Shtegtarët e parë arrijnë në Panama, për Ditën Botërore të Rinisë 2019 Shtegtarët e parë arrijnë në Panama, për Ditën Botërore të Rinisë 2019 

Ftesa e rabinit Kraselnik për të rinjtë e DBR-së së Panamasë

Pesëdhjetë të rinj shtegtarë do të strehohen në një sinagogë panameze. Rabini Kraselnik: “Pa dyshim, do të jetë histori e bukur për t’u treguar”.

R.SH. - Vatikan

Edhe Dita e ardhshme Botërore e Rinisë ka anën e saj ndërfetare. Aspekt, që doli në pah, pas gatishmërisë së rabinit Gustavo Kraselnik, nga Bashkimi hebraik Kol Shearith, për të mirëpritur 50 të rinj, që do të marrin pjesë në DBR-në e Panamasë, nga 22 deri më 27 janar. Në një intervistë, botuar në faqen katoliko-amerikane të internetit Crux, Kraselnik deklaron se sinagoga ka një histori të gjatë bashkëpunimi me popullsinë katolike të qytetit dhe se përparësia e saj kryesore është të ofrojë mikpritje, duke shpresuar që bashkësia hebraike dhe të rinjtë katolikë do ta shfrytëzojnë këtë rast për t’u njohur më mirë. Në faqen e internetit të bashkësisë së tij, më 4 janar, rabini shkruan:

“Edhe pse është fjala, kryesisht, për një festë të grigjës katolike, sepse i yni është vend ku shumica ndjek këtë fe, kuptohet fare mirë entuziazmi, që ndihet në shtresa të ndryshme të shoqërisë. Përveç kësaj, prania e Papës - me ç’përfaqëson ai si udhëheqës i Kishës dhe me njohjen e tij si një nga protagonistët kryesorë në skenën botërore – i jep Ditës Botërore të Rinisë një notë, që, në njëfarë mënyre, na përshkon të gjithëve. Ne kemi vendosur ta hapim bashkësinë për të strehuar 50 shtegtarë. Ashtu si kokrra e vogël e sinapit, kemi gjetur këtë mënyrë për të ndihmuar në mbarëvajtjen e ngjarjes dhe për të dëshmuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Kishën, me autoritetet e saj në përgjithësi dhe, në veçanti, me miqtë tanë në famullinë e Shën Lukës, këtu në bregun lindor. I kemi parë përpjekjet dhe dashurinë, me të cilën ata dhe shumë njerëz në të gjithë vendin kanë ndërmarrë udhën e gjatë të përgatitjeve, prandaj jemi shumë krenarë, që i mirëpresim si bashkësi këta të rinj. Duket interesante: katolikë të rinj, strehuar në një sinagogë. Pa dyshim, do të jetë histori e bukur për t’u treguar. Shabbat Shalom”.

Kraselnik, i cili e ka takuar dy herë Papën Françesku në Romë, thekson gjithashtu se Ati i Shenjtë “ka aftësinë të thellohet në çështjen” e marrëdhënieve hebraiko-kristiane “përmes gjesteve të thjeshta, por kuptimplote”. Kryedioqeza e Panamasë e falënderon rabinin Kraselnik dhe bashkësinë hebraike me një tweet nga faqja zyrtare e internetit.

15 janar 2019, 12:27