Kërko

 Atë Emiliano Fabbricatore, murg bazilian Atë Emiliano Fabbricatore, murg bazilian 

Ndërroi jetë murgu arbëresh, atë Emiliano Fabbricatore

U kthye në shtëpinë e Atit më 6 janar, murgu bazilian, arbëreshi Emiliano Fabbricatore, arkimandrit nderi e abat i fundit i manastirit të Grottaferratës. Varrimi, nesër, në orën 15.00.

R. SH. - Vatikan

Dje, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, ndërroi jetë një Burrë i madh, arbëresh, Atë Emiliano Fabbricatore, murg bazilian! I thjeshtë, si fëmijët. I urtë, si dijetarët. Plot me atë dashuri, që e predikonte për ditë. Mbylli sytë Meshtari, që drejtoi për shumë vite abacinë e Shën Marisë së Grottaferratës. 

I lindur në Shën Sofinë e Epirit, fshat arbëresh i Heparkisë së Ungros, më 12 gusht 1938, nisi, që adoleshent, formimin monastik pranë Abacisë Greke të Shën Marisë në Grottaferra, ku u shugurua meshtar më 13 gusht 1967.

I emëruar Abat i abacisë territoriale  të Shën Marisë në Grottaferra më 31 janar të viti 2000, mori chirotesinë, apo bekimin e arkimandritit, më 5 mars të të njëjtit vit, me titullin protoarkimandrit dhe abat i abacisë territoriale.

Si arkimandrit, organizoi me shumë kujdes kremtimet kushtuar mijëvjeçarit të manastirit, themeluar nga Shën Nili, më 1004.

Një nga impenjimet parësore të misionit të tij ishte ekumenizmi ndërmjet Kishës katolike e asaj ortodokse. Prej këndej qe vazhdimisht i pranishëm në ballafaqimet, pa harruar të ndërmjetësojë sa herë ndjehej nevoja, si arkimandrit i Grottaferratës. Qe i lindur për të ndërmjetësuar: në fytyrën e tij ndriçonte Hiri i Zotit; në fjalë, butësia e fëmijës; në shpirt, Drita e Krishtit; në sjellje, bujtaria tipike e njeriut, që di vetëm të dhurojë, gjithçka. Ndoshta prandaj i kishte gjithnjë plot me gjëra për t’u dhuruar, xhepat e mëdhenj të zhgunit të Abatit, që ia vinte dhe më në dukje pashinë.

Pikërisht për këto karakteristika u caktua si bashkëbisedues me Kishat ortodokse, edhe pse nuk ishte uniat. Kujtojmë se Bijtë e Shën Nilit kanë marrëdhënie miqësore me shumë Kisha e manastire ortodokse, gjë që i shërben fuqimisht dialogut ekumenik:

“Ne kemi - shkruante atë Emiliano - mjaft shkëmbime personale e edhe bashkësish. I mirëpresim shpesh, edhe për shumë kohë. E lutemi së bashku me ta, me lutje të përvujta, të cilat ia besojmë duarve amëtare të Theotokos Hodigitria, ikona e lashtë e së cilës është prej shekujsh zemra simbolike, që rreh fort, në manastirin tonë”.

Edukator e mësues i adoleshentëve të bashkësive arbëreshe në Seminarin  Benedikti XV, drejtuar nga etërit bazilianë dhe anëtar i Konferencës ipeshkvnore të Lazios, më 2013 atë Emiliani dha dorëheqjen nga  detyra e abatit të Grottaferratës, për t’ia dorëzuar ipeshkvit të Albanos, Marcello Semeraro.

Dorëzoi atë manastir ku, sa qe abat atë Emiliani, shtegtari gjeti mikpritjen tipike shqiptare e kristiane, i grishur të ulej rreth sofrës së përbashkët, pasi kishte vizituar bibliotekën e famshme të abacisë e muzeun po aq të mirënjohur arkeologjik. Pa harruar punishten e pakrahasueshme, ku murgjërit e Abacisë punuan në shekuj për të rikthyer në jetë libra të trashë, shkruar mbi pergamena, duke shpëtuar faqe tejet të rëndësishme të historisë së njerëzimit. Ky ishte i paharruari atë Emiliano, që përcillet nesër, në orën 15.00 në banesën e fundme, duke lënë bosh një vend, që shpresojmë ta zënë të rinj të denjë për paraardhësin!

Pushoftë në paqe!  

07 janar 2019, 15:54