Ungjilli së dielës Ungjilli së dielës 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të gjatë vitit ‘C’

Fjala e Zotit, kësaj së diele na paraqet misterin e Dëftimit të Hyjit, pra, shfaqjen e Zotit Jezu Krisht në realitetin konkret të jetës së njerëzve, siç rrëfen dasma e Kanës së Galilesë. Pra, Ungjilli i Gjonit na njeh me fillimin publik të misionit shpëtimprurës të Jezu Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 2-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të gjatë vitit ‘C’

Pas kohës dhe festës së Krishtlindjes, me këtë të diele, me kalendarin kishtar kalojmë në kohën liturgjike të zakonshme, pra shpirtërore, e cila quhet edhe ‘koha gjatë vitit kishtar’, që do të thotë se përfshinë ato të diela që janë jashtë kohëve të forta shpirtërore liturgjike, siç janë koha e Ardhjes, koha e Krishtlindjes, koha e Kreshmëve, koha e Pashkëve dhe koha e Rrëshajëve.

Fjala e Zotit e kësaj së diele të dytë, gjatë vitit kishtar, vazhdon me paraqitjen, zhvillimin dhe shpjegimin e misterin e Dëftimit të Hyjit, pra, me misterin e shfaqjes së Zotit tonë Jezu Krisht në realitetin konkret të jetës së njerëzve, e siç rrëfen kësaj radhe pjesa e Ungjillit të kësaj së diele, në dasmën e Kanës së Galilesë. 

Ungjilli i kësaj së diele, nga Gjoni (Gjn2,1-12), na njeh me fillimin publik të misionit shpëtimprurës të Jezu Krishtit, dhe Atë na e paraqet të pranishëm e pjesëmarrës në një festë të bukur martesore, në dasmën e dy të rinjve që martoheshin në Kanë të Galilesë, bashkë me Nënën e tij, Virgjërën Mari dhe nxënësit. Festa e martesës kremtuar në Kanën e Galilesë, është simbol i bashkimit që Zoti gjithmonë ka dashur ta realizojë me njerëzimin.

Dasma e Kanës, më shumë se mrekulli, është Besëlidhje dashurie

Mrekullia e Dasmës së Kanës shenjë e dashurisë së Atit Hyjnor, në qendër të Ungjillit të kësaj së diele. Përtej rrëfimit të një mrekullie, në këtë dasmë fjalët dhe shprehjet zbulojnë misterin e plotë të Jezus Krishtit, lidhjen e Tij të dashurisë me Kishën e me dishepujt, familjen e Tij, si dhe misionin besuar të krishterëve, prandaj, duhet dëgjojnë e ta vënë në jetë Fjalën e Zotit. Mrekullitë, shenjat dhe Kana, janë një lloj “porte”, diçka më tepër sesa rrëfimi i një mrekullie, gjë që e shikojmë që nga hyrja, me përshkrimin e Jezusit, pjesëmarrës në dasmë së bashku me dishepujt, me familjen e tij.

Në Kanë lidhet një Besë e Re dashurie

Duke nisur shërbimin publik, Jezusi shfaqet si dhëndër i popullit të Zotit dhe e dëfton thellësinë e marrëdhënieve, që e lidhin me Të: një besë e re dashurie. Çka kemi në themelin e fesë sonë? Një akt mëshire, me të cilin Jezusi na lidhi pas vetes. E jeta e krishterë është përgjigjja që i jepet kësaj dashurie, është si historia e dy të dashuruarve. Zoti dhe njeriu takohen, kërkohen, gjinden, kremtojnë e dashurohen: ashtu si i dashuri me të dashurën në Këngën e Këngëve.

Gjithçka tjetër vjen si pasojë e kësaj lidhjeje, duke u nisur nga Kisha, familja e Jezusit, mbi të cilën ndikohet gjithë kjo dashuri, që duhet ruajtur e duhet dhuruar. E pastaj, ku lidhet një besë dashurie, nuk mund të mungojë as gëzimi, ashtu si në një dasmë nuk mund të mungojë vera. E, çdo martesë të krishterë, Kisha e konsideron “verë të mirë”  dhe  dëshmi të bukur për bashkëshortët e për mbarë komunitetin.

