Kërko

Logoja e parë e DBR-së së Lisbonës, në vitin 2022 Logoja e parë e DBR-së së Lisbonës, në vitin 2022 

Kard. Clemente: ëndrra e një DBR-je në Lisbonë bëhet realitet

Intervistë me patriarkun e Lisbonës, kard. Manuel José Macàrio do Nascimento Clemente, i cili shpreh gëzimin për zgjedhjen e Lisbonës si vend i Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë, në vitin 2022.

R.SH. - Vatikan

Dita e ardhshme Botërore e Rinisë do të kemtohet në Lisbonë, në vitin 2022. Njoftimi, që u dha në meshën përfundimtare, në Takimin rinor të Panamasë, u prit me gëzim nga portugezët e pranishëm dhe nga presidenti i Portugalisë, edhe ai, në kremtimin e Campo San Juan Pablo II, por sidomos u prit me entuziazëm nga besimtarët e vendit më në perëndim të Evropës. Patriarku i Lisbonës, kard. Manuel José Macàrio do Nascimento Clemente shpjegon, në mikrofonin tonë, se organizimi i një DBR-je në Lisbonë ka qenë gjithmonë dëshirë e ipeshkvijve dhe e të rinjve katolikë të Portugalisë. “Jam shumë i lumtur sepse e prisnim prej kohësh këtë çast”, pohon patriarku i Lisbonës. “E jam i lumtur jo vetëm për Lisbonën, por për të gjitha dioqezat portugeze. Ishte dëshirë e madhe të kemi një Ditë Botërore të Rinisë këtu tek ne. Tani u bë e mundur. Ëndrra jonë u bë realitet”. Por, t’i dëgjojmë fjalët e tij:

R. - Në Konferencën Ipeshkvnore Portugeze, kjo është dëshirë e vjetër e pritej edhe nga i gjithë vendi. Në rininë katolike të Portugalisë ka shumë lëvizje misionare; të rinjtë shkojnë në çdo anë të vendit për ta kaluar javën me popullsinë e për ta jetuar bashkërisht Ungjillin e krishterimin. Kthehen në shkollë me vullnetin për ta vënë në jetë Ungjillin e për të ungjillëzuar ambientin shkollor. Gjatë pushimeve marrin pjesë në kampet verore për t’u shërbyer të varfërve, kanë shumë vullnet ... Janë njëmijë, më shumë se njëmijë. Prandaj, dëshira e realizuar e Konferencës Ipeshkvnore dhe aspiratat e rinisë katolike të Portugalisë do ta bëjë këtë ditë shumë të bukur.

Në Panama u përjetua shumë përmasa autoktone, për shkak të popullsisë indigjene. Në Portugali, ndoshta, do të mbizotërojë përmasa afrikane, pasi vendi ka lidhje të fuqishme me shtete, dikur koloni, apo jo?

R. - Po, Angola, Mozambiku, Guinea, Kepi i Gjelbërt… Të gjithë do të marrin pjesë, sepse njerëzit e tyre ndodhen aty, në Lisbonë, jetojnë aty. Këto vende do të jenë shumë të rëndësishme gjatë Ditëve të Rinisë, të cilat do të kenë këtë veçori të fuqishme euro-afrikane… Në Lisbonë filluan e në Lisbonë do të kthehen.

Flitet për Portugalinë e mendja shkon tek Zoja e Fatimës…

R. - Gjithçka në Portugali, devotshmëria, përshpirtëria, ndjeshmëria janë shumë të lidhura me Zojën tonë të Fatimës e, atëherë, Fatima do të jetë e pranishme në Lisbonë.

29 janar 2019, 12:04