Kërko

VI-EN-ART-21210-NAZZARENO.jpg

Manila: miliona besimtarë për procesionin e Nazarenasit të Zeshkët

Një turmë oqeanike u derdh mbi rrugët e Manilës për të festuar Nazarenasin e Zeshkët. Është fjala për një nga procesionet më të mëdha fetare në botë. Edhe këtë vit, një milion besimtarë deshën ta prekin apo vetëm ta shohin shtatoren e Krishtit, në një traditë që vijon nga 1606-a. Në Filipine, mbi 82% e 105 milion banorëve janë katolikë.

R.SH. - Vatikan

Procesioni, i cili përsëritet që nga shekulli i shtatëmbëdhjetë, njihet si “traslacion” (zhvendosje). Gjatë ritit, shtatorja e tërhequr me litarë, mbartet në një karrocë pa rrota. Besimtarët mundohen t’i qëndrojnë sa më afër, grumbullohen dhe ngjiten mbi supet e njëri-tjetrit për ta prekur. Edhe këtë vit, Nazarenasi i Zeshkët, me përmasa natyrore, me kryqin e madh në krah, kaloi përmes një turme pa fund, grumbulluar pavarësisht nga rreziku i terrorizmit dhe i aksidenteve. 7.000 policë ishin vendosur përgjatë rrugës prej së paku 6 kilometrash. Kryqit të Kuq Filipinas iu desh të shpëtojë më se 100 njerëz që të mos binin nga marramendja, ose nga plagët e këmbëve. Gjithsesi, nuk pati probleme serioze.

Traditë, që fillon në vitin 1606

         Shtatorja e Nazarenit të Zeshkët mbërriti në Filipine më 31 maj 1606, kur misionarët e parë augustinianë vunë këmbën në Manila. Ndërtuar në Meksikë, pasqyron Shëlbuesin e njerëzimit të gjunjëzuar nën peshën e kryqit. Anija e misionarëve, që po e çonin në Filipine, u dogj, por jo shtatorja, e cila, shpëtoi për mrekulli. U vendos në një kishë në afërsi të Manilës më 10 shtatorin e po atij viti, ndërsa më 1608, u zhvendos në famullinë e shën Nikollës nga Tolentini, ku mbeti deri më 1700. Ipeshkvi i atëhershëm i kryeqytetit vendosi ta çojë përfundimisht në kishën e lagjes Quiapo. Përkushtimi i besimtarëve e bindi Selinë e Shenjtë që në vitin 1650, gjatë papnisë së Inoçencit X, të themelonte, sipas ligjeve kanonike, “Confradia de Jesus Nazareno” (Sivëllazërinë e Jezusit Nazarenas). Edhe Papa Piu VII, në shekullin e 19-të,  e nderoi Nazarenasin e Zeshkët duke i dhënë ndjesën e plotë “atyre, që e lusnin me shumë përshpirtëri”.

Kard. Tagle: përkushtimi ndaj Nazarenasit të Zeshkët nuk është fanatizëm

         Gjatë meshës së kremtuar sot në kishën e shën Gjon Pagëzuesit, kryeipeshkvi i Manilës, kardinali Luis Antonio Tagle, pohoi në homeli se “përkushtimi ndaj Nazarenasit të Zeshkët është dashuri për Jezusin e jo fanatizëm. Besimtari i vërtetë do: thelbi i përkushtimit është dashuria. Fanatiku nuk do”. Festa e sotme është shprehje e përkushtimit ndaj Krishtit të vuajtur, me të cilin filipinët identifikohen, për shkak të jetës së tyre në varfëri e mundime të përditshme. Gjatë “traslacionit” (zhvendosjes) - një procesion, që zgjat gati 24 orë – shtatorja niset nga qendra e Manilës për të përfunduar në kishën e Nazarenasit, në lagjen Quiapo. Aty njerëzit priten nga meshtarët, të gatshëm për të dëgjuar rrëfimet, për të dhënë bekimet e për të mbarështuar Sakramentet.

Edhe myslimanët e nderojnë shtatoren e Nazarenasit

         Në afërsi të kishës ngrihet një xhami, e ashtuquajtura “Golden Mosque”. Pikërisht, duke u nisur nga përshpirtëria e Nazarenasit të Zeshkët, vite më parë, katolikët filluan dialogun me myslimanët e zonës. Edhe ata i afrohen shtatores për ta prekur a përkëdhelur. E çdo të premte të parë të muajit, kisha mbushet plot edhe prej tyre, duke bërë që meshtarët ta kremtojnë meshën çdo orë, që nga ora pesë e mëngjesit e deri më shtatë të darkës.

09 janar 2019, 15:12