeza të ndryshme tradicionale, nën një koordinim të vetëm, me kompetenca në fushën e gjuhës dhe të liturgjisë”. Kështu kujton, në mikrofonin tonë, prof. Gaetano Passarelli, ish-pedagog i Përshpirtërisë lindore në Institutin e Lartë të Studimeve Mesjetare e Françeskane në Universitetin Papnor Antonianum dhe pedagog i Liturgjisë bizantine në Institutin Papnor Lindor. Është autori i librit “Vizita e Giovanni Mele në fshatrat arbëreshe të Kalabrisë dhe Lukanies, në vitin 1918”, botuar nga “Graphe.it”.

Figura e Giovanni Mele-s

         Selia e Shenjtë, duke filluar nga Papa Benedikti XV, kishte shumë besim tek don Giovanni Mele: i përgatitur nga pikpamja shpirtërore e kulturore, ai u dërgua në tokat e arbëreshëve për të hartuar një relacion mbi gjendjen shoqërore e fetare të bashkësive, që kishin ardhur në Itali më se 350 vjet më parë. Synimi i misionit ishte ekumenik: “Mele do të shërbente si lidhës me bashkësitë arbëreshe – nënvizon Passarelli – do të përshkruante gjendjen gjeografike dhe shoqërore për çdo fshat, duke vënë në dukje zona të veçanta analfabete në popullsi e duke përmendur edhe librat liturgjikë të përdorur nga meshtarët, për t’u treguar ortodoksëve se në Itali, katolikët bizantinë mund ta ruanin identitetin e tyre”.

Vendimi për të ngritur Eparkinë e Ungrës

         Ungra ishte prej kohësh një etapë e rëndësishme e udhës ekumenike, që e bashkonte Romën me Kostandinopojën, prandaj, qe e natyrshme të formohej aty një koordinim i drejtpërdrejtë i bashkësive arbëreshe, që të merrej kryesisht me formimin e klerit. “Shqiptarët u mirëpritën fillimisht nga bashkësitë lokale – kujton prof. Passarelli – por më vonë, dolën vështirësi për ato ‘rite të çuditshme’ kremtimi. Pastaj, edhe gjuha e ndryshme krijonte keqkuptime e madje, kishte edhe një lloj konkurrence në blegtori, veprimtari ku impenjoheshin të dyja bashkësitë, ajo latine e ajo bizantine”.

Eparkia, sot

         Arbëreshët e kanë falenderuar gjithnjë Selinë e Shenjtë për impenjimin ndaj tyre e këtë e tregojnë edhe kremtimet e sotme për 100-vjetorin e Eparkisë së Ungrës. “Eparkia e Ungrës – përfundon Passarelli – kontribuon në ruajtjen e kësaj trashëgimie të rëndësishme gjuhësore, fetare dhe kulturore, por kjo bëhet gjithnjë e më e vështirë në shoqërinë e sotme. Le të mendojmë, për shembull, sa e vështirë është në Itali t’u përçohet të rinjve trashëgimia e dialekteve të gjyshërve të tyre”.

13 shkurt 2019, 16:00