Cerca

Vatican News
 Barka e të rinjve polakë Barka e të rinjve polakë 

DBR. Panama: nga Polonia me barkë, për të takuar Papën

Priten 3.500 polakë, në Ditën Botërore të Rinisë, në Panama, nga 22 deri 27 janari i ardhshëm. U shtohen më se 37 mijë të rinjve, tashmë të regjistruar për ngjarjen e madhe, në të cilën do të marrin pjesë edhe 30 shqiptarë. E edhe dy grupe të veçanta, me të rinj nga Polonia e nga Franca, që po i afrohen brigjeve të Panamasë mbi dy barka. Me barka, mes dallgëve të Atlantikut, për t’u takuar me Papën.

R. SH. - Vatikan

Të shtegtosh me mendje e me zemër drejtuar nga Panamaja! Kjo, përvoja që jetuan e po e jetojnë përsëri, 150 të rinj polakë,  të nisur  mbi barkën me vela “Dar Mlodziezy” (Dhuratë nga Rinia), drejt vendit latinoamerikan,  ku në fund të janarit do të takohen me Papën Françesku në atmosferën e Ditës Botërore të Rinisë.

Shtegtim nga Polonia

Barka u nis më 11 nëntorin e kaluar, ditën kur festohej pavarësia e Polonisë. Në bord, 170 të rinj, disa prej të cilëve u ndaluan në etapat e ndryshme, për t’u zëvendësuar sakaq me të tjerë. Në bord, edhe kapelanë, që u nisën së bashku me të rinjtë, për të jetuar këtë përvojë të jashtëzakonshme feje. Njëri prej tyre është Atë Michal Siennicki, misionar pallotin që, ashtu si të rinjtë, pret me padurim të takohet me Papën.

Të rinj, në kërkim të Krishtit  

“Të rinjtë janë në pritje të takimit me Françeskun në Panama- tregon kapelani, edhe ai i ri - presin fjalët e tij: një shtytje të re  për ne, që jemi në kërkim të Krishtit. Rregulltari tregon se prania e tij si kapelan është shumë e nevojshme për të rinjtë. Gjatë organizimit të jetës së përditshme në anije, ndjehet fort nevoja për shërbimin tim meshtarak  - pohon - Shumë  të rinj kërkojnë sakramentin e rrëfimit, e shumë marrin pjesë edhe në Meshën e ditës. Pata kështu - vijon - një mundësi të jashtzakonshme për ta shpallur Krishtin, nësa anija lëkundej valë mbi valë e të kujtonte barkën e Ungjijve - barkën e vetë Kishës!

Takimi në Indonezi me pakicën e krishterë  

Përvoja më e fortë e shtegtimeve tona me barkë, ka qenë ajo e Xhakartës – vijon të tregojë atë Michal - e takimit me të rinjtë katolikë, që përbëjnë 1,1% të popullsisë në këtë vend me shumicë myslimane. Në çdo vend ka katolikë,  njerëz që e kuptojnë se Krishti e shpëtoi njeriun e botën. Mendoj se për mua e për të rinjtë ishte gjëja më e rëndësishme, që zbuluam në këtë shtegtim.

Me det, nga Franca, në Panama

Edhe në Francë, 32 të rinj, me tri barka, po kapërcejnë Oqeanin Atlantik, duke lundruar pesë muaj në ujërat plot dallgë, me një qëllim të vetëm: të arrijnë me kohë në Panama, për të marrë pjesë në Ditën Botërore të Rinisë. Shtegtim plot me përvojën e jashtëzakonshme të fesë, me dy etapa të rendësishme: njëra në Santiago të Kompostelës; tjera, në Shenjtëroren e Zojës së Fatimës, ku e lëshuan në dorë të Zojës suksesin e shtegtimit.

 

10 janar 2019, 12:09