Kërko

 Mali i Ullinjve në Jeruzalem Mali i Ullinjve në Jeruzalem 

Shtegtarë në Tokën Shenjte, përkrah të krishterëve të Izraelit

“Të krishterët e Izraelit: sfida e mundësi”. Kjo është tema e shtegtimit tradicional të fillimvitit në Tokën Shenjte, që do të bëjnë prelatët e Holy Land Coordination, përfaqësues të Konferencave ipeshkvnore të Evropës, Amerikës së Veriut e të Jugut si dhe të Afrikës jugore.

R. SH. - Vatikan

Takim, që përsëritet prej dhjetë vjetësh, qysh nga viti 1998, organizuar nga Selia Apostolike, për t’i dhënë ndihmesë bashkësive të krishtera të Tokës Shenjte, duke thelluar, kështu, edhe njohjen, miqësinë e solidaritetin ndërmjet kishave. Në qendër të vëmendjes së shtegtimit të këtij viti, janë të krishterët, që jetojnë në Izrael. Sipas të dhënave të fundit, botuar në janar 2019 nga Departamenti qendror i statistikës, janë 175 mijë, 2% e popullsisë, 70%  të vendosur në veri të vendit.

Takime me liderët fetarë e politikë

Gjatë shtegtimit të këtij viti, parashikuar për datat 11 deri më 17 janar, do të vizitohen Jeruzalemi dhe Haifa si dhe disa fshatra të Cisjordanisë dhe të Izraelit: kryesisht Zababdeh, Jenin, Ikrit, Miikya. Parashikohen shumë takime me besimtarët katolikë, por edhe me bashkësinë hebraike dhe përfaqësues të myslimanëve, drusëve, bahaive e liderëve politikë. Për t’i pritur prelatët e Koordinimit të Tokës Shenjte, do të dalin imzot Pierbattista Pizzaballa, administrator apostolik i Patriarkatit latin të Jeruzalemit dhe imzot Leopoldo Girelli, delegat apostolik në Jeruzalem e Palestinë.

Ndërmjet prelatëve, në nisje e sipër, është edhe imzot Rodolfo Cetoloni, ipeshkëv i Grossetos, frat i vogël françeskan, i lidhur ngushtë me Tokën Shenjte, ku u shugurua meshtar e ku shtegton vazhdimisht. I kujton kështu, në mikrofonin e Vatican News, shtegtimet e tij:

“Kthehem atje, ku u lindëm të gjithë e ku e kam zemrën. Pres  ta shikoj më  drejtpërdrejt dëshminë e bashkësive të ndryshme e të njerëzve, që do t’i takojmë në viset e tyre: si në këndvështimin fetar, ashtu edhe atë civil, domethënë në situatën aktuale, që nuk është aspak e lehtë. Kështu duam të ndajmë me to shtegtimin, për të favorizuar udhëtimet drejt Tokës Shenjte, lutjen e përbashkët me të kishterët vendas e lidhjen ndërmjet nesh, lidhje e largët, por nga e cila vijnë shumë ndihma. Secili, në emër të kishave të veta. E Konferenca ipeshvnore italiane është shumë e lidhur me Tokën Shenjte, përmes vëllazërimit, bursave të studimit, projekteve të ndihmës. Shtegtimet tona nuk kanë qëllime politike. Por, sigurisht që takimet vëllazërore me autoritetet lokale e me bashkësitë hebraike, do të japin   edhe fryte të tilla, duke ndikuar në kthesat shoqërore. Takimi nuk mbetet kurrë pa fryte”.

11 janar 2019, 16:24