Kërko

Vatican News
Sagrada Familia Sagrada Familia 

DBR 2019: në Panama, edhe ekspozita kushtuar Antoni Gaudi, “bir i Marisë”

Në Panama, ku vijon DBR-ja e 34-t, mund të vizitohet ekspozita kushtuar Antoni Gaudi, arkitektit të madh të Barcelonës, i njohur si “bir i Marisë”.

R. SH. - Vatikan

A e keni dëgjuar ndonjë herë emrin e Antonio Gaudì (1852-1926)? Artistit tepër të njohur, e tepër të panjohur? Aq sa, kur vdiq aksidentalisht, kufomën e tij e çuan në një strehë për të varfër, para se ta varrosnin? E ishte rrëfyesi që, i shqetësuar nga mungesa e përditshme e tij në rrëfyestore, e gjeti trupin e arkitektit të madh të Barcelonës, që ia kushtoi gjithë jetën “Sagrada familia” - njërës nga bazilikat më në zë të botës.

Po e kujtojmë, sepse këto ditë edhe arkitekti i madh “merr pjesë” në Ditën Botëore të Rinisë, në Panama ku, në auditorin e Biomuzeut, u përurua ekspozita e titulluar “Gaudì, bir i Marisë”, menduar enkas për DBR-në, sipas projektit të Chiara Curtit.

Ekspozita ndahet në gjashtë pjesë, gjatë të cilave e ndjekim hap pas hapi  Artistin gjenial,  “Atin” e Sagrada Familia” të Barcelonës e, sidomos, lidhjen e tij të ngushtë me Marinë, në rrugën për t’u takuar me Jezusin. Artisti, me talent të jashtëzakonshëm e famë të madhe, nuk u mbajt as nuk u mburr kurrë. Nuk e kaloi kohën e lirë në shoqëri të gjenive, siç ishte ai vetë. Zgjodhi si shokë e miq të varfërit më të varfër. E si mjedise, ku kalonte orët e prehjes, periferitë e epokës së tij.

Edhe vetë Sagrada familia lindi në periferitë, si gjeografike, ashtu edhe  ekzistenciale të Barcelonës. Një gjeni - në periferi? E çuditshme kjo, në kohët tona, kur fjala gjeni rimon vetëm me lavdi! Ndërsa ai, kur ndokush vizitonte kishën në ndërtim e dëshironte ta njihte autorin, nuk paraqitej kurrë si “mjeshtri” i gjithë asaj mrekullie, por si “bashkëpunëtor me Krijuesin e saj”.

I pëlqente të kujtonte se “nuk ishte ai, që e ndërtonte Sagrada familien, por ishte Sagrada familia, që e ndërtonte atë”. Prej këndej buroi edhe lidhja e  tij e posaçme me Marinë si edhe përkimi me temën e kësaj DBR-je: “Ja, shërbëtorja e Tënzot….”.  Ja shërbëtori i Tënzot - u bëftë mbi mua, si është fjala jote!” - shprehje që meriton të zërë kryet e vendit në jetën e secilit prej nesh.  

Çdo pjesë e ekspozitës hapet me një fotografi vigane e, në  të njëjtën mënyrë, zhvillohet si histori në Instagram, rrjeti shoqëror, që u pëlqen aq shumë të rinjve.

Ekspozita, organizuar nën kujdesin e Këshillit Papnor për Kulturën dhe Dikasterin  për ungjillëzimin e ri, do të jetë e hapur deri më 7 shkurt.   

25 janar 2019, 17:38