Cerca

Vatican News
Ipeshkvi i Ungrës, imzot Donato Oliverio Ipeshkvi i Ungrës, imzot Donato Oliverio 

100-vjetori i Eparkisë së Ungrës. Imzot Oliverio: “të mbrojmë larminë e traditave të krishtera”

“Kisha arbëreshe është protagoniste në çështjen e madhe të ribashkimit të të krishterëve. Shën Pali VI i pati quajtur besimtarët arbëreshë pararendës të ekumenizmit modern. Pra, ne si Eparki, duhet të mendojmë në mënyrë ekumenike, ta jetojmë ekumenizmin, të nxjerrim fryte ekumenike nga fakti që jemi katolikë të ritit bizantin”. Këtë thekson ipeshkvi i Ungrës, imzot Donato Oliverio, me rastin e 100-vjetorit të Eparkisë.

R.SH. - Vatikan

Fillojnë kremtimet e 100-vjetorit të Eparkisë arbëreshe të Ungrës, në Itali. Siç ju kemi njoftuar, sot, në katedralen e Shën’Kollit të Mirës, kremtohet një meshë, që hap serinë e veprimtarive të menduara për këtë vit. Liturgjia Hyjnore e ritit bizantin kryesohet nga ipeshkvi i Ungrës, imzot Donato Oliverio, në praninë e autoriteteve kishtare dhe civile.

Nga Shqipëria, merr pjesë kardinali shqiptar Ernest Simoni, kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, së bashku me ambasadoren në Itali, Anila Bitri, dhe me të ngarkuarën me punë në Selinë e Shenjtë, Majlinda Dodaj. Nga Kosova, ipeshkvi i dioqezës, imzot Dodë Gjergji. Nga Vatikani, prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri e, pastaj, ipeshkvi i Horës së Arbëreshëve, imzot Giorgio Demetrio Gallaro, ipeshkvij të tjerë e shumë meshtarë.

Themelimi i Eparkisë: 13 shkurt 1919

 I intervistuar nga agjencia katolike e lajmeve, Sir, ipeshkvi arbëresh paraqet realitetin kishtar italian, mjaft të njohur në Shqipëri, por pak në Itali. “Ishte 13 shkurti i vitit 1919 – shpjegon ai – kur Papa Benedikti XV themeloi Eparkinë e Ungrës të arbëreshëve të Italisë Kontinentale, nën jurisdiskionin e Selisë së Shenjtë. Ngjarje historike, me rëndësi të madhe për shqiptarët e Kalabrisë, me ndikime antropologjike e shoqërore e, natyrisht, edhe kishtare. I jemi shumë mirënjohës Selisë së Shenjtë, që me largpamësi, na ndihmoi e mbrojti, jo vetëm materialisht, por edhe shpirtërisht”, vëren imzot Oliverio.

Arbëreshët, në Kalabri që në shekullin XV

 Eparkia është themeluar në vitin 1919, por arbëreshët banojnë në Kalabri, që nga shekulli XV. “Saktësisht – nënvizon ipeshkvi i Ungrës – këto bashkësi fillojnë të jetojnë në territoret italiane pas Koncilit të Firences të vitit 1439, i cili deklaroi bashkimin e Kishës romake me atë greke. Filloi emigracioni i etërve tanë, për shkak të luftës me turqit, ndalur në Ballkan nga heroi shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i nderuar me titullin ‘Atlet i Krishtit’. Emigracioni vijoi edhe pas rënies së Kostandinopojës dhe pas vdekjes së Skënderbeut. Në ato kohë, u zhvendos një komb i tërë, një Kishë, krishterimi shqiptar, gjuha greke, gjuha shqipe, një popull i tërë me gjithë trashëgiminë e tij, për të pasur mundësinë të mbetej gjallë, i lirë dhe i krishterë”.

Urë ekumenizmi ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit

 Eparkia e Ungrës, së bashku me realitetet e tjera arbëreshe të ritit bizantin në Itali, mund të jetë urë ekumenizmi ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Vetë prania e arbëreshëve të këtij riti dëshmon se të krishterët mund të jenë të bashkuar, pavarësisht nga larmia e traditave të tyre. “Shën Pali VI – vëren më tej për agjencinë Sir, imzot Oliverio – i quajti besimtarët arbëreshë pararendës të ekumenizmit modern.

Prandaj, ne si Eparki, duhet të mendojmë në mënyrë ekumenike, ta jetojmë ekumenizmin, të nxjerrim fryte ekumenike nga fakti që jemi katolikë të ritit bizantin, siç pati kërkuar edhe Gjon Pali II, i cili, në audiencën e veçantë për anëtarët e Sinodit II ndëreparkial të Grottaferrata-s, pati thënë: ‘Ju inkurajoj t’i vijoni kontaktet, falë traditës së përbashkët liturgjike me Kishat ortodokse, që kanë dëshirë – edhe ato - të lëvdojnë Zotin’”.

Shembull integrimi në botën e globalizuar

Eparkia e Ungrës është shembull i integrimit në një realitet tjetër kishtar, gjithnjë të krishterë, por pa u homologuar me të. Prandaj, është urë ekumenizmi në Kishë, por edhe model i ruajtjes së identitetit në botën e globalizuar. Vërtet, siç nënvizon imzot Oliverio e siç dihet botërisht, arbëreshët kanë ruajtur gjuhën, traditat etnike dhe fenë. “Riti bizantin – thekson ipeshkvi i Ungrës – është element themelues i popullit tonë dhe ndiehet si pasuria më e madhe dhe më e çmuar e gjithë bashkësisë arbëreshe.

Si Kishë e kemi mbajtur gjallë gjuhën dhe traditën, falë meshtarëve dhe intelektualëve, që, për arsye baritore e kulturore, kanë shkruar e publikuar himne, rapsodi fetare e katekizma të shumta në gjuhën shqipe. Një shembull i kujdesit ndaj gjuhës vjen nga Liturgjia Hyjnore, e cila nga viti 1968 e më tej, përveçse në greqisht, kremtohet edhe në gjuhën shqipe, në të gjitha bashkësitë. Pra, traditë dhe risi: ky është ekuilibri i drejtë i transmetimit të vlerave të kulturës arbëreshe”.

13 shkurt 2019, 12:49