Uji është i nevojshëm për të jetuar, por vera shpreh begatinë e gostisë dhe gëzimin e festës. Është gosti dasme, ajo e Kanës së Galilesë, në të cilën mungon vera, këndej dhëndër e nuse turpërohen, me të drejtë. Prej këndej, uji i shndërruar në verë është Ligji i Moisiut, që Jezusi e shndërron në një gjest, i cili flet vetë: në Ungjillin e gëzimit.

Trashëgimi i të krishterëve: ta dëgjojnë e ta vënë në jetë Fjalën e Zotit

Trashëgimi, që Jezusi na e la ne të gjithëve, ruhet me kujdes dhe e gjen shprehjen e vet në fjalët e fundit të tregimit të Ungjillit të kësaj së diele, që Maria ua drejton shërbëtorëve të Dasmës së Kanës: "çdo gjë që t’ju thotë, bëjeni!”. Ku është misioni i Kishës, misioni i çdo besimtari, të cilin Maria vijon ta përsërisë edhe sot.  T’i shërbesh Zotit do të thotë ta dëgjosh e ta vësh në jetë Fjalën e Tij Hyjnore. Është këshilla e thjeshtë, por themelore, e Nënës së Jezusit, program i jetës së krishterë. Për secilin nga ne, të pish nga shtamba, do të thotë t’i besosh Fjalës së Zotit, për ta provuar, pastaj, frytin e saj në jetë. Atëherë së bashku me kryetarin e gostisë, që shijoi ujin e bërë verë, edhe ne mund të brohorasim: “Ti e paske ruajtur verën e mirë për në fund’. Po, Zoti vijon ta ruajë verën e mirë për shëlbimin tonë, ashtu siç vijon të gurrojë nga kraharori i  shporuar i Tij”.

Në Kanë lind feja e Kishës

Në rrëfimin ungjillor për dasmën e Kanës, kemi fillimin e shenjave të kryera nga Jezusi; Ai e shfaqi lavdinë e Tij dhe dishepujt besuan në Të. Ja pra, kështu përmbushet sekreti i Kanës,  fillesë e shenjave, që do të bënte Jezusi, i cili në këtë dasmë i lidh pas vetes dishepujt dhe i bën familje të Tij. Prej këndej mund të themi se Dasma e Kanës është  shumë më tepër se rrëfimi i një mrekullie. Si në një peshtaf, Jezusi e ruan sekretin e Vetjes së Tij dhe qëllimin e ardhjes së Tij; Dhëndri i shumëpritur jep shenjën e fillimit të dasmës, që do të përfundojë me Misterin e Pashkëve. Në këtë dasmë, Jezusi i lidh pas vetes dishepujt e Tij me një Besëlidhje të re e përfundimtare. Në Kanë, dishepujt e Jezusit bëhen familja e Tij dhe pikërisht në Kanë, lind feja e Kishës. Në këtë dasmë, ku jemi të ftuar të gjithë, vera e re nuk do të mungojë kurrë! 

                                        Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Is 62, 1-5
Hyji i dhuron shpëtimin e vet Jerusalemit, para të gjithë popujve me një dashuri të ngjashme me atë të dhëndrit për nusen e vet. Është Hyji që pranon njerëzimin tonë për një akt të pastër dashurie dhe na jep qartësinë e vlerës së jetës sonë. Njerëzimi nuk do thirret më “i harruari, i braktisuri”, por do të quhet gëzimi i Hyjit, shok i të Tejlartit.

Lexim prej Librit të Isaisë profet
Për shkak të Sionit unë nuk do të heshtoj, për shkak të Jerusalemit s’do t’i jap vetes pushim – deri që drejtësia e tij të dalë porsi drita, e shpëtimi i tij të mos ndizet si llamba! Të gjithë popujt do ta shohin drejtësinë tënde, të gjithë mbretërit lavdinë tënde; do të quhesh me një emër të ri, që do ta caktojë goja e Zotit. Do të jesh kurorë nderi në dorën e Zotit, kezë mbretërie në shuplakë të Hyjit tënd. Nuk do të quhesh më “E lëna”, toka jote më s’do të quhet “E shkretuar”, por do të quhesh “Kënaqësia ime” e toka jote “E martuara”, sepse ti i pëlqeve Zotit e toka jote do të jetë e martuar. E njëmend, sikurse i riu që martohet me të fejuarën, kështu me ty do të martohet ndërtuesi yt sikurse dhëndri që i gëzohet nuses, kështu do të gëzohet ty Hyji yt. Fjala e Zotit.

