DBR-ja e ardhshme në Lisbonë, më 2022

Siç është traditë në Ditët Botërore të Rinisë, mesha përfundimtare është çasti i shpalljes së Takimit të ardhshëm rinor. Ai do të mbahet në vitin 2022, në Lisbonë të Portugalisë.

R.SH. - Vatikan

Njoftimi i kardinalit Kevin Farell se DBR-ja e ardhshme do të mbahet në Lisbonë të Portugalisë, në vitin 2022, u shoqërua nga një duartrokitje e gjatë dhe nga shpërthimi i koreve të gëzimit të rreth 700 mijë besimtarëve të pranishëm në meshën përfundimtare të kësaj Dite Botërore, në Panama. Prefekti i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën dha lajmin aq të pritur me fjalët:

         “Dita e ardhshme Botërore e Rinisë do të jetë në Portugali!”

Historia

Ajo e Lisbonës do të jetë Dita e 35-të Botërore e Rinisë. Kështu, Kryqi i DBR-së kthehet në Evropë - pas Krakovit 2016 - në shtetin më perëndimor të kontinentit, me pamje nga Oqeani Atlantik, gati 830 kilometra bregdet, të cilat, gjatë shekujve, e kanë kthyer në një nga Mbretëritë detare dhe nga fuqitë koloniale më të rëndësishme.

Shpallur republikë në vitin 1910, Portugalia ka përjetuar periudhën e gjatë të diktaturës, karakterizuar nga figura e Antonio de Oliveira Salazar (1932-1968) dhe nga ajo e pasardhësit të tij Marcelo Caetano. Më 25 prill 1974, me një grusht shteti (Revolucioni i Karafilave), pushteti i kaloi juntës ushtarake e, më pas, Këshillit të revolucionit, formuar nga ushtarakë progresistë. Që atëherë, vendi ka ecur pa ndalur drejt qëndrueshmërisë, duke përforcuar institucionet demokratike.

Kisha Katolike

         Kisha Katolike në Portugali numëron rreth 9 milionë të pagëzuar dhe ndahet në 3 provinca kishtare e në 21 dioqeza. Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore është kardinali Manuel José Macàrio do Nascimento Clemente, patriark i Lisbonës, emëruar nga Papa Françesku në maj 2013.

         Është hera e dytë që Papa Françesku do të shkojë në Portugali. E para qe ajo e 12 dhe 13 majit 2017, me rastin e shtegtimit në shenjtëroren e Zojës së Fatimës, në 100-vjetorin e dukjeve të shën Marisë në Cova da Iria. Çast krejtësisht marian, që do të pasohet nga festa e madhe rinore e vitit 2022.

Reagimi i parë për njoftimin

         Ç’rëndësi ka për Kishën dhe vendin zgjedhja e Lisbonës për DBR-në e ardhshme? Në mikrofonin e Vatican News, flet atë Jose Manuel Pereira de Almeida, teolog e zv.rektor i Universitetit Katolik të Portugalisë, i cili tregon për entuziazmin me të cilin u prit lajmi.

         “Këtu nuk kemi shekullarizimin, që ekziston në shumë vende evropiane, por indiferenca po bëhet e konsiderueshme”, shpjegon atë Jose Manuel, “prandaj, mendoj se prania e Papës do të jetë rast që të rinjtë ta ndiejnë afër e të përforcohen në fe”. Ç’Kishë gjen Françesku në Portugali? Në fjalët e meshtarit, tradita e fuqishme e katolicizmit në vend, por edhe etja aktuale për përtëritje. “Jemi gati”, pohon, “t’i përgjigjemi thirrjes, që Papa i drejton Kishës në shumë shkrime, për të qenë e varfër, në dalje e thellësisht ungjillore”.

27 janar 2019, 18:36