Cerca

Vatican News
Kosova Kosova  (AFP or licensors)

Përkujtojmë imzot Mark Sopin, në përvjetorin e vdekjes

Sot, më 11 Janar, u mbushën 13 vjet nga kalimi në amshim i ipeshkvit të dioqezës së Kosovës, imzot Mark Sopit.

R.SH. - Vatikan

Më 11 janar kujtojmë ipeshkvin e dikurshëm të Kosovës, imzot Mark Sopin, në përvjetorin e kalimit në amshim. Ipeshkvi imzot Mark Sopi lindi në Binçë, komuna e Vitisë së Kosovës, më 26 shkurt 1938 në një familje të mirë, të madhe, fetare e bujare, pasardhëse e “Martirëve të Karadakut (1848-18480), e cila Markun qysh nga fëmijëria dhe rinia e kishte edukuar e frymëzuar në dritën e fesë së krishterë.

Pas shkollimit fillestar në Viti, gjimnazin klasik e kreu në Pazin të Kroacisë, pastaj studimet filozofike e teologjike në Zagreb e në Romë. Shugurohet meshtar më 29 qershor 1968 në Romë dhe Meshën e parë e kremtoi në vendlindje në Binçë. Don Dedë Ramaj, famullitari i Stubllës e Binçës, në fjalën e rastit gjatë drekës kremtore pati thënë: “Mos harro biri i kujt je, së pari i Zotit, pastaj i Kishës sonë martire, pasardhës i tyre, pastaj i bashkësisë famullitare dhe i familjes… Ndero të parët e ndero vetveten, sepse ke gjurma për të ndjekur nga lashtësia e historia…”. 

Don Mark Sopi për pesë vjet shërbeu si famullitar në Ferizaj dhe si sekretari i ipeshkvit ndihmës të Shkup-Prizrenit imzot Nikë Prelës. Në vitin 1974 qe emëruar famullitar i fshatit Zllakuqan afër Klinës. Prej vitit 1974 deri në vitin 1991 në Zllakuqan e në rrethinë bëri shërbime të shumëfishta, ndër të cilat duhet theksuar organizimin e jetës baritore, ndërtimin e Kishave, kapelave, meremetimin e Kishës amë në Zllakuqan, përgatitjen për themelimin e dy famullive kishtare të reje, të Klinës dhe të Budisalcit.

Ishte pjesëmarrës e prijës shpirtëror edhe në pajtimet e gjaqeve gjatë viteve 1990, bamirës dhe babë për të mjerë dhe të varfër, këshilltar për të pasigurt, ngushëllues për të pikëlluar, udhëheqës për të pavendosur, me një fjalë vëlla, atë, gjithçka. Përpos këtyre punëve tejet të rëndësishme dhe mjaft të vështira, me plotë sfida dhe rreziqe, ai kurrë nuk ishte ndarë nga shkrimi e leximi, si bashkëpunëtor i zellshëm i revistës fetaro-kulturore “Drita”, pastaj në Durrës i revistës “Vegim Drite”. Botoi edhe këto vëllime: Baca Kolë dhe famullitari (1995), Martirët e Karadakut (1996), Koncilët ekumenike (2000), Shën Luçia (2001).

Imzot Mark Sopi fill pas rënies së diktaturës në Shqipëri, së bashku me don Damjan Kurtin, shkoi në Durrës si misionar për ta ndihmuar dhe shërbyer këtë Kishë e Popull martir, duke dëshmuar kështu dashurie vëllazërore e përkushtimin ndaj misionin të tij meshtarak.

Më 23 nëntor 1995 qe emëruar ipeshkëv i Kosovës, shugurimin ipeshkëvnor e merr nga Papa Gjon Pali II më 6 janar 1996 në Vatikan, së bashku me 13 të tjerë nga mbarë bota. Imzot Mark Sopi e mori udhëheqjen e Kishës katolike në Kosovë me seli në Prizren më 18 shkurt 1996 dhe atë e udhëhoqi deri në kalimin e tij në shtëpinë e Atit Qiellor më 11 janar 2006.

Duhet kujtuar se imzot Mark Sopi e udhëhoqi Kishës katolike të Kosovës para luftës me guxim para shumë rreziqeve, pasigurive, duke mbrojtur të gjithë nga rrebeshi i dhunës.  Para, gjatë e pas luftës, në Kosovë, imzot Mark Sopi qe bari i grigjës që iu kishte besuar, e jo vetëm i asaj katolike, por i të gjithëve, i atyre që s’kishin mbrojtje, përkrahje, liri, dinjitet. Gjatë këtyre dhjetë viteve, imzot Mark Sopi ishte kudo lypej dhe kërkohej, sidomos në takime me vendorët dhe ndërkombëtaret, gjithnjë i gatshëm për të dëgjuar, kërkuar dhe punuar për të mirën e përbashkët të popullit e vendit.

Imzot Mark Sopi i tha gjithnjë jo të keqes, po gjithnjë të mirës. I qetë e i vendosur, i guximshëm në vendime e në qëndrime, me Imzot Mark Sopin Kisha Katolike në Kosovë u bë gjithnjë më e njohur dhe e pranishme në hapësirat kosovare, sidomos përmes Karitasit në ndihmë për ata njerëz që qenë goditur nga lufta, duke ndihmuar në ndërtimin e shtëpive të djegura, shkollave të rrënuara, spitaleve të shkatërruara, rrugëve e sidomos në përtëritjen e zemrës së njeriut.

Po kështu ishte gjithnjë në kërkim të mundësive të reja për përfshirjen e Kishës katolike në çështjet shoqërore, kulturore, arsimore. Vdiq në punë, gjatë një takimi të rastit rreth Katedrales të Shën Nenë Terezës në Prishtinë. Nuk duhet harruar fjalën që pat në Kongresin Amerikan më 18 maj 2005, ku me këmbëngulje e me argumente mbrojti qëndrimet kosovare e kërkoi demokraci, liri, barazi e respektin e të drejtave njerëzore për të gjithë qytetarët kosovarë.

Imzot Mark Sopi, gëzonte autoritet e përkrahje, si në qarqe të larta shtetërore, po ashtu edhe ato kishtare. Ai punoi e shpenzoi jetën për ti komunikuar mbarë botës, vlerat dhe vuajtjet e popullit të vet, duke ndihmuar kështu për të mirën e dobinë e kishës e të popullit shqiptar”.

Kisha  famullitare “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Klinë, e përkujtoi me një meshë të kremtuar nga famullitari, don Lenc Sopi. Imzot Sopi u angazhua veçanërisht në përgatitjen e besimtarëve dhe të klerit në Kosovë, Shqipëri, e në mërgatën shqiptare. Ka dhënë kontribut të veçantë në pajtimin e hasmërive e të gjaqeve ndërmjet shqiptarëve, si edhe për sensibilizimin e botës për çështjen e pavarësisë së Kosovës. Për një kohë të gjatë ka qenë bashkëpunëtor i Revistës kulturore “Drita” e më vonë edhe i Revistës “Kumbona e së Dielës” në Shkodër. Njëkohësisht, ka drejtuar revistën fetare “Vegime Drite”; ka botuar veprat: “Baca Kolë dhe famullitari” (1995), “Martirët e Karadakët” (1996), “Koncilët Ekumenikë” (2000) dhe “Shën Luçia” (2003). (shkruar sipas të dhënave të Lekë Mrijaj)

11 janar 2019, 16:53