Psalmi 96
Ti, o Zot, i bëre të gjitha gjërat të reja

----------
Këndoni Zotit një këngë të re!
Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!
Këndoni Zotit, bekojeni emrin e tij.
----------
Shpalleni si një ditë për ditë
shpëtimin e tij,
kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij,
ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!
----------
Jepni Zotit, familjet e popujve,
jepni Zotit nder e fuqi,
jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!
----------
Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij!
Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti!”
Ai e mban botën që të mos shkatërrohet;
i gjykon popujt me drejtësi.
----------

Leximi i dytë 1 Kor 12, 4-11
Shpirti u dhuron të krishterëve thirrje të ndryshme sipas personalitetit të secilit. Por këto ndryshime mund t’i shtyjnë të krishterët të vihen njëri kundrejt tjetrit. Shpirti kërkon bashkimin që realizohet pa humbur personalitetin e secilit duke i shërbyer të mirës së përbashkët.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë – edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë – po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë – Ai bën gjithçka në të gjithë. Secili merr dhuratë të veçantë të zbulesës së Shpirtit Shenjt për të mirën e përbashkët.
Dhe njëmend, Shpirti Shenjt i jep njërit fjalën e urtisë, kurse i njëjti Shpirt Shenjt një tjetri i jep fjalën e dijes; po i njëjti Shpirt Shenjt një tjetri i jep fenë, një tjetri prapë, i njëjti Shpirt Shenjt i jep dhuratën e shërimeve; një tjetri pushtetin për të bërë mrekulli, një tjetri profecinë, një tjetri aftësinë të dallojë shpirtrat, një tjetri zotësinë e gjuhëve të ndryshme, një tjetri shtjellimin e gjuhëve. E të gjitha këto i bën një i vetmi Shpirt Shenjt duke i ndarë veçanërisht secilit ashtu si do Ai. Fjala e Zotit.

Ungjilli Gjn 2, 1-12
Jezusi me kërkesën e Marisë, nënës së tij, kryen mrekullinë e parë në Kanë të Galilesë, duke shndërruar ujin në verë. Me këtë shenjë Ai ka zbuluar hyjninë e vet dhe domethënien më të thellë të jetës së tij. Me Jezusin arrin “ora” e shumëpritur nga profetët, ora e dasmës së Hyjit me njerëzimin. Kjo orë do të realizohet përfundimisht kur nga kraharori i Krishtit mbi kryq do të rrjedhë gjak dhe ujë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Të tretën ditë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë. Aty ishte edhe nëna e Jezusit. Në dasmë e grishën edhe Jezusin e nxënësit e tij. Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!” Jezusi i tha: “Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!” Nëna e tij u tha shërbyesve: “Bëni gjithçka t’ju thotë!”
Ishin aty të vëna gjashtë enë guri që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve. Secila zinte dy apo tri masë. Jezusi u tha shërbyesve: “Mbushni enët me ujë!” Ata i mbushën deri në grykë. “Merrni tani – u tha atëherë – e çoni kryetarit të tryezës.” Ata ia çuan. Kur kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë – e nuk e dinte nga vinte – shërbyesit, që e kishin mbushur ujin, e dinin – kryetari i tryezës e thirri dhëndrin dhe i tha: “Çdo njeri më parë vë në tryezë verën e mirë e, kur t’i nxehë pija, sjell verë më të keqe. Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani!”
Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të. Pastaj zbriti në Kafarnaum me nënën e vet, me vëllezërit e vet, e me nxënësit e vet. Aty nuk qëndruan shumë ditë. Fjala e Zotit.

18 janar 2019, 17:59